Ndërlidhjet

Përleshje në mes të ushtrisë irakiane dhe forcave kurde

  • RFE /RL

Ushtria irakiane ka raportuar se pjesëtarët e saj kanë lëvizur në drejtim të pjesëve të zotëruara nga kurdët, në provincën jugore të Kirkukut.

Në një deklaratë nga ushtria irakiane, thuhet se forcat pro-qeveritare kanë marrë kontrollin e urave, rrugëve dhe infrastrukturës, përfshirë kapacitetet e gazit, një stacion të rrymës dhe një stacion policor, derisa forcat po vazhdojnë të avancojnë.

Zëdhënësi i forcave kurde, Bahzad Ahmed, ka konfirmuar se forcat federale e kanë marrë kontrollin e hapësirave industriale në jug të Kirkukut gjatë luftimeve nga të cilat ka “shumë viktima”. Ai nuk ka dhënë shifra specifike lidhur me viktimat eventuale.

Ushtria irakiane dhe forcat kurde po përballen me njëra-tjetrën, derisa tensionet vazhdojnë të rriten, pas mbajtjes së referendumit për pavarësi nga Kurdistani, muajin e kaluar.

Ditë më parë, kryeministri irakian, Haidar al-Abadi, kishte thënë se ata “nuk do të luftojmë kundër qytetarëve kurdë”.

Tensionet kane filluar kur komandantët kurdë kanë thënë se kishin kundërshtuar afatin e caktuar nga Bagdadi, për tu zmbrapsur nga pozicionet e tyre në Kirkuk, që i kishin rimarrë derisa luftonin grupin ekstremist, Shtetit Islamik (IS).

Kirkuku është qytet në dalje të rajonit autonom të Kurdistanit, ndërsa forcat kurde Peshmerga, u vendosen aty kur forcat irakiane u larguan pas një disfate nga militantët e IS-it.

Të dyja palët, ajo irakiane dhe forcat kurde janë aleatë të Shteteve të Bashkuara dhe Uashingtoni ka këshilltarë ushtarakë në të dyja grupet, ka thënë Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis.

Të gjithë duhet të përqendrohemi për të mposhtur, militantët ekstremistë të Shtetit Islamik. Nuk duhet të luftojmë me njëri-tjetrin tani”, ka thënë Mattis.

Departamenti amerikan i Shtetit po ashtu kishte reaguar ndaj përballjes, duke shprehur shqetësimet e tyre, ku e rikonfirmuan se ishin të përfshirë në të dyja palët.

Zyrtarët amerikanë u kanë bërë thirrje forcave irakiane dhe kurde që “tu shmangen lëvizjeve eskaluese”, pas raportimeve për përleshje ushtarake në mes të ushtrisë irakiane, që ka lëvizur në drejtim të qytetit Kirkuk.

Pentagoni ka thënë se të gjithë akterët në rajon duhet të fokusohen në rrezikun e përbashkët që është grupi ekstremist, Shteti Islamik, dhe që të tu shmangen rritjes së tensionit në mes të njerëzve në Irak.

Zëdhënësja e Pentagonit, Laura Seal, ka thënë se Pentagoni e kundërshton dhunën nga cilado palë duke shtuar se “jemi kundër veprimeve destabilizuese që shpërqendrojnë nga luftimi i grupeve ekstremiste dhe atyre që destabilizojnë stabilitetin në Irak”.

Ushtria amerikane kanë thënë se vazhdojnë ta mbështesin “Irakun e bashkuar” dhe se dialogu është opsioni më i mirë për të mënjanuar tensionet në mes të Qeverisë së Bagdadit dhe liderëve të rajonit autonom, Kurdistanit.

Palët irakiane dhe kurde janë në tension që kur kurdët votuan për pavarësi nga Iraku më 25 shtator.

Bagdadi ka refuzuar bisedimet me palën kurde, derisa referendumi për pavarësi të anulohet.

Referendumi është kundërshtuar edhe nga fuqitë perëndimore, me arsyetimin se një votë e tillë mund të destabilizojë Irakun dhe luftën kundër militantëve ekstremistë të Shtetit Islamik.

Përgatiti: Linda Gjokaj
XS
SM
MD
LG