Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit paralajmëroi Bullgarinë që të mos lejojë Shtetet e Bashkuara të përdorin bazat e saj për operacione ushtarake kundër Republikës Islamike.
Esmail Baqaei tha më 21 korrik se çdo pjesëmarrje dhe bashkëpunim në përgatitjen dhe zbatimin e sulmeve amerikane “do të konsiderohet bashkëfajësi në kryerjen e krimit të agresionit dhe krimeve të luftës”.
Kryeministri bullgar, Roman Radev, ka thënë se do të kërkojë miratimin e Parlamentit për dislokimin e deri në tetë aeroplanëve cisternë amerikanë në një bazë ajrore në vend.
Bullgaria është anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baqaei, tha se ishte i befasuar nga deklaratat e Radevit, duke shtuar: “Vënia në dispozicion e territorit të një shteti për përdorim nga një shtet tjetër me qëllim kryerjen e një akti agresioni kundër një shteti të tretë konsiderohet akt agresioni”.
Tha se shpreson që Parlamenti bullgar do ta refuzojë kërkesën që SHBA-së t’i jepet leja për të përdorur bazën ajrore në Bullgari.
Që kur ka nisur në fund të shkurtit me sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, Uashingtoni ka kritikuar disa herë shtetet evropiane të NATO-s se nuk po e përkrahin luftën.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se “jemi të zhgënjyer nga shumica” e shteteve evropiane të NATO-s.
Por, shefi i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se një sërë bazash ushtarake amerikane në Evropë janë përdorur në operacionet ndaj Republikës Islamike.