Ndërlidhjet

Ende nuk dihet çfarë e shkaktoi helmimin masiv në Deçan


Dyshimet janë se qytetarët në Deçan janë helmuar nga uji.

Të paktën 428 pacientë kanë kërkuar ndihmë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan me simptoma të helmimit. Dyshimet zyrtare për shkakun e helmimit janë te një degë e furnizimit të ujësjellësit “Hidrodrini”.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK), ka bërë të ditur të hënën se nga gjashtë mostra të testuara të ujit, në dy prej tyre kanë gjetur koloni të dyshimta të baktereve.

Megjithatë, sipas drejtorit të IKSHPK-së, Naser Ramadani, testimet duhet të vazhdohen të bëhen në laborator dhe shkaku i saktë i këtij helmimi nuk është përcaktuar ende.

Në anën tjetër, Prokuroria e Pejës, ka njoftuar se ka nisur hetimet lidhur me shkaqet e këtij helmimi ndërsa Ministria e Shëndetësisë, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Deçanit që të mos konsumojnë ujin nga "Hidrodrini" derisa të përcaktohet shkaku i helmimit.

"Uji në rubineta nuk është i pastër"

Marramendje e të vjella i kapluan edhe gjashtë anëtarë të familjes Lushaj nga fshati Shaptej në Deçan të dielën, më 11 korrik.

Shkumbin Lushaj thotë se uji në rubinetin e shtëpisë, që furnizohet nga ujësjellësi, nuk është i pastër tash e një javë, ndërsa që nga dita e shtunë, kanë vërejtur simptoma të lehta të helmimit.

“Kemi që disa ditë që uji nuk po vije normalisht i pastër, por është i turbulluar. Të shtunën në mbrëmje filluan disa prej simptomave, por nuk i mora si serioze. Ndërsa të dielën filloi marramendja, vjellja, diarreja... të cilat përveç meje i prekën edhe të gjithë anëtarët e familjes time”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

Lushaj është njëri ndër qindra banorë të disa fshatrave në Deçan, që përjetuan simptoma të ngjashme, duke ngritur alarmin te stafi mjekësor në QKMF.

Sipas të dhënave zyrtare, shqetësime u shfaqën nga banorët e fshatrave Prejlep, Rastavicë, Irzniq, Gllogjan, Shaptej, Gramaqel, Baballoq, Ratishë dhe Jasiq i ri.

Edhe Zenel Kadrijaj nga fshati Rastavicë, tregoi për Radion Evropa e Lirë se ditëve të fundit, kishin vërejtur ndryshime në dukjen e ujit të pijes.

“Tek uji e kemi vërejtur që e ka pasur ngjyrën më të mbyllur dhe një natë më pas ka pasur sasi të madhe të klorit”, tha ai.

Kadrijaj tha se bashkëshortja dhe vajza e tij përjetuan simptoma më të rënda nga helmimi.

Ujësjellësi ndërpreu ujin deri në publikimin e rezultateve të testimit

Qendra e Mjekësisë Familjare në Deçan që nga dita e shtunë, ngrehu alarmin për numër të pazakontë të pacientëve, me simptoma të ngjashme.

Drejtori i kësaj qendre, Selmon Berisha tha për Radion Evropa e Lirë se pasi e kishin lajmëruar Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, ata erdhën dhe morën mostrat e ujit për të bërë analizën kimike dhe biologjike.

“Analizat kimike ka rezultuar në rregull ndërsa analizat biologjike janë në përpunim e sipër. Po ashtu, gjatë gjithë kohës e kemi angazhuar laboratorin tonë dhe analizat e pacientëve rezultojnë që janë helmime bakteriologjike”, tha ai.

Deri sa rezultatet e analizave të fundit të këtij uji nuk kanë dalë ende, që nga e diela në mbrëmje, ujësjellësi rajonal “Hidrodrini” ka bërë ndërprerjen e furnizimit me ujë në zonat e dyshuara për helmim masiv.

Ujësjellësi “Hidrodrini” ka bërë apel për kujdes, por duke thënë se “deri në arritjen e rezultateve, nuk mund të konstatohet asgjë në zbardhjen e dyshimeve për ujë të helmuar ose jo”.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj në një konferencë për media tha se janë duke bërë përpjekje maksimale për gjetjen e shkaqeve të këtij helmimi dhe deri më tani të gjitha dyshimet janë vetëm hipoteza.

Sipas tij, kanë dyshime edhe për një skemë të qëllimshme. Ai nuk elaboroi për këtë, por tha se duhet t’i lihet organeve të hetuesisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG