Ndërlidhjet

Gratë më të pushtetshme në institucionet e reja


Mbledhja e parë e qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti. Në këtë qeveri, që ka 15 ministri, pesë prej tyre do të udhëhiqen nga gratë.

Për herë të parë që nga formimi i institucioneve të Republikës së Kosovës, në qeverinë e re të drejtuar nga Albin Kurti, që përbëhet nga 15 ministri, pesë prej tyre do to udhëhiqen nga gratë. Ndërkohë, në krye të Kuvendit të Kosovës është zgjedhur po ashtu një grua, Vjosa Osmani e cila zëvendëse të parë ka po ashtu një grua, deputeten Arbërie Nagavci.

Ministret gra të votuara të hënën në Kuvendin e Kosovës janë Albulena Haxhiu, ministre Drejtësisë, Rozeta Hajdari ministre e Ekonomisë, Tregtisë dhe Financave - që të dyja nga Lëvizja Vetëvendosje. Ndërkaq, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami është emëruar ministre e Arsimit dhe Vlora Dumoshi Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Kurse, nga komunitetet joserbe, Emilia Rexhepi do të jetë ministre e Administrimit të Pushteti Lokal.

Organizatat joqeveritare që merren me të drejtat e grave dhe fuqizimin e rolit të tyre në politike dhe shoqëri, e vlerësojnë si hap pozitiv emërimin e gjashtë grave në pozita vendimmarrëse, pasi disa herë kanë shprehur shqetësime se gratë janë të nënpërfaqësuara në shumicën e posteve udhëheqëse.

Vjosa Osmani gjatë fjalimit të saj pasi u zgjodh kryetare e Kuvendit të Kosovës. Prishtinë, 3 shkurt, 2020.
Vjosa Osmani gjatë fjalimit të saj pasi u zgjodh kryetare e Kuvendit të Kosovës. Prishtinë, 3 shkurt, 2020.

Luljeta Demolli, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën për Hulumtime dhe Studime Gjinore, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se në qeverinë e re është arritur kuota prej 30 për qind, çka sipas saj, nënkupton se sistemi i kuotave ka dhënë efekte pozitive.

“Realisht edhe kryeministri (Albin Kurti), edhe kryetarja e kuvendit (Vjosa Osmani) kanë ardhur nga gjeneratat e reja. Prandaj, është normale që të kemi një përfaqësim më të mirë sa i përket përfaqësimit gjinor. Po ashtu, kemi një përfaqësim të grave mjaft kualitativ. Më këtë shpresojmë se kjo qeveri të jetë më e gatshme që të rrisë edhe numrin e grave në punësim”, tha Demolli.

Edhe Jeta Krasniqi, analiste nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, rritja e përfaqësimit të grave në qeverinë e re, dëshmon se vullneti politik është në përputhje më kërkesat e organizatave joqeveritare dhe nevojën që të gjithë anëtarët e shoqërisë të marrin obligimet e tyre si pjesëtarë të barabartë.

“Më këtë mendoj se do të rritet edhe vetëdijesimi i shoqërisë për rolin e grave që kanë në përgjithësi, si në shoqëri, vendimmarrje dhe çdo fushë të jetës. Përveç rritjes së vetëdijesimit, do të luftohen edhe paragjykimet gjinore”, tha Krasniqi.

Përveç emërimeve në qeveri, në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, gratë siguruan 38 nga 120 ulëse sa ka Kuvendi i Kosovës. Shumica e grave deputete siguruan ulëset në kuvend përmes votave të fituara, pa pasur nevojë për kuotë gjinore.

Sistemin e kuotave në Kosovë për herë të parë e pati aplikuar Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), në vitin 2000. Në bazë të një rregulloreje, kërkohej që së paku 30 për qind të kandidatëve në listat e partive të jenë të gjinisë femërore.

Por, përfaqësuese nga shoqëria civile thonë se duhet të zbatohet Ligji për barazi gjinore, në të cilin thuhet se “përfaqësimi i pabarabartë - është atëherë kur pjesëmarrja apo përfaqësimi i njërës gjini, është më i ulët se 50 për qind në çdo organ dhe nivel vendimmarrës në jetën politike dhe publike”.

Në qeverinë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, e formuar në vitin 2017 dhe e cila numëronte 21 ministri, fillimisht ishin emëruar vetëm dy gra në poste ministrore, Dhurata Hoxha dhe Albena Reshitaj. Kjo e fundit një vit më vonë kishte dhënë dorëheqje.

Gjatë mandatit të të njëjtës qeveri, pas disa ndryshimeve në ministri, Adrijana Hoxhiq, kishte drejtuar Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, kurse në fillim të vitit të kaluar, Dijana Zhiviq ishte emëruar ministre e Bujqësisë.

Një çështje tjetër që në vazhdimësi është ngritur si shqetësim, sa i përket përfaqësimit dhe pjesëmarrjes së grave në vendimmarrje, ndërlidhet me pushtetin lokal, pasi që të 38 komunat e Kosovës udhëhiqen nga burrat.

Pozita më e lartë e mbajtur ndonjëherë nga ndonjë grua në Kosovë është ajo e presidentes së Kosovës nga Atifete Jahjaga, nga viti 2011 deri në vitin 2016.

Ndryshe në një raport statistikor për vitin 2019 të Institutit për Studime të Avancuara GAP, të publikuar javën e kaluar, thuhet se shkalla e punësimit të grave, sidomos në pozita të larta udhëheqëse, mbetet shumë e ulët në krahasim me burrat. Këto dallime janë më të shprehura sidomos në nivelin qendror.

Sipas këtij raporti, deri në ditën e dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj, vetëm dhjetë për qind posteve të larta drejtuese (ministra, zv/ministra, sekretarë të përgjithshëm) menaxhoheshin nga gratë. Edhe në pozitat drejtuese në administratën komunale, theksohet në raportin e GAP-it, përfaqësimi i grave mbetet mjaft i ulët, me vetëm 20 për qind.

Përveç në pozita drejtuese, në përgjithësi, shkalla e grave të punësuara mbetet më e ulët se e burrave. Përderisa shkalla e papunësisë te burrat, më 2019, ishte 22.8 për qind, shkalla e papunësisë te gratë ishte 32.7 për qind. Në anën tjetër, thuhet në raport, interesimi i grave për të gjetur një vend pune është gati i të njëjtit nivel me atë të burrave.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG