Ndërlidhjet

Thaçi e Vuçiq pajtohen për intensifikimin e bisedimeve


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Foto nga arkivi
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Foto nga arkivi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq kanë diskutuar sot në Bruksel për një kornizë e cila do të çonte deri tek arritja e marrëveshjes përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Thaçi u takua sot me Vuçiqin në kuadër të dialogut politik që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Nikoqire e takimit Thaçi-Vuçiq ishte përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini.

“Ka qenë një takim jo i lehtë, i vështirë por me tone pozitive për të shikuar kah e ardhmja për interesin e të dyja vendeve. Jemi dakorduar që procesi të marrë një dinamikë dhe të intensifikohet në javët e ardhshme. Gjithashtu, kemi arritur në përfundim se arritja e marrëveshjes përfundimtare për normalizim të plotë të raporteve Kosovë-Serbi është në interesin e të dyja vendeve, paqes dhe stabilitetit në rajon”, tha Thaçi për gazetarët pas përfundimit të takimit.

Presidenti Thaçi tha se një marrëveshje e tillë duhet të jetë e pranueshme për të dy popujt dhe se sipas tij, njerëzit duhet të “shikojnë kah e ardhmja evropiane dhe jo kah e kaluara konfliktuoze”.

Sipas Thaçit, nëse Kosova dhe Serbia nuk arrijnë marrëveshje për normalizimin e raporteve, atëherë të dyja palët do të humbasin shumë.

“E di se me marrëveshje do të mund të fitojmë shumë, të dyja palët, por edhe jam edhe i frikësuar se nëse nuk arrijmë marrëveshje do të humbasim shumë”, u shpreh Thaçi, duke rikujtuar se Bashkimi Evropian, ku Kosova dhe Serbia synojnë të anëtarësohen, nuk pranon vende që kanë konflikte.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se gjatë takimit është folur për temat e hapura që kanë Serbia dhe Kosova.

"Kemi biseduar për zgjidhjen e problemeve të hapura. Biseduam haptas për zgjidhjen e shumë problemeve. Nuk jam shumë optimist, por duhet të bisedojmë", tha Vuçiq, duke shtuar se gjatë takimit është folur edhe për intensifikimin e takimeve në kuadër të dialogut që lehtësohet nga Brukseli.

Ndërkaq, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini ka thënë se me presidentët e Kosovës dhe Serbisë ka zhvilluar bisedime intensive dhe produktive për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve.

“Përfaqësuesja e Lartë dhe presidentët kanë pasur bisedime intensive dhe produktive mbi kornizën e marrëveshjes për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy palëve. Palët janë pajtuar për intensifikimin e punës në javët e ardhshme”, thuhet në njoftimin e zyrës së Mogherinit.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë zhvillohet në dy nivele, atë politik, ku delegacionet përfaqësohen nga presidentët e shteteve apo kryeministrat, dhe niveli teknik, që zhvillohet përmes ekipeve të ekspertëve, ministrave dhe përfaqësuesve të institucioneve nga të dyja shtetet.

Fillimisht, bisedimet nisën me takimet në nivelin teknik në mars të vitit 2011. Por, ndërkohë, po me lehtësimin e Brukselit, u iniciuan edhe takimet në nivelet më të larta politike.

XS
SM
MD
LG