Ndërlidhjet

Abbasi: COVID-pasaportat do t’i diskriminojnë të varfrit


Pasagjerë në Aeroportin Sabiha Gokcen në Stamboll.
Pasagjerë në Aeroportin Sabiha Gokcen në Stamboll.

Certifikatat apo pasaportat e vaksinimit kundër koronavirusit do të bëhen normë e pashmangshme e së ardhmes, thotë Kamran Abbasi, profesor në Departamentin e Kujdesit Primar dhe të Shëndetit Publik në Kolegjin Imperial të Londrës.

Sipas tij, kur nisin gjëra të tilla, ato shkaktojnë domino efekt dhe secili përfundon me to.

Por, në këtë mes, Abbasi përmend si problem themelor pabarazinë. Sipas tij, njerëzit e varfër dhe pakicat etnike vaksinohen më pak dhe certifikatat e vaksinimit do t’i diskriminojnë pikërisht këto grupe.

Radio Evropa e Lirë: Doktor Abbasi, a mendoni se certifikatat e vaksinimit për koronavirus mund të bëhen normë?

Kamran Abbasi: Mendoj që do të bëhen normë, pavarësisht nëse njerëzit duan apo jo. Janë prej atyre gjërave që kur i nis një kompani, një organizatë, një vend, atëherë vështirë se mund të ndalen apo kufizohen. Disa vende tashmë kanë nisur aplikimin e certifikatave apo të pasaportave të vaksinimit. Kështu që në kontekstin ndërkombëtar, kur nisin, ato krijojnë domino efekt dhe secili përfundon me të njëjtën gjë. Na pëlqen ose jo, sepse ka argumente për dhe kundër, unë mendoj se ato do të jenë pjesë e pashmangshme e së ardhmes sonë.

Radio Evropa e Lirë: Tani për tani nuk është krejtësisht e qartë nëse vaksinat kundër COVID-19-ës parandalojnë transmetimin e sëmundjes. A nuk është ende herët të lëshohen këto certifikata?

Kamran Abbasi: Mendoj se po, sepse edhe njerëzit që janë vaksinuar tani, ndoshta nuk kanë imunitet për momentin. Por, ajo çfarë është inkurajuese, është se nga të gjitha të dhënat që shohim, vaksinat i mbrojnë njerëzit. Gjërat duket se po shkojnë në drejtim të duhur. Por, duhet të jemi vigjilentë dhe t’i monitorojmë të dhënat.

Radio Evropa e Lirë: Certifikatat, a mund t’i mbajnë poshtë normat e infeksionit?

Kamran Abbasi: Vetëm vaksinimi nuk mjafton. Mendoj se ky është një mesazh shumë i qartë. Vetëm duke vaksinuar njerëz dhe duke mos bërë asgjë tjetër, ju nuk do të mund ta kontrolloni nivelin e sëmundjes COVID-19 që e shkakton koronavirusi. Ju duhet të vazhdoni të mbani distancë sociale, distancë fizike, të vishni maska e të tjera. Arsye për këtë është se duhet të presim vaksinimin e gjithë popullatës. Pra, është e rëndësishme të mbahet kontrolli mbi virusin. Në këtë mënyrë kufizohet edhe numri i varianteve të reja të tij - pra duke kontrolluar komunitetin, transmetimin dhe nivelet e virusit në komunitet.

Radio Evropa e Lirë: Të mbetemi edhe pak te certifikatat. Njerëzit që nuk vaksinohen, a do të jenë të diskriminuar?

Kamran Abbasi: Ky është problemi themelor. Pasaportat ose certifikatat e vaksinave do t’i nxjerrin në pah dhe përkeqësojnë pabarazitë. Pandemia tashmë i ka përkeqësuar pabarazitë. Vendet e varfra, vendet e pafavorizuara marrin më pak vaksina dhe kanë më pak doza për të vaksinuar popullatën. Pra, njerëzit e varfër, njerëzit e pafavorizuar, pakicat etnike vaksinohen më pak. Certifikatat e vaksinave janë një tjetër argument për t’i trajtuar pabarazitë, sepse të pafavorizuarit do të goditen sërish.

Radio Evropa e Lirë: A ka ndodhur diçka e tillë në të kaluarën - mendoj në certifikata?

Kamran Abbasi: Kur udhëtoni në pjesë të caktuara të botës, ju rekomandohet të vaksinoheni kundër sëmundjeve të caktuara. Por, askush nuk ju ndalon të udhëtoni. Tani na thuhet se udhëtimi midis disa vendeve do të kufizohet, nëse nuk jeni i vaksinuar. Në vende të caktuara njerëzit janë paralajmëruar se, nëse bëhen certifikatat, ata nuk do të mund të shkojnë në restorante apo të ndjekin ngjarje sportive, nëse nuk kanë certifikata vaksinimi. Dhe, ky është një problem i madh. E përsëris: njerëzit e pafavorizuar do të përjashtohen sërish.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë nëse unë marr një vaksinë që nuk është e miratuar, le të them, në Bashkimin Evropian? A do të lejohem të udhëtoj?

Kamran Abbasi: Do të varet nga qeveritë. Mendoj se secila qeveri do ta ketë politikën e vet. Ajo që shohim për momentin është se shumica e vaksinave duken efektive. Pa marrë parasysh se ku janë prodhuar: në BE, në Britani, në SHBA, në Rusi, Kinë apo Indi, të dhënat tregojnë se vaksinat në përgjithësi funksionojnë, sepse shumica e tyre janë të ngjashme. Por, mendoj se do të jetë problem nëse vendet i miratojnë disa vaksina dhe nuk i miratojnë të tjerat.

Unë personalisht nuk jam mbështetës i certifikatave të vaksinimit, por ato janë një realitet që po ndodh. Momentumi është i madh. Dëshira e njerëzve për të rikthyer ekonominë, bizneset, udhëtimet dhe pushimet është aq e madhe. Dhe nuk do të ketë kohë për të adresuar pabarazitë dhe shpërndarjen e drejtë të vaksinave. Kjo më shqetëson, sepse pa i adresuar në thelb pabarazitë, kurrë nuk do të dalim nga rrëmuja e kësaj pandemie apo e pandemive të ardhshme. E ardhmja jonë varet para së gjithash nga krijimi i një shoqërie më të barabartë, e jo nga certifikimi.

COVID pasaportat: Rrëmujë apo zgjidhje?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:10:18 0:00

Radio Evropa e Lirë: Kur prisni rikthimin e së paku një niveli të normalitetit?

Kamra Abbasi: Nëse shkoni në Kinë, Hong Kong, Singapor, Tajvan ose Japoni, do të shihni se njerëzit jetojnë me këto masa. Ata shkojnë gjetkë dhe veshin maska. Ata e dinë se autoritetet do t’ua kontrollojnë temperaturën në kufi. Pra, duhet të përgatitemi për disa gjëra, për ta bërë jetën sa më normale të mundshme. Do të duhen disa përshtatje, por në fund gjërat do të zgjidhen. Do të duhet ndoshta edhe një vit që Evropa dhe vendet e tjera të pasura t’i kthehen njëfarë normaliteti dhe pastaj pjesa tjetër.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG