Ndërlidhjet

Hoyt Yee bisedoi me liderët politikë rreth punës së institucioneve


Hoyt Yee takohet me liderët politikë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:16 0:00

Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee, përgjegjës për çështje evropiane dhe euro-aziatike, po viziton Kosovën.

Ai ka zhvilluar takimin e parë me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Në një komunikatë të lëshuar nga Zyra e Presidentit Thaçi, thuhet se në këtë takim, është biseduar për marrëdhëniet bilaterale, rolin e SHBA-së në rajon, perspektivën euroatlantike të Kosovës, dialogun me Serbinë dhe çështje të tjera me interes të përbashkët.

Me këtë rast, presidenti Thaçi ka thënë se vazhdimi i mbështetjes së SHBA-së për Kosovën dhe rajonin, mbetet çelës për paqe e stabilitet të qëndrueshëm.

“Jemi mirënjohës për përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-së në të gjithë sektorët e jetës në Kosovë”, ka shtuar presidenti.

Presidenti ka njoftuar zëvendës ndihmës Sekretarin Yee për sukseset më të fundit të Kosovës, zgjedhjet komunale dhe betimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komuniteti jo shumicë.

“Zgjedhjet komunale janë një dëshmi tjetër e pjekurisë politike të Kosovës, ndërsa dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve është një hap i madh drejt forcimit të sistemit të drejtësisë dhe konsolidimit të integritetit shtetëror të Kosovës”, u shpreh presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi ka thënë po ashtu se përmbyllja e procesit të liberalizimit të vizave, përmbyllja e dialogut me Serbinë dhe transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës, mbesin prioritete konkrete, pa lënë anash prioritetet e përhershme që janë ekonomia dhe forcimi i sundimit të ligjit.

Nga ana tjetër, zëvendës ndihmës Sekretari i Shtetit, përgjegjës për çështjet evropiane dhe euroazi, Hoyt Brian Yee, ka thënë se SHBA-ja do të vazhdojë mbështetjen e gjithëmbarshme për Kosovën.

“Perspektiva evropiane për Kosovën, si dhe për tërë rajonin, janë prioritete të SHBA-së”, citohet të ketë thënë Yee.

Në këtë takim është biseduar edhe për luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit, ku u vlerësua se Kosova është lider në rajon në luftimin e terrorizmit.

Ndërkohë, Yee ka takuar edhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli si dhe kryeministrin Ramush Haradinaj.

Në komunikatën e lëshuar nga Kuvendi i Kosovës, thuhet se kryetari i këtij institucioni, Kadri Veseli ka biseduar me diplomatin amerikan për punën e institucioneve të Kosovës në avancimin e shumë proceseve në vend, si dhe bashkëpunimin rajonal.

Kryetari Veseli theksoi se Kuvendi po vazhdon të kryejë obligimet kushtetuese dhe në të ardhmen do të intensifikojë punën e vet në shtyrjen përpara të shumë vendimeve të rëndësishme për qytetarët e Kosovës, thuhet në komunikatë.

Nga ana e tij, Hoyt Brian Yee theksoi nevojën e përshpejtimit të agjendës evropiane për vendin dhe vlerësoi përkushtimin e Kosovës në përmbushjen e detyrave që ka", thuhet në komunikatë.​

Zyrtari amerikan do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të minoriteteve dhe përfaqësues tjerë politikë në Kosovë.

Kjo është vizita e parë e një zyrtari të lartë të Shteteve të Bashkuara që nga zgjedhja e institucioneve të reja qendrore të Kosovës, përkatësisht Qeverisë dhe konstituimit të Kuvendit.

Para se të vijë në Prishtinë, Hoyt Brian Yee ka qëndruar edhe në Beograd. Atje, ka takuar edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Sipas një komunikate të lëshuar nga Zyra e Presidentit të Serbisë, thuhet se Yee ka shprehur brengosjen e tij për shkak të perceptimit se Serbia me një këmbë është e orientuar kah BE-ja e me tjetrën kah Rusia, duke shfaqur shqetësimin për shkak të ndikimit rus në rajon.

Diplomati amerikan kishte potencuar se përparimet e Serbisë në fushën e të drejtave të njeriut, lirisë së medieve dhe normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, janë vendimtare në rrugën e Serbisë për anëtarësim në BE.

Ai u ka kërkuar sërish autoriteteve të Serbisë të zbardhin rastin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi në vitin 1999 dhe djegien e ambasadës së SHBA-së, në Beograd në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG