Ndërlidhjet

Dyshimet rreth pasaportës së vaksinës


Pasaporta që lëshohet nga autoritetet në Daminarkë për personat e vaksinuar kundër koronavirusit.
Pasaporta që lëshohet nga autoritetet në Daminarkë për personat e vaksinuar kundër koronavirusit.

Dokumenti, përmes të cilit vërtetohet vaksinimi kundër COVID-19, është një prej çështjeve kryesore në udhëtimet post-pandemike, por ka shumë shqetësime lidhur me privatësinë dhe diskriminim që pasaportat e tilla do të sillnin. Pse?

Derisa pandemia e COVID-19 ngadalë po e humb fuqinë dhe programet e vaksinimit masiv po arrijnë te më shumë njerëz, shtrohet një pyetje e re: A duhet që qeveritë dhe sektori privat të pranojnë idenë e pasaportës digjitale të vaksinimit për udhëtimet ndërkombëtare? Ithtarët e këtyre pasaportave thonë se dokumentet e tilla do ta përshpejtojnë rikthimin në “normalitet”, duke lejuar sërish udhëtimet jashtë dhe udhëtimet biznesore, por kjo ide po përcillet me kundërthënie.

Një Kosovë, ky është dokumenti i vetëm që autoritetet u japin personave që vaksinohen kundër koronavirusit.
Një Kosovë, ky është dokumenti i vetëm që autoritetet u japin personave që vaksinohen kundër koronavirusit.

Ofrimi i dëshmisë se një person është vaksinuar, në mënyrë që ai më pas të udhëtojë jashtë vendit, nuk është një koncept i ri – ka shembuj të ngjashëm ku disa shtete, për vite me radhë, kërkojë që personat që hyjnë në territorin e tyre të jenë të vaksinuar kundër Etheve të Verdha.

Për një kohë të gjatë, vaksinat po ashtu janë kërkuar gjatë disa udhëtimeve, apo pjesëmarrjes në shkollat publike si dhe për punë në ndonjë industri të caktuar, e tillë si industria e kujdesit shëndetësor.

Por, në rastin e COVID-19, kjo do të nënkuptonte një aktivitet edhe më të madh se më parë, që do të përbënte sfida të mëdha logjistike.

Skeptikët e pasaportës së vaksinës po ashtu parashohin se prezantimi i saj do të shkaktonte diskriminim dhe mashtrim, do të inkurajojë sjellje të rrezikshme, shfaqjen e varianteve të reja të koronavirusit si dhe do të shkatërronte privatësinë.

Çka është pasaporta e vaksinës?

Ende nuk ka një pajtim lidhur me definicionin e një pasaporte të vaksinimit kundër COVID-19, por përgjithësisht besohet se do të ishte një dokument (fillimisht në formë digjitale) që do të dëshmonte se një person që po e kalon kufirin apo po udhëton në një vend tjetër, është i vaksinuar.

Kur flitet për pasaporta, zakonisht merren parasysh dokumentet e udhëtimit që lëshohen nga qeveritë për qytetarët e tyre dhe shumica tani po i referohen pasaportës së vaksinës si një certifikatë digjitale, që dëshmon se bartësi i saj është vaksinuar dhe me të ai mund të marrë pjesë në ngjarje të ndryshme, të shkojë në punë dhe më e rëndësishmja, të udhëtojë. Një konfirmim i tillë, në formë digjitale, do të përfshinte një kod QR, që mund të skanohet me telefon të mençur dhe do të prezantohej, shembull, para hyrjes në një stadium futbolli apo për të kaluar kufij ndërkombëtarë.

Kur përshkruajmë përfitimet shëndetësore, termi “pasaportë” në vetvete veçse është kundërthënës për shkak të konotacioneve që ka me qeveritë autoritare dhe frikës së konceptit të idesë së Big Brother (Vëllait të Madh), shkruan ABC News.

“Nuk ka një pasaportë të tillë”, thotë Arthur Caplan, themelues dhe drejtor i Departamentit të etikës shëndetësore në Universitetin e Nju Jorkut. Keqkuptimet lidhur me pasaportat e vaksinave, potencialisht mund të frikësojnë njerëzit, shpjegon ai, duke bërë që ata të besojnë se dikush do t’i ndalojë dhe t’ua kërkojë që të tregojnë dokumentet që kanë marrë vaksinën, që sipas tij, ky rast nuk qëndron.

“Kjo i bën njerëzit të ndihen nervozë, duhet të ndalemi së përdoruri atë term”, thotë Caplan, i cili përdor termat “vërtetim i vaksinës” dhe “certifikatë” për të përshkruar dëshminë digjitale të statusit për vaksinim të një personi.

Pasaportat e rreme të vaksinimit

Pasaporta të rreme të vaksinës tashmë po shiten online dhe me një çmim të lirë, shkruan Reuters. Ekspertët e sigurisë kibernetike kanë paralajmëruar për një rritje të mashtrimeve të këtij lloji, menjëherë pasi shtetet nisën të bisedojnë për dokumentet e mundshme, të cilat do të mund të dëshmonin se një person është vaksinuar.

Nga Islanda e deri në Izrael, disa shtete kanë filluar të heqin kufizimet për njerëzit që mund të dëshmojnë se janë vaksinuar, duke i lejuar ata që të marrin pjesë në ngjarje të ndryshme rekreative ose edhe të kalojnë kufijtë shtetërorë, pasi të kenë paraqitur dokumentet e vaksinimit.

“Njerëzit po mundohen që të shmangin rregullat përmes dokumenteve të rreme, duke rrezikuar kështu jetën e të tjerëve”, tha për Reuters, Been Arora, themelues i kompanisë së inteligjencës kibernetike, Cyble.

“Ne kemi parë qindra faqe në të ashtuquajturën ‘dark web’, ku shiten këto dokumente, me çmime të ulëta”, shtoi Arora.

COVID pasaportat: Rrëmujë apo zgjidhje?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:10:18 0:00

Dark web është pjesë e internetit që shkon përtej motorëve të kërkimit, ku përdoruesit kryesisht janë anonim dhe në të shumtën e rasteve paguajnë me kriptovaluta, siç është Bitcoin.

Këto dokumente të rreme mund të blihen me 12 dollarë, thotë Arora, duke shtuar se sipas të dhënave që ka, që prej shkurtit, kur fillimisht u shfaqën në shitje këto dokumente të rreme, numri i këtij lloji të mashtrimeve është rritur.

Kur dhe si u prezantua pasaporta e vaksinës?

Dialogu rreth kredencialeve të vaksinave do të përmirësohej shumë nëse diskutohet për dy çështje kyçe, shkruan NBC News. Së pari a është e dëshirueshme që të kemi një mekanizëm të sigurt dhe të besueshëm, i cili do të përcaktonte se kush është vaksinuar kundër koronavirusit dhe për të paktën disa arsye?

Dhe së dyti, në çfarë konteksti është e dëshirueshme dhe e përshtatshme që të kërkohet dëshmi për vaksinim, në mënyrë që njerëzit të mund të marrin pjesë ndonjë aktivitet?

Një numër i madh i shteteve, kryesisht evropiane, janë në favor të prezantimit të një dokumenti të tillë. Danimarka dhe Suedia kanë thënë se do të krijojnë pasaporta të vaksinës dhe Estonia ka thënë se po punon me Organizatën Botërore të Shëndetësisë për ta adresuar këtë çështje. Po ashtu, në favor të kësaj ideje pritet të jenë edhe destinacionet turistike siç janë Greqia, Spanja dhe Qipro.

Presidentja e Komisionit Evropian, Urusla von der Leyen, më 1 mars ka shkruar në Twitter se Bashkimi Evropian do të prezantojë një projektligj për pasaportat e gjelbra digjitale në muajin mars, ku do të përfshihej edhe dëshmia nëse një person është vaksinuar ose jo.

Dy javë më vonë, më 17 mars, Komisioni Evropian njoftoi për një propozim që njerëzit brenda bllokut, që janë vaksinuar mund të udhëtojnë lirshëm. Por, edhe të vaksinuarit do të mund të përballen me disa kufizime. Aktualisht, BE-ja ende nuk ka miratuar për përdorim vaksinën ruse Sputnik V dhe atë kineze, Sinopharm, kurse për njerëzit e vaksinuar nga shtetet e tjera, do të vazhdojë të jetë e ndaluar hyrja e tyre. Sipas paralajmërimeve, këto pasaporta të gjelbra për BE-në do të jenë të gatshme për përdorim në qershor.

Jashtë BE-së, kryeministri britanik, Boris Johnson ka thënë se qeveria e tij është duke e shqyrtuar mundësinë e përdorimit të një dokumenti të tillë. Kina dhe Japonia po ashtu janë në favor të përdorimit të pasaportës së vaksinës, siç janë edhe shtetet që varen nga turizmi, të tilla si Tajlanda dhe Aruba.

Më 14 prill, Këshilli i Evropës tha se u ka dërguar një dokument të 47 shteteve që janë anëtare në këtë këshill, duke kërkuar nga ta që të mbrohen të drejtat e njeriut, kur bëhet fjalë për pasaportat e vaksinës.

Këshilli i Evropës ka kërkuar nga shtetet që të ndërmarrin hapa për të mbrojtur të dhënat e personave të vaksinuar, t’u ruhet privatësia dhe të ndërmerren hapa për rreziqet që mund të paraqiten në sigurinë dhe shëndetin publik.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG