5 pyetje është podkast i Radios Evropa e Lirë, ku një temë sqarohet me ndihmën e profesionistëve dhe ekspertëve, përmes përgjigjeve që kapin thelbin. Nga shëndeti e ekonomia, deri te politika dhe ligji, çdo episod sjell bisedë të qartë, verifikim faktesh dhe sqarime të nevojshme.
Fotografitë e publikuara për gjendjen e keqe të inventarit në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku u raportua për kushte të papërshtatshme, rikthyen debatin për gjendjen e sistemit publik shëndetësor në Kosovë.
Edhe pse në vitet e fundit janë investuar miliona euro në renovimin e klinikave, blerjen e pajisjeve dhe rritjen e buxhetit për shëndetësi, pacientët vazhdojnë të raportojnë për probleme me infrastrukturën, higjienën dhe trajtimin.
Në podkastin 5 pyetje të Radios Evropa e Lirë, gazetarja Saranda Ramaj, magjistre e politikave dhe menaxhimit shëndetësor, thotë se reagimi i madh i qytetarëve ndaj fotografive nga Pediatria lidhet me faktin se ato nuk paraqesin vetëm një rast të veçantë, por një problem më të gjerë që pacientët e kanë përjetuar edhe në klinika të tjera.
“Fotografia mori këtë viralitet, pikërisht për shkak se problemi është më masiv. Nuk është një fotografi e veçuar, por shumë pacientë dhe prindër janë gjetur në atë fotografi”, shprehet ajo.
Sipas Ramajt, njohëse e fushës së shëndetësisë, mungesa e standardeve të qarta të funksionimit ka bërë që problemet bazike të përsëriten ndër vite.
▶️ Shiko podkastin:
🎧 Dëgjo podkastin:
Ajo përmend se në raportet e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) ishte evidentuar nevoja për përmirësime në mirëmbajtje dhe sterilizim, por disa nga këto çështje nuk janë adresuar.
“Një sistem i mirëfilltë shëndetësor nuk ka logjikë të flasë për reforma të mëdha, nëse gjërat bazike injorohen”, thotë ajo.
Ramaj vlerëson se investimet në shëndetësi janë të domosdoshme, por se ato nuk mund të konsiderohen të mjaftueshme për reformimin e sistemit.
“Investimet në shëndetësi janë shumë të mira, dhe sa herë rritet buxheti për barna, materiale shpenzuese, investime kapitale ose pajisje të reja, është lajm shumë i mirë. Por, a mjafton të blihet një aparaturë, dhe a nënkupton aparatura dhe klinika e re reformë në sistem? Absolutisht nuk mjafton”, thotë ajo.
Ramaj thekson se problemi qëndron edhe në mënyrën se si planifikohen dhe mirëmbahen investimet.
Një tjetër problem, që Ramaj e konsideron të rëndësishëm, është komunikimi ndërmjet institucioneve shëndetësore dhe pacientëve.
Ajo thotë se një nga treguesit më të qartë të problemeve në sistem është fakti se pacientët shpesh kërkojnë ndihmë nga gazetarët për të marrë informacione për gjendjen e familjarëve të tyre në QKUK.
“Kërkojnë nga gazetarët nëse njohin ndonjë mjek që ta dinë si e ka gjendjen gruaja, fëmija apo dikush tjetër. Kjo është kontradiktore, sepse ata kërkojnë diçka bazike për një pacient dhe familjen e tij kur marrin trajtim shëndetësor”, thotë Ramaj në 5 pyetje.
Podkastin mund ta dëgjoni edhe në Apple Podcasts dhe në Spotify.