Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka nisur një hetim preliminar sipas detyrës zyrtare lidhur me pretendimet e Nenad Rashkoviqit, nga fshati Dren i komunës së Zubin Potokut, se pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë përdorur forcë të tepruar ndaj tij.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, IPK-ja tha se hetimi preliminar është nisur për t’i verifikuar pretendimet dhe për t’i sqaruar të gjitha faktet dhe rrethanat relevante që lidhen me këtë rast, përfshirë veprimet e policisë gjatë një operacioni të zhvilluar në Dren të Zubin Potokut.
“Duke mos paragjykuar rezultatin e hetimit, qëllimi i kësaj faze është mbledhja dhe vlerësimi i të gjitha informacioneve dhe provave të disponueshme në përputhje me mandatin ligjor të Inspektoratit”, thuhet në përgjigje.
IPK-ja tha se do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale brenda kompetencave të saj, përfshirë bashkëpunimin me institucionet relevante, sigurimin e dokumentacionit dhe informacioneve zyrtare, si dhe intervistimin e personave që mund të kenë njohuri për incidentin.
Qytetari të cilit IPK-ja i referohet me inicialet N.R. është identifikuar publikisht si Nenad Rashkoviq.
Pretendimet e tij u bënë publike fillimisht mbrëmjen e së martës nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila tha se ai ishte keqtrajtuar fizikisht nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Në një komunikatë, të shoqëruar me fotografi ku pretendohet se shihet Rashkoviqi me mavijosje në shpinë, Lista Serbe tha se ai ishte dërguar në një pyll, ku ishte lidhur për një pemë dhe ishte rrahur me një zorrë uji, me kërkesën që të pranonte se kishte kryer krime lufte ndaj shqiptarëve.
Ditëve të fundit, në Zubin Potok janë kryer kontrolle dhe arrestime të personave të dyshuar për krime lufte, pasi në këtë komunë janë identifikuar disa lokacione ku dyshohet se mund të ndodhen varreza masive nga lufta e viteve 1998-’99 në Kosovë.
Megjithatë, Rashkoviqi më pas dha për mediat në gjuhën serbe një version që dallonte në disa hollësi nga ai i paraqitur nga Lista Serbe. Ai tha se, pasi ishte lidhur në pyll, policët e kishin liruar dhe se më pas ishte kthyer vetë në shtëpi. Sipas tij, në vendngjarje kishin qenë tre policë, por vetëm njëri prej tyre e kishte rrahur.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha për Radion Evropa e Lirë më 11 gusht se policia nuk kishte informacione se pjesëtarët e saj kishin rrahur dikë, por se për rastin ishte njoftuar Inspektorati Policor i Kosovës.
Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka shprehur “shqetësim të thellë” lidhur me, siç tha, “pretendimet jashtëzakonisht serioze për keqtrajtim nga Policia e Kosovës”, dhe tha se po e përcjell nga afër rastin në përputhje me mandatin e tij dhe në bashkëpunim me institucionet kompetente.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, EULEX-i tha se ndalimi i çdo forme të keqtrajtimit është absolut dhe zbatohet në të gjitha rrethanat.
“Të gjitha pretendimet për keqtrajtim duhet të hetohen në kohë, në mënyrë të pavarur dhe efektive nga autoritetet kompetente, ndërsa personat përgjegjës për veprime të tilla duhet të mbajnë përgjegjësi”, tha EULEX-i.
Lista Serbe ka kërkuar hetim urgjent dhe të pavarur të rastit dhe u ka bërë thirrje KFOR-it dhe EULEX-it që t’i shqyrtojnë pretendimet.
EULEX-i, megjithatë, theksoi se zhvillimi i hetimeve penale nuk është pjesë e mandatit të misionit.
Katër organizata të shoqërisë civile serbe në Kosovë – Aktiv, Instituti për Zhvillim Ekonomik Territorial (InTER), Qendra për Avokimin e Kulturës Demokratike (ACDC) dhe Qendra për Veprime Shoqërore Afirmative (CASA) – i kërkuan Brukselit më 12 gusht të vlerësojë efektivitetin e monitorimit që EULEX-i i bën punës së Policisë së Kosovës.
Sipas tyre, kërkesa lidhet me pretendimet “për trajtim brutal të Nenad Rashkoviqit nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës, si dhe me informacionet për gjendjen në të cilën ai është pranuar në spital”.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se fotografitë, sipas tij, tregojnë se Rashkoviqi ishte keqtrajtuar nga Policia e Kosovës. Ai bëri thirrje për një hetim urgjent ndërkombëtar dhe për ndëshkimin e personave përgjegjës.