Ndërlidhjet

Përshkallëzohet situata në Hong Kong


Protestat në Hong Kong.
Protestat në Hong Kong.

Hong Kongu është përfshirë sërish në dhunë, pasi të dielën në mbrëmje dhjetëra burra të maskuar sulmuan një stacion treni.

Sulmuesit, të veshur me bluza të bardha dhe të dyshuar si gangster, sulmuan protestuesit pro-demokraci dhe kalimtarët në zonën e Yuen Long.

Ky lloj i dhunës nuk është parë që nga fillimi i demonstratave kundër një ligji të ekstradimit që kanë nisur javë më parë.

Disa ligjvënës janë marrë në pyetje për arsyen e arritjes me vonesë të policisë në vendngjarje.

Ligjvënësi, Lam Cheuk-ting tha se policia ishte vonuar më shumë se një orë për të arritur.

Në një video të postuar në rrjetet sociale, shfaqet një grup njerëzish teksa sulmojnë me shufra metalike dhe shkopinj druri personat që gjendeshin brenda stacionit së trenit. Nga ky incident, raportohet se janë plagosur 45 vetë, një prej tyre ka pësuar lëndime të rënda.

Udhëheqësja e Hong Kongut, Carrie Lam, u tha gazetarëve se sulmet e bandës ishin “tronditëse”. Ajo gjithashtu dënoi protestuesit për dëmtimin e zyrës kryesore të Kinës në Hong Kong.

Kush janë sulmuesit?

Ende nuk dihet kush e organizoi sulmin. Një ligjvënës i opozitës tha se turma kishte lidhje me rrjetet e krimit të organizuar.

“A është Hong Kong tani duke lejuar që të sulmohen me armë njerëzit në rrugë", pyeti ai.

Policia tha se nuk ka kryer ndonjë arrestim dhe se ende po zhvillonin hetime.

Disa nga sulmuesit nuk dukeshin shumë të shqetësuar për maskimin e identitetit të tyre, duke postuar personalisht video në internet, para dhe pas sulmit, raporton BBC.

Çfarë po ndodh në Hong Kong?

Në fillim të qershorit, dhjetëra mijëra njerëz marshuan në rrugët e Hong Kongut për të kundërshtuar një projektligj, që kritikët thoshin se mund t’i lejojë Kinës që të shënjestrojë kundërshtarët politikë në këtë territor.

Projektligji kundërthënës i ekstradimit, do të lejonte që kriminelët e dyshuar të mund të dërgoheshin në Kinë për gjykim.

Më 15 qershor Qeveria e Hong Kongut e anuloi miratimin e projektligjit.

Shefja ekzekutive e Hong Kongut, Carrie Lam, njoftoi se projektligji do të suspendohet dhe rishikohet.

Hong Kongu i është dorëzuar Kinës nga Britania, në vitin 1997.

Sipas parimit të ashtuquajtur "një shtet, dy sisteme", Hong Kongu ka pavarësinë e tij gjyqësore, legjislaturën e tij, sistemin e tij ekonomik dhe dollarin e tij.

Pekini, ndërkaq, ruan kontrollin e çështjeve të jashtme dhe të mbrojtjes.

Sipas një shkrimi të gazetës britanike Guardian, përshkallëzimi i protestave në Hong Kong paraqet sfidë personale për sundimin autokratik të presidentit kinez, Xi Jinping.

Gazeta pati shkruar se Xi, tash për tash, është distancuar nga trazirat në Hong Kong, porse këmbëngulja e protestës mund ta detyrojë atë të angazhohet në zgjidhjen e krizës.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kohë më parë shprehu mbështetjen e tij për protestuesit.

Ai tha se demonstruesit "kërkojnë demokraci" dhe shtoi se "për fat të keq, disa qeveri nuk duan demokraci".

Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Jeremy Hunt, pati shprehur mbështetje "të palëkundur" për Hong Kongun dhe liritë e tij, por kërkoi përmbajtje nga protestuesit.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG