Ndërlidhjet

IPK rekomandon suspendimin e dy policëve lidhur me pretendimet për keqtrajtimin e një serbi

E përditësuar
Një veturë e Policisë së Kosovës. Fotografi nga arkivi.
Një veturë e Policisë së Kosovës. Fotografi nga arkivi.

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë pas pretendimeve për keqtrajtimin e një qytetari serb, të identifikuar vetëm me inicialet N.R.

N.R. është identifikuar publikisht si Nenad Rashkoviq.

IPK rekomandoi suspendimin e dy policëve nga drejtoria rajonale e policisë në Mitrovicë të Veriut pasi dyshohet se janë përfshirë në veprën penale të keqtrajtimit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

IPK tha se rekomandimi u bë pas hetimit paraprak që kishte për qëllim verifikimin e pretendimeve dhe sqarimit të fakteve lidhur me veprimet policore gjatë një operacioni të zhvilluar në Dren të Zubin Potokut.

Hetimet nisën pas raportimeve mediale dhe deklaratave publike se më 11 gusht, Nenad Rashkoviq ishte keqtrajtuar nga policia.

Igor Simiq nga Lista Serbe ka reaguar ndaj vendimit të IPK-së, duke theksuar se “suspendimi nuk mjafton”.

“Përgjegjësit duhet të japin llogari para gjykatës, sepse bëhet fjalë për torturë, keqtrajtim psikik dhe fizik, shkaktim të lëndimeve të rënda trupore, nxjerrje me dhunë të deklaratës… ndërsa ata që me gënjeshtra u përpoqën ta mbulonin këtë krim duhet të mbajnë përgjegjësi”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Rashkoviq është dërguar në Beograd për trajtim të mëtejmë për shkak të gjendjes shëndetësore, sipas Zllatan Ellek, drejtor i Qendrës Klinike Spitalore në Mitrovicë të Veriut.

Ellek, që është kryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit – ai ishte pranuar në spitalin në Mitrovicë me marramendje dhe dridhje. Pas ekzaminimeve, sipas tij, është konstatuar se Rashkoviq ka pasur lëndime në kokë e kraharor si dhe thyerje të brinjëve.

Sipas versionit që Elek tha se ia kishte rrëfyer Rashkoviq, pjesëtarët e Policisë së Kosovës e kishin rrahur gjatë kontrollit të shtëpisë së tij dhe i kishin kërkuar të dorëzonte armë. Më pas, sipas tij, policët ishin larguar dhe ishin kthyer disa orë më vonë, kur dyshohet se e kishin dërguar në një pyll, e kishin lidhur për një pemë dhe e kishin rrahur sërish me një zorrë uji.

Ndërkaq, më 11 gusht Lista Serbe ka publikuar fotografi ku pretendohet se shihet Rashkoviq i mavijosur në shpinë. Në komunikatë, Lista Serbe tha se ai ishte dërguar në pyll, ku ishte lidhur me një pemë dhe ishte rrahur me një zorrë uji, me kërkesën që të pranonte se kishte kryer krime lufte ndaj shqiptarëve.

Së voni, në Zubin Potok janë kryer kontrolle dhe arrestime të personave të dyshuar për krime lufte, pasi në këtë komunë janë identifikuar disa lokacione ku dyshohet se mund të ndodhen varreza masive nga lufta e viteve 1998-’99 në Kosovë.

Vetë Rashkoviqi, për mediat në gjuhën serbe, kishte dhënë një version që dallonte në disa detaje nga ai i paraqitur nga Lista Serbe. Ai tha se, pasi ishte lidhur në pyll, policët e kishin liruar dhe se më pas ishte kthyer vetë në shtëpi. Sipas tij, në vendngjarje kishin qenë tre policë, por vetëm njëri prej tyre e kishte rrahur.

XS
SM
MD
LG