Ndërlidhjet

Haradinaj e Rama zotohen për heqjen e taksave, romingut dhe unifikimin e doganave


Mbledhja e përbashkët e dy qeverive e mbajtur sot në qytetin e Pejës
Mbledhja e përbashkët e dy qeverive e mbajtur sot në qytetin e Pejës

Kosova dhe Shqipëria janë pajtuar që brenda gjashtë muajve të unifikojnë doganat, të heqin tarifën e romingut në kuadër të telekomunikimt si dhe të heqin tarifat doganore.

Këto ishin vetëm disa nga vendimet që u konfirmuan me nënshkrimin e nëntë marrëveshjeve dhe protokolleve në kuadër të mbledhjes së përbashkët të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë të mbajtur sot në Pejë.

Aty, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama thanë se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve është më se i domosdoshëm.

Kryeministri Haradinaj tha se qytetarët në Kosovë e Shqipëri presin edhe më shumë nga të dy qeveritë, por nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve ai tha se e sheh si fillim të konkretizimit të prioriteteve të kahershme nga të dyja palët.

“Ajo që e shquan Kosovën është rreshtimi me SHBA-në si një faktor prijës global dhe me aleatët tanë strategjikë. Shqipëria çdo herë ka mund të llogaritë në Kosovën dhe çdo herë ka të drejtë të llogaritë në Kosovën, por edhe Kosova çdo herë ka llogaritë në Shqipërinë dhe kjo është dëshmuar edhe në vitin 1999, në ditët më të vështira të jetës sonë si komb”, tha Haradinaj.

Ndërkohë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përmendur edhe vendosjen e taksës doganore nga ana e autoriteteve të Kosovës për prodhimet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja. Rama tha se vendosja e taksës doganore në shifrën 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, ishte reagim ndaj padrejtësive që i bëhen Kosovës, shpesh herë edhe me mbështetjen e vendeve të ndryshme evropiane.

Përderisa i dha mbështetje tarifës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë, Rama tha se brenda një kohe të shkurtë, Kosova dhe Shqipëria do të kenë tarifa zero si dhe unifikim të plotë të doganave.

“Sot është koha për të vënë tarifa 100 për qind në veri dhe për të pasur tarifa zero në jug të Kosovës. Së dyti, duhet të shkojmë drejt bashkimit doganor, transit më 1 janar në Portin e Durrësit për Kosovën dhe hapat e tjerë brenda gjashtëmujorit të ardhshëm drejt bashkimit doganor. Kush e konsideron këtë si kërcënim, qoftë në Beograd apo Bruksel është i mirëpritur të vijë, të ulet në tavolinë e t’ia shpjegojmë se nuk është kërcënim por është një ftesë që të gjithë të tjerët të marrin shembull nga ky bashkëpunim dhe Serbia e para të ndjekë shembullin e këtij bashkëpunimi”, tha Rama.

Edi Rama: Kush ngre dorën ndaj Hashim Thaçit duke e quajtur tradhtar, është një gomar

Gjatë një konference të përbashkët, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka folur për temën e korrigjimit të kufijve, si ide e lansuar nga tavolina e bisedimeve ndërmjet presidentëve të Kosovës dhe Serbisë.

Rama ka mbrojtur më këtë rast presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, si një prej atyre që ka mbështetur zëshëm idenë e korrigjimit, duke thënë se kush është kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, “është gomar”.

"Për sa i përket çështjes së korrigjimit unë një gjë e kam për të thënë: Hashim Thaçi është president i Kosovës dhe komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kush ngre dorën ndaj Hashim Thaçit duke e quajtur tradhtar, është një gomar. Të tjerat pastaj janë çështje që i takojnë debatit të brendshëm, çështje që i takojnë ndërtimit të një vizioni strategjik për të ardhmen e Kosovës”, tha Edi Rama.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se Kosova nuk do të lejojë që të humbë territor dhe do të mbetet në kufirin e shpalljes së pavarësisë me 17 shkurt, 2008.

“Kush mendon se merr tokë prej Kosovës e ka gabim, qoftë ai i Kosovës, i Shqipërisë apo kush do qoftë. Asnjë metër e Kosovës nuk merret më, a ke Ramushi, a ke Edi, a ke Hashimi a kushdo tjetër gabon rëndë. Kjo është tokë e shqiptarëve e larë me gjak. 17 shkurti nuk preket më dhe këtë duhet ta dinë të gjithë”, tha Haradinaj.

Tirana dhe Prishtina janë pajtuar që të krijojnë një fond të përbashkët për të ndihmuar funksionimin e politikës së jashtme, e cila do të ndihmonte integrimin e të dy shteteve në Bashkimin Evropian, deri në vitin 2025.

Ndryshe, ky është takimi i pestë i përbashkët i të dy qeverive. Herën e parë ato mbajtën takim të përbashkët në Prizren, në vitin 2014, ndërsa një vit më pas, në Tiranë është mbajtur takimi i dytë. Takimi i tretë në Prishtinë, kurse vitin e kaluar është mbajtur në qytetin e Korçës në Shqipëri.

Por, jo rrallë herë, të dy qeveritë janë kritikuar nga ekspertët se marrëveshjet e nënshkruara kanë mbetur vetëm në letër, pa u zbatuar në praktikë.

Marrëveshjet, protokollet dhe memorandumet e nënshkruara ndërmjet ministrive përkatëse të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, janë si më poshtë:

Marrëveshja për bashkëpunimin, nxitjen e biznesit dhe të informimit të diasporës, marrëveshja për njohjen reciproke të patentë shoferëve, protokolli për kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit doganor në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Morinë-Vërmicë, marrëveshja për bashkëpunim në fushën e borxhit publik, financimeve të huaja dhe marrëdhëniet me institucionet Financiare Ndërkombëtare, marrëveshja për heqjen e çmimeve të shërbimeve Roaming për rrjetet publike të komunikimeve të lëvizshme ndërmjet ministrive përgjegjëse për fushën e komunikimeve elektronike të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, marrëveshja për “Bashkëpunim në fushën e Rinisë, marrëveshja në fushën e shëndetësisë, protokolli për njohjen bilaterale dhe unifikimin e modeleve të certifikatave shëndetësore, veterinare dhe fito sanitare që do të shoqërojnë ngarkesat e kafshëve të gjalla, produkteve me origjinë shtazore dhe produktet bimore gjatë importit, eksportit dhe tranzitit midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës dhe Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Agjencisë për pronësinë industriale të Republikës së Kosovës dhe Drejtorisë së përgjithshme të pronësisë industriale të Republikës së Shqipërisë.

XS
SM
MD
LG