Inspektimi gjen se QPS-ja në Pejë neglizhoi rastin e Arlinda Zekajt, rekomandohen masa disiplinore

Pamje nga një protestë në Prishtinë, ku u kërkua drejtësi për Arlinda Zekajn dhe përgjegjësi institucionale për lëshimet që i paraprinë vrasjes së saj.
Pamje nga një protestë në Prishtinë, ku u kërkua drejtësi për Arlinda Zekajn dhe përgjegjësi institucionale për lëshimet që i paraprinë vrasjes së saj.

Qendra për Punë Sociale në Pejë nuk i kishte përmbushur disa nga detyrimet e saj gjatë trajtimit të rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, thuhet në raportin e inspektimit të Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, të publikuar më 14 nëntor.

Zekaj, 49 vjeçe, dyshohet se u vra nga ish-kunati i saj, vetëm tri ditë pasi i ishte drejtuar kryeprokurores së Pejës, duke paralajmëruar se kishte frikë për jetën e saj dhe duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve.

Më 25 tetor, disa orë para se të vritej, ajo e kishte raportuar sërish dhunën në familje, pas së cilës bashkëshorti ishte ndaluar për 48 orë dhe Zekaj ishte kthyer në shtëpinë e saj, ku u vra.

Për shkak se kishte lënë si dëshmi të gjitha ankesat dhe kërkesat e saj ndaj institucioneve për mbrojtje, vrasja e Zekajt ka nxitur disa suspendime dhe hetime për neglizhimin e rastit të saj.

Sipas raportit të publikuar sot, Qendra për Punë Sociale nuk e kishte respektuar afatin gjyqësor për dorëzimin e një raporti, nuk kishte realizuar monitorimin e kërkuar dhe kishte dështuar në zbatimin e procedurave standarde për menaxhimin e rastit.

Raporti konstaton se një dokument i kërkuar nga Gjykata ishte dorëzuar jashtë afatit shtatëditor, dhe menaxherja e rastit, T. G., nuk kishte marrë pjesë në një seancë gjyqësore, pa dhënë arsye për mungesën.

Në mesin e mangësive të tjera u listuan mosplotësimi i formularëve për kontaktet dhe punën në rast, moshartimi i Planit Individual të Shërbimeve dhe mungesa e mbikëqyrjes së punës së menaxheres së rastit nga udhëheqësi i Shërbimeve Sociale, D. K.

Për këto shkelje, Divizioni i Inspektimit i ka rekomanduar kryetarit të Komunës së Pejës të ndërmarrë masa disiplinore ndaj menaxheres së rastit dhe udhëheqësit të shërbimeve sociale në komunë.

Raporti kërkon edhe shtimin e stafit profesional në QPS-në e Pejës, duke vlerësuar se numri aktual i punonjësve është i pamjaftueshëm për numrin e rasteve dhe territorin që mbulon kjo qendër.

QPS-ja thotë se kishte ndërmarrë një sërë veprimesh

Në anën tjetër, Qendra për Punë Sociale në Pejë insistoi se gjatë trajtimit të rastit të Arlinda Zekajt kishte ndërmarrë një sërë veprimesh profesionale, përfshirë vizita në terren, vlerësime të rrethanave familjare dhe bashkëpunim me institucionet arsimore e shëndetësore.

Në një komunikatë të publikuar të shtunën, QPS-ja tha se kishte reaguar ndaj kërkesës së Policisë së Pejës duke angazhuar punonjësin social në kuadër të kujdestarisë 24-orëshe. Gjatë trajtimit të rastit, sipas saj, ishin realizuar biseda me prindërit dhe familjarët, si dhe ishin mbledhur informacione për gjendjen familjare dhe socio-ekonomike.

Sa i përket procedurave gjyqësore, QPS-ja pretendon se kishte marrë pjesë në seancat pranë Gjykatës Themelore në Pejë, kishte dorëzuar raporte profesionale dhe kishte paraqitur vlerësimet e Organit të Kujdestarisë për gjendjen dhe nevojat e fëmijës.

Pas vrasjes së Arlindës, Qendra tha se kishte ndërmarrë veprime urgjente për vendosjen e fëmijës në një mjedis të sigurt, në bashkëpunim me Policinë, Prokurorinë dhe institucionet përkatëse. Ajo tha se ishte siguruar edhe caktimi i kujdestarit ligjor.

Megjithatë, Qendra tha se i merr seriozisht rekomandimet e inspektimit, të cilat i cilësoi si çështje që kërkojnë përmirësim në aspektin administrativ, organizativ dhe procedural.

Ajo përmendi edhe nevojën për shtimin e stafit profesional dhe qartësimin e përgjegjësive ndërmjet QPS-së dhe Drejtorisë për Mirëqenie Sociale.

Zekaj kërkoi ndihmë tri ditë para se të vritej

Arlinda Zekaj kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet, duke paralajmëruar se kishte frikë për jetën e saj.

Më 22 tetor, tri ditë para vrasjes, ajo i ishte drejtuar kryeprokurores së Pejës, Lumturije Vuçetaj, duke ngritur shqetësime për mosveprimin e institucioneve dhe moszbatimin e vendimit gjyqësor.

Një ditë më vonë, më 23 tetor, një hetues policor kishte kërkuar nga drejtuesit e Policisë në Pejë që Arlinda të vizitohej çdo ditë nga patrullat policore dhe të mbahej komunikim i rregullt me të, pasi situata në shtëpinë ku ajo ndodhej vazhdonte të ishte e tensionuar.

Më 25 tetor, ajo u vra në Vitomiricë. Për vrasjen dyshohet kunati i saj, Albert Sylaj, i cili është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim.

Pas vrasjes, institucionet nisën hetime për veprimet dhe mosveprimet e zyrtarëve që ishin marrë me rastin.

Më 29 tetor, Policia e Kosovës njoftoi suspendimin e 11 zyrtarëve policorë, pas rekomandimit të Inspektoratit Policor të Kosovës.

Ndërkaq, më 30 tetor, Ministria e Drejtësisë publikoi gjetjet paraprake për veprimet dhe mosveprimet institucionale në këtë rast, ku ishin evidentuar edhe mangësi në punën e QPS-së në Pejë.

Pas vrasjes së saj, edhe Kuvendi i Kosovës ka formuar edhe një komision hetimor parlamentar, me mandat për të shqyrtuar veprimet dhe mosveprimet e institucioneve përgjegjëse në trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt.

​
XS
SM
MD
LG