Ndërlidhjet

Haxhiu nënshkruan dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve serbë

E përditësuar
Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu.

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, njoftoi se ka nënshkruar dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, të cilët kishin dhënë dorëheqje nga sistemi i drejtësisë në vitin 2022.

“Me këtë akt përmbyllet një proces i zgjatur për vite me radhë dhe zbatohet vendimi i institucionit kompetent, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës”, shkroi Haxhiu në Facebook.

Këshilli Prokurorial i Kosovës refuzoi më herët këtë javë kërkesën e prorkurorëve për tërheqjen e dorëheqjeve, të paraqitura në nëntor të vitit 2022, kur zyrtarët serbë u larguan kolektivisht nga institucionet e Kosovës në veri të vendit.

Ky vendim u mor me propozimin e nënkryetarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Dardan Vuniqi, ndërsa për të hyrë në fuqi kërkohej dekreti i ushtrueses së detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu.

Haxhiu tha se “askush nuk mund të mbajë peng funksionimin e institucioneve” dhe “as të krijojë paqartësi juridike përmes proceseve të papërfunduara”.

Sipas saj, Republika e Kosovës “do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri, në përputhje me ligjin dhe në mbrojtje të integritetit të institucioneve të saj”.

Video nga arkivi: Çka u parapriu dorëheqjeve?

Ngjarjet që iu paraprinë tensioneve në veri
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:08:23 0:00

Qindra zyrtarë serbë dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022, pasi Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve të Kosovës e mbështetur nga Beogradi - u bëri thirrje përfaqësuesve serbë të largoheshin nga policia, gjyqësori, prokuroria dhe institucionet e tjera në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Largimi kolektiv ishte një formë proteste kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve me targa të lëshuara nga Serbia.

I kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë më 20 korrik, Këshilli Gjyqësor i Kosovës tha se ende nuk ka marrë vendim lidhur me kërkesat e gjyqtarëve serbë për tërheqjen e dorëheqjeve.

Ai siguroi se opinioni do të njoftohet me kohë, por nuk dha detaje se sa gjyqtarë dhe punonjës administrativë nga komuniteti serb në veri kanë kërkuar rikthimin në detyrë.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, më 15 korrik, Bashkimi Evropian tha se çështja është duke u trajtuar në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

XS
SM
MD
LG