Ndërlidhjet

HRW: Aktgjykimi dënues ndaj katërshes së UÇK-së, hap drejt drejtësisë për viktimat

Logo e Human Rights Watch. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Logo e Human Rights Watch. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch (HRW) e cilësoi aktgjykimin dënues ndaj katër ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si “hap të rëndësishëm drejt përgjegjësisë për viktimat” në luftën në Kosovë më 1998-99.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u dënua me 25 vjet burgim për krime lufte. Dënim i njëjtë iu shqiptua edhe ish-kryeparlamentarit, Jakup Krasniqi. Ish-deputeti Rexhep Selimi u dënua me 13 vjet burgim, ndërkaq ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, u dënua me 18 vjet burgim.

Të katërt u shpallën fajtorë për katër akuzat për krime lufte: arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Ata u liruan nga gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit.

“Vendimi dërgon mesazh të rëndësishëm te viktimat dhe familjarët e tyre se edhe udhëheqës të fuqishëm nuk mund t’i shmangen drejtësisë”, tha Hugh Williamson, drejtor për Evropën dhe Azinë Qendrore në HRW.

“Gjetjet e gjykatës vënë në pah se përgjegjësia për krime serioze të luftës duhet të vlejë për të gjithë, pavarësisht pozitave të tyre”, shtoi ai.

HRW shtoi se ky aktgjykim, që është i shkallës së parë, vjen kur përgjegjësia për krimet e kryera në luftën në Kosovë është e papërmbyllur, përfshirë krimet e kryera nga forcat serbe dhe jugosllave.

“Siç ka dokumentuar Human Rights Watch, forcat serbe dhe jugosllave ishin përgjegjëse për krime sistematike dhe të përhapura gjatë konfliktit përfshirë torturë, vrasje, përdhunim dhe dëbim me forcë”, u tha në njoftimin e organizatës.

HRW kujtoi se ish-presidenti serb, Sllobodan Millosheviq dhe shtatë zyrtarë të tjerë të lartë serbë dhe jugosllavë, u gjykuan nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavi.

“Një person u shpall i pafajshëm dhe gjashtë të tjerë u dënuan. Millosheviqi vdiq gjatë procesit gjyqësor. Disa zyrtarë serbë dhe jugosllavë, të dënuar nga tribunali i Kombeve të Bashkuara, janë nderuar publikisht më pas në Serbi, duke nënvizuar nevojën e vazhdueshme që liderët politikë në Serbi dhe në rajon t’i pranojnë faktet e dokumentuara për krimet e luftës dhe të mbështesin përgjegjësinë për to”, tha HRW.

Organizata për të drejtat e njeriut po ashtu tha se në gjykatat serbe janë dënuar 17 persona me vendim të plotfuqishëm për krime lufte në Kosovë, përfshirë 15 serbë.

“Ndjekjet penale në Serbi gjerësisht janë përqendruar në zyrtarë të nivelit të lartë e jo te zyrtarët e lartë ushtarakë e policorë. Megjithatë, për shumicën dërrmuese të krimeve të luftës, askush nuk është mbajtur përgjegjës. Aktgjykimi i 16 shtatorit duhet të nxisë përpjekje të reja për të vendosur drejtësi për të gjitha viktimat e luftës në Kosovë”, tha HRW.

Kush, si u dënua për krime lufte në Kosovë?
Kush, si u dënua për krime lufte në Kosovë?
128 vjet burgim për shqiptarët, 107 për serbët. Këto janë dënimet e shqiptuara nga gjykatat me seli në Hagë, me korniza të ndryshme juridike, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë.

Katër ish-eprorët e UÇK-së gjenden në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020 kur u bë publike aktakuza ndaj tyre.

Aktgjykimi ndaj tyre u shpall pas dëshmimit të 273 dëshmitarëve dhe vlerësimit të afër 5.500 materialeve.

Trupi gjykues konstatoi se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi, së bashku me persona të tjerë në udhëheqjen e UÇK-së, kishin si qëllim pavarësinë e Kosovës dhe vendosjen e kontrollit politik e institucional mbi një Kosovë të pavarur.

Sipas Gjykatës në Hagë, për realizimin e këtyre objektivave, ata kishin një qëndrim të përbashkët se disa persona që konsideroheshin pengesë për qëllimet e tyre duhej të “shënjestroheshin”, “eliminoheshin” ose “neutralizoheshin”.

Këta persona thuhet se përfshinin, ndër të tjera, anëtarë ose përfaqësues të forcave të tjera politike dhe ushtarake, veçanërisht persona të lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), persona që konsideroheshin të lidhur me autoritetet serbe, si dhe pjesëtarë të komuniteteve rome dhe serbe.

Gjykata konstatoi se ky qëllim i përbashkët ishte zbatuar përmes vrasjeve, arrestimeve dhe ndalimeve pa proces të rregullt ligjor, si dhe keqtrajtimit fizik e psikologjik, frikësimit dhe përdorimit të asaj që në aktgjykim quhet “luftë speciale”.

Trupi gjykues tha se të katërt kishin dhënë kontribut të qenësishëm në zbatimin e një qëllimi të përbashkët kriminal dhe mbi këtë bazë i gjeti penalisht përgjegjës për katër akuza për krime lufte.

Ekipet mbrojtëse kanë paralajmëruar se do ta apelojnë vendimin, proces që kanë argumentuar se mund të marrë vite kohë.

XS
SM
MD
LG