Ndërlidhjet

Qytetarët iranianë - “të pashpresë dhe të pakënaqur”


Pamje nga protestat në Khuzestan. Korrik, 2021.

Analistët thonë se dëshpërimi ekonomik dhe zhgënjimi në rritje në shoqëri kanë shkaktuar protesta në të gjithë Iranin.

Fillimisht, ato kanë shpërthyer në provincën jugperëndimore Khuzestan, për shkak të mungesës së ujit.

“Nëse shoqëria nuk do të ishte e pashpresë, ajo nuk do të dilte në rrugë, nuk do të reagonte, pakënaqësia e saj nuk do të rezultonte në protesta”, thotë për Radion Evropa e Lirë sociologu Saeed Madani, me qendër në Teheran.

Ditëve të fundit, mijëra njerëz kanë protestuar ndaj mungesës së ujit në Khuzestan, që është shkaktuar nga thatësira e rëndë dhe është përkeqësuar nga menaxhimi i dobët i burimeve natyrore.

Banorët atje, përfshirë komunitetin e madh arab, janë ankuar prej kohësh për trajtimin e tyre si qytetarë të klasës së dytë.

Në këtë provincë gjenden rreth 80 për qind e fushave të naftës në Iran dhe 60 për qind e rezervave të gazit natyror.

Por, banorët atje thonë se nuk përfitojnë nga këto pasuri, porse përballen me ndotje, shkatërrim të ligatinave dhe mungesa uji.

Autoritetet thonë se mbi 700 fshatra në rajon përballen me qasje të vështirë në ujë dhe se shumë banorë atje e sigurojnë ujin vetëm nga cisternat që shpërndan qeveria.

Sipas burimeve lokale dhe grupit Netblocks, që monitoron qasjen në internet në të gjithë botën, Qeveria iraniane u është përgjigjur protestave në Khuzestan me forcë dhe me ndërprerje të internetit.

Kjo taktikë përdoret nga Teherani për të parandaluar organizimin e protestuesve, si dhe për të kufizuar rrjedhën e lirë të informacionit.

Organizata për të drejtat e njeriut Amnesty International ka thënë më 23 korrik se forcat e sigurisë kanë përdorur “armë vdekjeprurëse automatike, armë gjahu me municione dhe gaz lotsjellës” për t’i shpërndarë protestuesit.

Sipas organizatës me seli në Londër, së paku tetë protestues dhe kalimtarë të rastit, përfshirë një adoleshent, janë vrarë në qytete të ndryshme të provincës.

Të pafajshëm dhe të etur

Protestat në Khuzestan, që kanë shpërthyer më 15 korrik dhe kanë zgjatur gati një javë, kanë nxitur qytetarë në provinca dhe qytete të tjera të dalin në rrugë, për të shprehur solidaritet me banorët e Khuzestanit.

Ata kanë shfryer zemërimin e tyre me establishmentin klerik, ndërsa udhëheqësin suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, e kanë quajtur diktator.

Shumë gazetarë, avokatë, disidentë, artistë dhe iranianë të tjerë kanë bërë kohëve të fundit deklarata dhe komente në mbështetje të Khuzestanit, ndërsa kanë dënuar shtypjen nga autoritetet.

Një grup aktivistësh, përfshirë avokaten e shquar të të drejtave të njeriut, Narges Mohammadi, janë ndaluar për disa orë më 20 korrik, pasi kanë organizuar një tubim paqësor jashtë Ministrisë së Brendshme, për të shprehur shqetësimin e tyre për përdorimin e forcës kundër “njerëzve të pafajshëm dhe të etur” të Khuzestanit.

Më 27 korrik, protesta janë raportuar në Teheran dhe Karaj - në perëndim të kryeqytetit - ku protestuesit kanë thirrur slogane kundër establishmentit dhe udhëheqësve të tij, ndërsa kanë përmendur në mënyrë specifike Khamenein.

“Mullai duhet të humbasë”, kanë brohoritur protestuesit në Teheran.

Zëvendësguvernatori i Teheranit, Hamidreza Goodarzi, ka konfirmuar protestën në qytet, ndërsa ka thënë se arsye për të ishte “një mungesë e energjisë elektrike”.

Pretendimet e tij janë pritur me kritika dhe sarkazëm në mediat sociale.

“Le të supozojmë se keni të drejtë dhe se protesta në Teheran ishte për ndërprerjet e energjisë elektrike. Çfarë establishmenti i mjerueshëm [duhet të jetë] ai, që kur ka një ndërprerje të energjisë elektrike ose kur metroja vonohet, [njerëzit] brohorisin kundër autoritetit të tij më të lartë dhe [vënë në dyshim] të gjithë sistemin”, ka shkruar në Twitter aktivisti me qendër në Teheran, Hossein Razzagh.

Protestat në mbështetje të Khuzestanit janë raportuar gjithashtu në Isfahan, Tabriz, Bojnourd, Saghez dhe qytete të tjera të mëdha në Iran.

“Zëri i shoqërisë është i lartë. Khuzestani ka një zë të lartë”, thotë sociologu Madani, duke shtuar se iranianët duan të dëgjohen.

Sipas tij, klasa e mesme e vendit - e cila është tkurrur për shkak të përkeqësimit të ekonomisë nga sanksionet amerikane - nuk do që të shohë dhunë.

“Klasa e mesme shmang dhunën dhe beson se ndryshimi duhet të vijë nga një rrugë jo e dhunshme”, thotë Madani.

Shumë iranianë kanë sinjalizuar pakënaqësinë e tyre me udhëheqësit, duke bojkotuar zgjedhjet presidenciale që janë mbajtur në qershor, e që kanë rezultuar me fitoren e klerikut të vijës së ashpër, Ebrahim Raisi.

Pjesëmarrja prej 48.8% në zgjedhje ka qenë më e ulëta ndonjëherë në Republikën Islamike, e cila është krijuar në vitin 1979.

Autoritetet kanë skualifikuar qindra kandidatë të mundshëm, përfshirë rivalët seriozë të Raisit.

Trajtimi i pandemisë së koronavirusit nga ana e Qeverisë iraniane dhe fushata e ngadalshme e vaksinimit kanë shkaktuar gjithashtu zhgënjim te qytetarët.

Irani aktualisht është duke u përballur me rritje të numrit të rasteve me koronavirus, për shkak të përhapjes së variantit më ngjitës Delta.

Hatam Ghaderi, profesor i shkencave politike në Teheran, thotë se vazhdimi i “rrugës aktuale të iracionalitetit” mund të çojë në një kolaps të establishmentit iranian.

“Republika Islamike po i intensifikon gabimet”, thotë ai.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG