Ndërlidhjet

Haradinaj takon Hahnin - Kosova e palëkundur në rrugën drejt BE-së


Haradinaj pret në takim komisionarin Hahn
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:00:33 0:00

Haradinaj pret në takim komisionarin Hahn

Komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Johannes Hahn, po qëndron në Prishtinë, ku është pritur nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ndonëse nuk kishte deklarata pas takimit, në një postim në rrjetin social facebook, kryeministri Haradinaj ka shkruar se “në takim me Komisionarin e BE-së për Zgjerim, Johannes Hahn, ritheksova se pozicioni i Kosovës është i palëkundur në rrugën e integrimeve drejt BE-së. Në këtë drejtim, kemi shënuar progres në agjendën evropiane dhe pas përmbushjes në tërësi të kritereve për liberalizim presim një vendim të shpejtë, që të na njihet e drejta e lëvizjes së lire”, ka shkruar Haradinaj.

​Ndërkaq, në një komunikatë për media, kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se në takimin me Johannes Hahn, ka shprehur përkushtimin për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilin, siç thuhet në komunikatë, kryeministri shprehu qëndrimin e Kosovës për një marrëveshje finale gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme.

Haradinaj, as në postimet e tij në rrjete sociale, e as në komunikatë, nuk ka përmendur çështjen e taksës doganore ndaj mallrave serbe.

Ndërkaq, bazuar në një prononcim paraprak të kryeministrit Haradinaj, tarifa doganore, të cilën Qeveria e Kosovës u ka vendosur produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina ka qenë tema qendrore e diskutimeve.

“Kosova ka një agjendë me BE-në për liberalizimin e vizave dhe ne i kemi përmbushur të gjitha kushtet. Tani ka lindur edhe një temë e re, është taksa e cila ndërlidhet me njohjen nga Serbia. E mirëpresim çdo sugjerim, çdo këshillë që të bisedojmë me komisionarin Hahn”, u shpreh Haradinaj.

Haradinaj dhe Hahn zhvilluan takimin në Prishtinë, gjatë orëve të mbrëmjes. Sidoqoftë, deri më tani, Haradinaj nuk ka dhënë ndonjë deklaratë apo mesazh politik se do të tërhiqet nga vendimi për taksën.

Jo vetëm Bashkimi Evropian, por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar që Prishtina ta shfuqizojë këtë taksë.

Deputetët e partive politike opozitare, kanë mendime të ndryshme se si do të duhej të veprohej në një rast si ky.

Zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, thanë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës, duhet të bëjë një vlerësim të efektit ekonomik dhe politik të kësaj takse dhe më pas edhe të merren vendime të reja.

Deputeti opozitar nga LDK-ja, Naser Osmani, tha se tash pas kërkesave të reja për heqjen e taksës, Qeveria duhet të marrë vendime mbi bazën e ndonjë oferte si kundërpërgjigje.

"Nuk mund të hiqet taksa pa asnjë kusht, sepse kur është vendosur taksa, ajo është vendosur me kushte. Unë konsideroj se tash duhet të bëhet vlerësimi politik..., dhe të shihet se cilat janë ato realizime të atyre synimeve apo premtime që jep faktori ndërkombëtar për tërheqjen e një vendimi, të cilin e ka marrë kryeministri", theksoi Osmani.

Ai tha, po ashtu, se lidhur me efektet e taksës, Qeveria duhet t’i njoftojë edhe qytetarët. Sipas tij, ekzekutivi i vendit, pas vlerësimeve, duhet të veprojë në bazë të kërkesave të qytetarëve, faktorit ndërkombëtar dhe vazhdimit të dialogut.

Kurse, në Lëvizjen Vetëvendosje thanë se vendosja e taksës prej 100% për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, është një ndër vendimet e pakta të drejta të Qeverisë.

Deputetja Arbërie Nagavci nga Vetëvendosje, duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se vendimi për taksen duhet të respektohet plotësisht dhe nuk duhet të negociohet.

Ajo theksoi se Vetëvendosje e përkrahë vendosjen e taksës, dhe siç u shpreh ajo, raportet me Serbinë duhet të jenë në reciprocitet të plotë ekonomik dhe politik.

"Si e tillë, taksa nuk duhet të negociohet. Është e natyrshme që ka presion prej faktorëve ndërkombëtarë duke pasur parasysh që edhe presidenti i vendit ka venë në tavolinë biseda me Vuçiqin [presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq] gjithçka dhe po e vë në diskutim edhe integritetin territorial të vendit. Po ashtu, edhe Ekipi negociator po e mbështet Thaçin në këtë projekt të tij personal. Kështu që është e pritshme që do të ketë përpjekje të ndikohet në Republikën e Kosovës, duke pasur parasysh këtë klasë politike, gjegjësisht veprimet e papërgjegjshme të institucioneve tona", u shpreh Nagavci.

#Hashtag

Deri kur taksë 100 për qind për importet e Serbisë dhe Bosnjës?
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:02:46 0:00

Ajo tha se reagime e kundërshtime kishte edhe kur Kosova nisi t’i miratojë ligjet për formimin e Ushtrisë së Kosovës, por, siç u shpreh ajo, kur është parë serioziteti dhe përkushtimi i të gjithë mekanizmave, presioni u largua.

"Nuk duhet harruar se ne jemi një shtet i njohur nga një numër i madh i vendeve, madje edhe nga vendet më me ndikim dhe në këtë raport duhet të jenë edhe sjelljet tona si një Republikë sovrane që vendos për integritetin dhe sovranitetin e vet”.

“Në raport me Republikën e Serbisë, si një vend fqinj ne duhet të kemi një reciprocitet të plotë. Për më tepër, ne duhet të kërkojmë të drejtat tona, të cilat asnjëherë nuk janë njohur nga Serbia, jo vetëm njohja, por edhe kërkim-falja e llogaridhënia për të gjitha dëmet e luftës që tashmë janë të njohura", tha Nagavci.

Qeveria e Kosovës më 6 nëntor, të vitit të kaluar, fillimisht kishte vendosur taksë doganore 10 për qind për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Kjo taksë doganore u ngrit në 100 për qind më 21 nëntor.

Përveç kësaj, më 28 dhjetor Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të vendosë taksë doganore 100 për qind edhe për produktet e importuara nga brendet ndërkombëtare që prodhohen në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë. Vendosja e taksës ndaj këtyre produkteve, është kritikuar nga Bashkimi Evropian, derisa edhe zyrtarë amerikanë kanë bërë thirrje për shfuqizim të kësaj mase.

XS
SM
MD
LG