Ndërlidhjet

Rruga e vështirë në ndjekje të ëndrrës amerikane 


Pamje nga një aeroport. Fotografi nga arkivi.
Pamje nga një aeroport. Fotografi nga arkivi.

Zgjohet herët dhe ditën e ka të gjatë pasi mban dy vende të punës.

Kushtrimi, (identiteti i vërtetë i të cilit është i njohur për redaksinë) një ish-student në Universitetin e Prishtinës tash e pesë vjet po jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai më 2016 udhëtoi drejt SHBA-së përmes programit për studentë Puno dhe Udhëto (Work and Travel) dhe nuk u kthye më.

Kushtrimi ka rrëfyer për Radion Evropa e Lirë se pse vendosi që të qëndrojë ilegalisht në një shtet tjetër.

“Është bërë si slogan apo shabllon thënia ‘për një jetë më të mirë’, mirëpo definitivisht qëndron sot e asaj dite”, thotë ai.

Kushtrimi thotë se edhe jeta në SHBA nuk është e lehtë, sidomos për ata që nuk kanë familjarë atje.

“Por, komuniteti shqiptar është i madh dhe i fuqishëm sidomos në Nju Jork, Nju Xhërsi dhe shumë shtete të tjera dhe gjendesh”, tregon Kushtrimi.

Sipas tij, shteti atje është i “butë” sa i përket emigracionit të personave që nuk kanë hyrë ilegalisht në vend, por kanë vendosur të qëndrojnë më tepër sesa që e kanë pasur lejeqëndrimin.

Ai thotë se njeh një pjesë të madhe të rinisë që vijnë nga Kosova.

“Shumica kanë ardhur në të njëjtën mënyrë”, tregon ai.

Discover America: Migrimet ilegale nga kjo platformë, më të rralla në Kosovë

Në Kosovë ekzistojnë disa platforma dhe mundësi për studentët për të punuar e udhëtuar për në vende të Evropës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nga platforma “Discover America” (Zbuloje Amerikën) që e mundëson udhëtimin dhe punësimin e përkohshëm të studentëve nga Kosova, thonë për Radion Evropa e Lirë se është një numër i vogël i studentëve që i thyejnë rregullat e këtij udhëtimi.

Nga kjo platformë thonë se përqindja e studentëve të cilët nuk i respektojnë rregullat “është e papërfillshme”.

Ata theksojnë se agjencioneve të akredituar për këtë çështje, siç është “Discover America”, i bëhet një monitorim i përvitshëm edhe nga prizmi i migrimit.

“Andaj mund të themi që Kosova në përgjithësi dhe ‘Discover America’ në veçanti, qëndron shumë mirë në këtë aspekt, përndryshe nuk do të lejohej sepse do të sanksionohej ose edhe ndërpritej programi, siç ka ndodhur tanimë në disa shtete”, thuhet tutje në përgjigjen e tyre.

Migrimi i të rinjve, shqetësues dhe me kosto për shtetin

Kosova është përballur me disa valë të migrimit që nga vitet e 60-ta, ndërkaq një valë e rëndë e migrimit u regjistrua në vitin 2015.

Ndër arsyet kryesore të emigrimit duket të jetë kërkesa për një standard më të mirë të jetës dhe punësimi.

Sipas të dhënave nga Agjencisë së Statistikave të Kosovës në periudhën 2015-2019 territori i Kosovës regjistroi një bilanc migrimi prej mbi 120.000 njerëz.

Jeton Mehmeti nga Instituti GAP thotë se emigrimi i fuqisë punëtore drejt vendeve të Bashkimit Evropian është në rritje.

Sipas Mehmetit edhe tregu i punës në Kosovë mund të jetë i rrezikuar nga ikja e të rinjve dhe fuqisë punëtore.

“Pesë sektorët më të rrezikuar nga emigrimi i fuqisë punëtore në Kosovë janë teknologjia informative dhe kompjuterike, gastronomia, inxhinieria, kujdesi shëndetësor dhe bujqësinë”, thotë ai.

Ndërkaq, organizata joqeveritare “Demokracia Plus” në hulumtimin e quajtur “Kostoja e Emigrimit të të Rinjve” thekson se nga largimi i popullsisë, gjenerohet një humbje vjetore në produktin e brendshëm bruto, prej 519 milionë euro.

Sipas këtij hulumtimi, një person që në Kosovë e ka kryer shkollimin deri në nivelin universitar, shtetit të Kosovës i ka kushtuar 9.700 euro.

Edhe dëshira e të rinjve që po jetojnë në Kosovë për të migruar është mjaft e shprehur, sipas një studimi mbi rininë në Kosovë 2018/19 i Fondacionit FES.

“Kur u pyetën nëse dëshironin të emigronin nga vendi, gati gjysma e të anketuarve në këtë sondazh shprehën dëshirën të largoheshin nga vendi. Rreth një e treta e të anketuarve që planifikonin të largoheshin nga vendi nuk kishin ndërmend të ktheheshin kurrë në Kosovë”, thuhet në studim.

Studimi ka treguar se papunësia e të rinjve në Kosovë është një problem i madh dhe “ndikimi i saj është shumëdimensional”.

Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti në programin qeverisës kishte premtuar themelimin e Fondit për Ndërmarrësi për të Rinjtë.

“Për vajzat dhe djemtë nga i gjithë vendi që orientohen nga ndërmarrësia në këtë fushë, do të vihen në dispozicion deri në 2 mijë grante në vit, me një vlerë totale prej 20 milionë euro” , thuhet në program.

Ky fond ende nuk është themeluar.

Kosova mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, që nuk gëzon lëvizjen e lirë në zonën Shengen. Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të pajisen me viza në ambasadat e vendeve të BE-së, që janë të vendosura në Kosovë.

Sipas të dhënave të Sistemit të informimit për viza shengen në vitin 2019, janë bërë 108.774 kërkesa për viza, prej tyre janë dhënë 88.337 ndërsa deri në qershor të vitit 2021 u bënë 24.566 aplikime për viza dhe janë dhënë 19.068.

Familjen e tij, Kushtrimi nuk e ka takuar tash e pesë vjet, por kjo është vetëm një çmim që atij i duhet të paguajë në kërkim të jetës më të mirë.

Ai ende nuk ka bërë planet për të ardhmen e tij në Amerikë apo në Kosovë, mirëpo konsideron se i duhet të punojë shumë për mirëqenien e tij financiare, por edhe për të ndihmuar familjen që vazhdon të jetojë në Kosovë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG