Ndërlidhjet

Përmes peticionit qytetarët kundërshtojnë homologimin


Prishtinë, foto nga arkivi.
Prishtinë, foto nga arkivi.

Pas thirrjeve të përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian që Kosova të ndalë praktikën e monopolit në tregun e veturave, siç është rasti me homologimin, edhe qytetarët kanë ndërmarrë një nismë përmes një peticioni, me të cilin kërkojnë të ndërpritet kjo praktikë.

Peticioni është i nënshkruar nga 10 mijë qytetarë të Kosovës dhe i është dorëzuar Kuvendit të Kosovës.

Në këtë peticion thuhet se “nuk ka nevojë që 99 për qind e qytetarëve të paguajnë kot, për shkak se një (1) për qind tjetër importon vetura të pastandardizuara. Prandaj, rruga e duhur është që obligimi ligjor për homologim të hiqet në tërësi”.

Hekuran Murati, i cili kishte filluar këtë peticion në platformën online tre javë më parë, tha se nënshkruesit e këtij peticioni, kërkojnë që të mos plaçkiten përmes homologimit. Sipas tij, kompania që momentalisht kryen këtë veprimtari, nuk bën asgjë më shumë nga ajo çfarë do të mund të bënte vetë Dogana.

“Kërkesa jonë është që obligimi për homologim të hiqet në tërësi për shkak se është vetëm një plaçkë për qytetarët. Aty nuk bëhet kurrfarë homologimi, qytetarët mashtrohen, pra nuk ka homologim aty. Në atë kompani krejt çka bëhet është verifikimi i të dhënave të veturës në krahasim me librezën që posedon ajo veturë dhe për këtë plaçkë qytetarëve iu merren nga 100 euro”, tha Murati.

Ai tha se është koha që deputetët të tregojnë se janë me të vërtetë përfaqësues të popullit. Muajin e kaluar, Kuvendi pati miratuar një rezolutë kundër monopolit, me theks të veçantë në fushën e homologimit.

“Shpresoj që deputetët e Kuvendit do ta marrin parasysh këtë kërkesë dhe këtë vullnet të qytetarëve dhe tash e tutje duhen së paku gjashtë deputetë, do të thosha gjashtë heronj, që e çojnë këtë punë përpara dhe e sponsorizojnë këtë projektligj, që do të bënte këtë ndryshim të nevojshëm të ligjit për automjete”, tha Murati.

Sipas organizatorëve të këtij peticioni, arsyeja pse qytetarët paguajnë 125 euro për homologim nuk është për shkak të mungesës së konkurrencës, por për shkakun se Ministria e Infrastrukturës e ka përcaktuar atë çmim.

Ndërsa, Argjend Zejnaj, shef i kabinetit në Ministrinë e Infrastrukturës, që drejtohet nga Pal Lekaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se shumë shpejt do të fillohet më plotësim-ndryshimin e akteve ligjore që e rregullojnë fushën e homologimit.

“Homologimi është bërë pa nevojë temë më shumë politike se profesionale, çka edhe do të duhej të konsiderohej në fakt nga secili politikan. Së shpejti do të fillohet me plotësim ndryshimin e akteve ligjore që e rregullojnë këtë fushë dhe pastaj edhe në bazë të matjeve në terren do të shihet nevoja për më shumë ofrues të këtij shërbimi edhe sa i përket çmimit do të bisedohet po ashtu në një të ardhme shumë të afërt”, tha Zejnaj.

Për çështjen e monopolit të tregut të veturave kanë reaguar edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Philip Kosnett dhe shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Ata i kanë bërë thirrje Qeverisë të veprojë shpejt për zbatimin e rezolutës së Kuvendit të Kosovës për eliminimin e rasteve të monopolit në treg, siç është rasti me homologimin e veturave.

Më 2017, edhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës kishte konstatuar shkelje ligjore në fushën e homologimit dhe i kishte rekomanduar Ministrisë së Infrastrukturës të rishikojë dhe të bëjë ndryshime në dispozitat ligjore që e rregullojnë këtë fushë.

Në vitin 2008, atëkohë Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, kishte nënshkruar kontratë ekskluzive me kompaninë “EuroLab” për homologimin e automjeteve që regjistrohen për herë të parë në Kosovë, duke e autorizuar kompaninë në fjalë si të vetmen për këtë veprimtari, për periudhën 2009-2019.

XS
SM
MD
LG