Ndërlidhjet

Biletë pa kthim e të rinjve nga Kosova drejt Gjermanisë


Erijoni së bashku me babanë e tij, Ismetin.
Erijoni së bashku me babanë e tij, Ismetin.

Erijon Shala nga Istogu - qytet në pjesën perëndimore të Kosovës - synon të largohet drejt Gjermanisë.

I shoqëruar nga prindërit e tij, 19-vjeçari, me profesion automekanik, aplikoi për vizë pune në Ambasadën gjermane në Prishtinë, më 15 shkurt.

Teksa foli për Radion Evropa e Lirë, ai tha se nuk mund të punojë më për 15 euro në ditë.

Erijon Shala po pret përgjigjen e Ambasadës gjermane në Prishtinë lidhur me vizën e punës.
Erijon Shala po pret përgjigjen e Ambasadës gjermane në Prishtinë lidhur me vizën e punës.

“Për më shumë se tetë orë punë jam paguar 15 euro, atje [në Gjermani] do të paguhem 17 euro për orë”, tha Erijoni.

Në dokumentet që kishte mbledhur për të aplikuar për vizë, kishte edhe një kontratë pune. Atë tha se ia ka siguruar një familjar i tij, që udhëheq një kompani për rregullimin e makinave, në qytetin Hajllbron të Gjermanisë.

Erijoni do të presë një javë përgjigjen e Ambasadës për vizë.

Prindërit e tij, edhe pse të brengosur për të, thanë se kjo është e vetmja mënyrë që Erijoni të bëjë një jetë më të mirë dhe t’i ndihmojë ata dhe vëllain e tij.

“Nuk e kam menduar që do të bëhet kështu, por tash nuk kam çfarë të bëj, më vështirë nuk ka ku shkon”, tha babai i tij, Ismet Shala, veteran i luftës në Kosovë.

Të martën e 15 shkurtit, kur REL qëndroi para Ambasadës gjermane në Prishtinë, aty gjendeshin dhjetëra qytetarë - kryesisht të rinj - që prisnin të aplikonin për vizë.

Edhe pse shumë prej tyre nuk deshën të flasin hapur, disa thanë se situata ekonomike, kushtet jo të mira të punës dhe pagat e ulëta i detyrojnë të largohen nga Kosova.

“Jam lënduar në vendin e punës dhe nuk kam marrë asnjë kompensim nga punëdhënësi. Edhe pse kam probleme me këtë këmbë të lënduar, unë do të shkoj të punoj në Gjermani dhe nuk dua të jetoj e as të punoj më në Kosovë”, tha një qytetar që nuk pranoi të identifikohej.

Gjermania është shteti më i popullarizuar për qytetarët e Kosovës, kur bëhet fjalë për lëshimin e vizave të punës. Atje është e përqendruar pjesa më e madhe e diasporës së Kosovës.

REL kërkoi të dhëna nga Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë për numrin e aplikimeve për viza pune dhe për numrin e vizave të lëshuara gjatë vitit të kaluar, por, deri në publikimin e këtij teksti, nuk mori përgjigje.

Sipas raportimeve të mediave në Kosovë, vetëm në dhjetor të vitit të kaluar dhe në janar të këtij viti, mbi 100,000 qytetarë kanë aplikuar për vizë pune në këtë ambasadë.

Në muajin janar, Qeveria gjermane njoftoi se do të hapë 300,000 vende të punës për të huajt.

“Me qëllim që të shmanget mungesa e punëtorëve, në Gjermani duhet të ndodhë një migrim i shkallës së gjerë”, tha zëvendëskancelari gjerman, Robert Habeck.

Mbi 43,000 emigrantë në dy vjet

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), numri i emigrantëve kosovarë në vitin 2020 ka qenë 8,724 - apo 0.49% e popullsisë rezidente.

Në këtë numër janë përfshirë të gjithë emigrantët, pa marrë parasysh arsyen e migrimit dhe statusin e tyre - legal apo ilegal.

Bashkimi familjar, gjetja e një vendi pune dhe shpërngulja e përhershme janë përmendur si arsye të emigrimit.

Si destinacione të emigrantëve nga Kosova janë identifikuar: Gjermania, Franca, Austria, Kroacia e shtete të tjera.

Në vitin 2019, përpara se të niste pandemia e koronavirusit, numri i emigrantëve kosovarë, sipas ASK-së, ka qenë shumë më i lartë: 34,911.

Të dhënat për vitin 2021 nuk janë publikuar ende.

Një anketë e Institutit Republikan Ndërkombëtar, me seli në SHBA, e publikuar në nëntor të vitit të kaluar, ka treguar se 78% e kosovarëve të moshës 18 deri në 35 vjeç do të largoheshin “përfundimisht” ose “ndoshta” nga vendi i tyre, nëse do të kishin mundësi.

Pasojat sociale dhe ekonomike të ikjes së të rinjve

Ekonomistë dhe sociologë në Kosovë e shohin si shqetësuese ikjen e të rinjve.

“Interesimi i shtuar i të rinjve e lë Kosovën pa fuqi punëtore. Kjo do të reflektojë edhe në ritmin e zhvillimit ekonomik”, thotë për Radion Evropa e Lirë drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka.

Sipas tij, shteti duhet të krijojë oferta reale për investitorët ndërkombëtarë, që do të gjeneronin vende të reja pune.

Shemsi Krasniqi, profesor i sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se pasojat janë më të gjera sesa vetëm ekonomike.

“Me largimin e rinisë zvogëlohet potenciali krijues e kreativ. Ata janë të rinj dhe kanë përpara jetën. Më së miri do të ishte ta bënin [jetonin] në vendin e vet, por realiteti është ky. Ata po ikin”, thotë ai.

Papunësia te të rinjtë: mbi 48 për qind

Politikat në Kosovë nuk shkojnë në favor të motivimit të të rinjve.

Sipas Agjencisë evropiane të Statistikave - Eurostat, Kosova është vendi me pagën më të ulët minimale në Evropë. Të punësuarit e moshës nën 35 vjeç paguhen 130 euro në muaj, ndërsa ata mbi 35 vjeç paguhen 170 euro në muaj.

Përkundër premtimeve të autoriteteve qeveritare për rritje, vlera e pagës minimale në Kosovë ka mbetur e pandryshuar qysh në vitin 2011.

Paga mesatare bruto në sektorin publik është rreth 620 euro, ndërsa në sektorin privat rreth 380 euro.

Në vitin 2021, shkalla e papunësisë në Kosovë ka qenë afro 26 për qind. Krahasuar me vitin paraprak, ka pasur rritje për 0.8 për qind. Shkalla e papunësisë te të rinjtë është 48.6 për qind, sipas ASK-së.

Vitin e kaluar është rritur edhe inflacioni. ASK ka bërë të ditur se norma vjetore e inflacionit në muajin nëntor, 2021, ka arritur në 6.9 për qind, nga 0.1 për qind sa ka qenë në periudhën e njëjtë të vitit 2020.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG