Ndërlidhjet

HRW i kërkon Iranit të lirojë protestuesit e ndaluar


Flamuri iranian.
Flamuri iranian.

Organizata ndërkombëtare për të drejta të njeriut, Human Rights Watch (HRW), u ka bërë thirrje autoriteteve iraniane që “menjëherë dhe pa kushte” të lirojnë personat e ndaluar gjatë protestave kundër mungesave të ujit dhe problemeve ekonomike në provincën Kuzestan dhe provincat tjera, si dhe të hetojnë forcën vdekjeprurëse.

Protestat kanë nisur më 15 korrik në dhjetëra qytete dhe qyteza në Kuzestan, provincë me popullsi kryesisht etnike arabe, dhe më vonë janë zgjeruar në rajone tjera në Iran, përfshirë disa pjesë të Teheranit.

Pakënaqësitë janë rritur në kohën kur Irani po përballet me nivelet më të larta të thatësisë në 50 vjetët e fundit, dhe për pasojë rajone të tëra kanë mbetur pa energji elektrike.

Mijëra punëtorë të industrisë së naftës në Iran, po ashtu kanë mbajtur greva, duke kërkuar paga më të mira dhe kushte më të mira për punëtorët.

Të paktën nëntë protestues janë raportuar të jenë vrarë dhe shumë të tjerë janë ndaluar gjatë protestave.

“Numri i viktimave dhe arrestimeve masive rrit shqetësimet për përgjigjen e autoriteteve iraniane ndaj protestave të fundit në Kuzestan dhe provinca tjera, ka thënë HRW, përmes një deklarate më 30 korrik.

Përveç thatësisë, ekonomia e Iranit është goditur rëndë edhe nga sanksionet amerikane dhe pandemia e koronavirusit. Inflacioni është mbi 50 për qind në baza vjetore, dhe niveli i papunësisë është duke u rritur.

Disa persona duke protestuar në Kuzestan, për shkak të mungesës së energjisë elektrike.
Disa persona duke protestuar në Kuzestan, për shkak të mungesës së energjisë elektrike.

“Përgjigja fillestare e liderëve politikë të Iranit ndaj protestave për më shumë të drejta, ka qenë shtypja e pakontrolluar”, ka thënë Tara Sepehri Far, hulumtuese iraniane në HRW.

Nga Kuzestani, protestat janë zgjeruar edhe në provinca tjera përfshirë, Isfahan, Lorestan, Azerbajxhan Lindor, Teheran dhe Karaj.

Human Rights Watch dhe grupe tjera për të drejta të njeriut kanë verifikuar identitetet e të paktën nëntë personave, të cilat janë qëlluar për vdekje apo kanë vdekur nga plagët gjatë protestave, duke përfshirë një 17-vjeçar.

HRW ka thënë se të paktën 171 persona janë arrestuar, duke shtuar se numri aktual i të vdekurve mund të jetë më i lartë.

Ky grup u ka bërë thirrje vendeve anëtare të Këshillit për të Drejta të Njeriut në Kombet e Bashkuara që të nisin hetime rreth dyshimeve për dhunë serioze gjatë dhe pas protestave.

“Vetëm një hetim transparent rreth vdekjeve të protestuesve, duke mbajtur përgjegjese forcat e sigurisë dhe përkushtimi për të adresuar ankesat afatgjata mund të jetë pikënisje rreth trajtimit të humbjes së besimit të popullsisë ndaj autoriteteve”, ka thënë HRW, organizatë me bazë në Nju Jork.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG