Ndërlidhjet

Imazhi i Amerikës u përkeqësua nën Trumpin


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Imazhi i Shteteve të Bashkuara në botë ra më shumë këtë vit, pasi presidenti Donald Trump i sulmoi aleatët dhe i lavdëroi armiqtë, thuhet në një studim të Qendrës Amerikane të Kërkimeve Pew.

Sipas saj, njerëzit në shumicën e vendeve u besojnë jo vetëm udhëheqësve të Gjermanisë dhe Francës, por edhe të Rusisë dhe Kinës, më shumë sesa Trumpit.

Anketa me 26,112 njerëz në 25 vende e Qendrës Pew zbuloi se vetëm 27% e tyre besojnë se Trump bën gjënë e duhur në çështjet botërore, krahasuar me 30% që shprehin besim te presidenti rus, Vladimir Putin, dhe 34% te presidenti i Kinës, Xi Jinping.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, është udhëheqësja më e besueshme në botë, me 52% mbështetje - pothuajse dy herë më shumë se Trump. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, është prapa Merkelit me një vlerësim prej 46%.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Prejse ka marrë detyrën në janar të vitit 2017, Trump e ka tërhequr SHBA-në nga disa marrëveshje ndërkombëtare, të tilla si Pakti i Parisit për Klimën dhe Marrëveshja Bërthamore me Iranin, ka bërë përpjekje të krijojë marrëdhënie më të afërta me udhëheqësit autoritarë si Putini dhe lideri verikorean, Kim Jong Un, si dhe ka kritikuar rëndë Kanadanë dhe Meksikën fqinje, ashtu si edhe Gjermaninë dhe aleatët e tjerë të NATO-s.

Në qershor, pas një samiti të G7-ës, grupit të vendeve më të industrializuara, në Kanada, Trump ka refuzuar të nënshkruajë një deklaratë të përbashkët me aleaët amerikanë, duke e nënçmuar nikoqirin e tij, kryeministrin kanadez, Justin Trudeau, si "shumë të pandershëm dhe të dobët". Trump e ka kritikuar Gjermaninë për suficitin e saj tregtar, shpenzimet e vogla në mbrojtje dhe mbështetjen në gazin rus.

Javën e kaluar, gjatë fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ai ka shkaktuar të qeshura në audiencë kur ka thënë se, gjatë dy vjetëve në Shtëpinë e Bardhë, ka arritur më shumë se gati çdo administratë tjetër amerikane.

Studimi i Qendrës Pew tregoi se imazhi i Amerikës, i cili pësoi një goditje të madhe më 2017, vitin e parë të Trumpit në detyrë, vazhdoi të përkeqësohet në shumë vende në vitin 2018, veçanërisht në Evropë.

Vetëm 30% e gjermanëve kanë një pikëpamje të favorshme për Shtetet e Bashkuara – 4% më pak se vitin e kaluar.

Rënie ka edhe në Francë dhe në Kanada, ku mbështetja qëndron në 38%, përkatësisht 39%.

Vendet me pikëpamjet më pozitive për Shtetet e Bashkuara janë Izraeli, Filipinet dhe Koreja e Jugut, të gjitha me 80% ose më lart.

Brenda SHBA-së, ndërkaq, mbështetja është rritur në 50%, krahasuar me 43% sa ka qenë vitin e kaluar.

Pavarësisht vlerësimeve të ulëta për Trumpin, 63% e të anketuarve thanë se bota ka qenë më e mirë me SHBA-në si fuqi udhëheqëse, krahasuar me 19% që e preferuan Kinën në këtë rol.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG