Ndërlidhjet

Edhe “karantinë e vizave” për qytetarët e Kosovës


Ambasada e Hungarisë në Prishtinë. Fotografi nga arkivi.

Hylije Mustafa nga Prishtina nuk mund të shkojë në Gjermani për një trajnim profesional, sepse Ambasada gjermane në Kosovë, gjatë pandemisë së koronavirusit, “ka reduktuar ndjeshëm kapacitetet e pranimit të kërkesave për viza”.

Mustafa, e cila është mjeke me profesion, thotë për Radion Evropa e Lirë se qytetarët e Kosovës edhe më herët janë përballur me vështirësi në udhëtime, për shkak të regjimit të vizave.

Por, shton se gjatë vitit të fundit, udhëtimi në ndonjë vend të BE-së është pothuajse i pamundur.

“Gjatë pandemisë, udhëtimi është bërë edhe më i vështirë”, thotë Mustafa.

Kosova është i vetmi vend në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk i është miratuar liberalizimi i vizave.

Viza Shengen, vetëm në disa raste

Zyra greke për Ndërlidhje me Kosovën, e cila lëshon të ashtuquajturat “viza Shengen”, konfirmon po ashtu se procesi i marrjes së vizave për qytetarët e Kosovës gjatë pandemisë është vështirësuar.

Këto viza janë të vlefshme për udhëtime në çdo vend të zonës Shengen, përveç Greqisë. Zona Shengen përfshin Gjermaninë, Francën, Austrinë, Belgjikën, Italinë, dhe vendet e tjera anëtare të BE-së.

“Departamenti konsullor i Zyrës Ndërlidhëse greke në Prishtinë kurrë nuk ka ndaluar lëshimin e vizave gjatë pandemisë, por për shkak të kufizimeve në kalimin e kufijve në të gjitha vendet, përfshirë Greqinë, vizat mund t’u lëshohen vetëm personave të angazhuar në punë të veçantë ose në raste urgjente serioze”, tha për Radion Evropa e Lirë Zyra greke në Kosovë.

Gjatë pandemisë, në agjencitë turistike në Kosovë mund të gjenden kryesisht oferta për udhëtime në vendet e rajonit, si Shqipëria apo Mali i Zi, por edhe në Turqi, sepse për hyrjen në këtë vend, nuk duhet vizë.

Disa vaksina i hapin shanset

Më 3 maj, Komisioni Evropian propozoi lehtësimin e kufizimeve të udhëtimeve për qytetarët e të ashtuquajturave vende të treta, e në të cilat bën pjesë edhe Kosova.

Por, lehtësimi i masave do të vlejë për ata që kanë marrë një vaksinë kundër koronavirusit, të miratuar nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA).

Kjo nënkupton që ata që kanë marrë vaksinën Pfizer/BioNTech, Moderna, Johnson&Johnson ose AstraZeneca, mund të udhëtojnë në vendet evropiane.

Hylije Mustafa, si punonjëse shëndetësore, ka marrë dozën e parë të vaksinës AstraZeneca dhe shpreson se pas marrjes së dozës së dytë, do të ketë më shumë shanse për të siguruar vizën për udhëtim.

“Nëse kam provë se e kam marrë vaksinën, mund të jetë më lehtë të marr një vizë në të ardhmen”, thotë ajo.

Nga Ministria e Shëndetësisë e Kosovës thonë se “çdo qytetar që merr vaksinën kundër koronavirusit, merr edhe një kartë që dëshmon se ka marrë një ose dy doza të vaksinës, datën e pranimit, llojin e vaksinës dhe të dhëna të tjera personale”.

Ky është dokumenti që marrin qytetarët e Kosovës, pasi të vaksinohen kundër koronavirusit.
Ky është dokumenti që marrin qytetarët e Kosovës, pasi të vaksinohen kundër koronavirusit.

Më 4 maj, në Kosovë kanë arritur mbi 4,000 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech, si donacion nga Bashkimi Evropian.

“Pjesa tjetër, rreth 90,000 doza që i ka ndarë BE-ja për Kosovën, do të arrijnë brenda një jave”, thanë në Ministrinë e Shëndetësisë, duke vënë po ashtu në dukje se një kontingjent tjetër i vaksinave AstraZeneca duhet të arrijë në Kosovë javën e ardhshme.

Kontingjenti i parë me 24,000 doza të vaksinës AstraZeneca ka arritur në Kosovë më 28 mars, nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Rifillon vaksinimi i stafit shëndetësor
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:30 0:00

Dozën e parë të kësaj vaksine, në kuadër të fazës së parë të imunizimit, e kanë marrë punonjësit shëndetësorë, personat mbi 80 vjeç dhe ata me sëmundje kronike. Ata duhet ta marrin dozën e dytë kur të mbërrijnë vaksinat shtesë të kompanisë AstraZeneca.

Në fazën e dytë pritet të vaksinohet njerëzit e moshës 65 deri 79 vjeç, personat e sëmurë kronikë, personeli mësimor dhe forcat e sigurisë, të cilat janë të përfshira në menaxhimin e situatës gjatë pandemisë së koronavirusit.

Në fazën e tretë do të fillojë vaksinimi masiv i qytetarëve, por Ministria e Shëndetësisë e Kosovës nuk mund të specifikojë se kur mund të fillojë.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG