Ndërlidhjet

Mosndëshkimi i sjelljes së dhunshme e bën Kuvendin jofunksional


Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi - seancë gjatë kohës së pandemisë.
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi - seancë gjatë kohës së pandemisë.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, pas dy ditëve nga incidenti në Komisionin për çështje evropiane, është prononcuar për mediat dhe për këtë i ka fajësuar deputetët e opozitës. Ai ka thënë se “incidenti i së hënës në mbrëmje nuk do të ndodhte nëse deputetët e opozitës do të qëndronin në vendin e tyre”.

Por, Xhaferi ka thënë se nuk e arsyeton as sjelljen e kryetarit të këtij Komisioni, Arbër Ademi.

“Unë nuk kam kompetencë të kërkoj përgjegjësi, këta janë deputetë, jo zyrtarë. Mësimi është se kjo nuk guxon të ndodhë në Kuvend dhe nuk do të ndodhte nëse ai që është deputet ulet në vendin e tij. Incidentin nuk e ka shkaktuar (Arbër) Ademi, por ‘ata që dolën në foltore’ ”, ka thënë Xhaferi.

Mosndëshkimi i rasteve të dhunshme prodhon situata të ngjashme në vazhdimësi

Petar Arsovski, njohës i çështjeve politike, i cili është i përfshirë në matjen dhe analizimin e besueshmërisë së partive politike thotë për Radion Evropa e Lirë se mosndëshkimi i rasteve të dhunshme në institucionin ligjvënës është arsyeja që deputetët në vend të paraqitjes së argumenteve dhe ofrimit të zgjidhjeve, shfaqin sjellje agresive.

“Çdo mosndëshkim lë pasoja të këqija. Pse them kështu?! Përderisa qytetarët duhet të paguajnë një gjobë p.sh. për një shkelje në trafik, nga ana tjetër, elitat politike mbeten të pandëshkuara”, thotë Arsovski.

Ai konsideron se amplituda e lartë e tensionimit të raporteve mes subjekteve politike pushtet-opozitë flet për mungesën e kulturës politike, por edhe më shumë për atë që ai e quan “mbajtjes në tytë të oponentëve politikë”, veçanërisht pas dallimeve rreth bllokimit të procesit integrues nga ana e Bullgarisë, përkatësisht propozimit francez.

Deputetët vendosin interesat personale para interesave kolektive

Nga ana tjetër, Ismet Ramadani, i cili për tri mandate ka qenë deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, thotë se legjislativi nga opozita maqedonase shfrytëzohet për të imponuar zgjedhje të parakohshme dhe për të bllokuar zgjedhjen e gjykatësve pasi në proces është gjykimi po për funksionarët e VMRO DPMNE-së nga këta gjykatës.

“Varësisht nga pika e rendit të ditës, deputetët i vendosin në spikamë edhe interesat e tyre personale. Të përkujtoj se është e vërtetë se deputeti (Antonio) Milloshovski, i cili u konfrontua me Arbër Ademin, kryetar i Komisionit për çështje evropiane, është i interesuar që mos u zgjatet mandati gjykatësve dhe prokurorëve edhe pas plotësimit të kushteve për të dalë në pension, pasi njëri nga këta gjykatës e ka në dorë lëndën, për të cilën ai ndiqet personalisht për kriminalitet. Por, kur çështjet marrin kahen e interesave personale madje dhe interesave të theksuara grupore duke u bërë interesa partiake, kuptohet se nuk ka debat kolegial apo të arsyeshëm”, vlerëson Ramadani.

Ndryshe, edhe ambasadori i Bashkimit Evropian, David Gere, gjatë takimeve me grupet e deputetëve në Kuvend, i ka porositur ligjvënësit se duhet të kenë kujdes që gjyqësori të mos bllokohet për shkak të mungesës së gjykatësve.

Tensioni në Kuvend vazhdon për dy ditë në Komisionin për çështje evropiane ku diskutohet për ndryshimin e Ligjit për marrëdhënie pune, në bazë të të cilit u mundësohet gjykatësve dhe prokurorëve që t’u zgjatet mandati deri në zgjedhjen e gjykatësve të rinj, pavarësisht plotësimit të kushteve për pension.

Partia maqedonase në opozitë, për të zvarritur procesin e ndryshimeve ligjore për këtë çështje, ka dorëzuar rreth 4 amendamente.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG