Ndërlidhjet

Hill: Serbia të mendojë nëse “pozicioni neutral” është i qëndrueshëm


Christopher Hill, ambasadori amerikan në Serbi, 19 prill 2022.
Christopher Hill, ambasadori amerikan në Serbi, 19 prill 2022.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, më 13 qershor, deklaroi se Serbia duhet të mendojë se ku qëndron e ardhmja e saj dhe nëse “ky pozicion neutral” i Beogradit zyrtar është i qëndrueshëm.

Ai tha se në këtë mënyrë, Serbia duhet të marrë vendimin e vet.

Hill u tha gazetarëve në Beograd se ajo që ndodhi në Ukrainë “është sulm brutal ndaj atij vendi dhe vazhdimi i vrasjes së civilëve, është diçka krejtësisht e papranueshme në këtë shekull”.

Ai shtoi se një zhvillim i tillë nuk është parë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

Pushtimi rus i Ukrainës

REL ju sjell informacionet kryesore mbi pushtimin rus të Ukrainës, përfshirë analiza, video dhe fotogaleri.

“Të gjithë jemi të vetëdijshëm se bota ka ndryshuar që nga shkurti dhe se ne të gjithë duhet të mendojmë sërish se ku jemi, cili është pozicioni ynë dhe ku duam të jemi në të ardhmen”, tha ai.

I pyetur se cili duhet të jetë prioriteti (për Serbinë) në këtë moment – vendosja e sanksioneve kundër Rusisë apo normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, Hill u përgjigj se këto janë çështje për autoritetet serbe.

“Unë mendoj se kjo është pyetja që duhet t’ua bëni përfaqësuesve të qeverisë suaj, unë përfaqësoj qeverinë amerikane këtu dhe nuk jam këtu për të dhënë këshilla, kështu që ju duhet të gjeni me autoritetet serbe përgjigjet për këto pyetje “, tha Hill.

Serbia ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës në Kombet e Bashkuara, ndërkaq në Komitetin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut votoi për përjashtimin e Rusisë nga ky trup ndërkombëtar.

Megjithatë, zyrtarët serbë kanë përmendur vazhdimisht se Serbia nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë, për shkak të lidhjeve miqësore me atë vend, si dhe për shkak të varësisë energjetike nga Rusia dhe qëndrimit të Kremlinit për të mos njohur pavarësinë e Kosovës.

Vendet e Bashkimit Evropian, si dhe SHBA-ja, i kanë kërkuar vazhdimisht Beogradit zyrtar që të harmonizojë politikën e tij të jashtme me atë të Perëndimit.

Serbia është vend kandidat për anëtarësim në BE.

XS
SM
MD
LG