Ndërlidhjet

Zineb Riboua: Republika Islamike është më e dobët sesa dëshiron që bota të besojë

Zineb Riboua, eksperte për Iranin në Qendrën për Paqe dhe Siguri në Lindjen e Mesme të Institutit Hudson.
Zineb Riboua, eksperte për Iranin në Qendrën për Paqe dhe Siguri në Lindjen e Mesme të Institutit Hudson.

Ceremonitë shtetërore mortore për ajatollah Ali Khamenei janë dizajnuar për të shfaqur një imazh të vazhdimësisë dhe forcës. Megjithatë, përtej skenografisë së kuruar me kujdes, mbeten pikëpyetje se kush e ka tani pushtetin brenda Iranit.

Radio Evropa e Lirë bisedoi me Zineb Riboua, hulumtuese në Qendrën për Paqe dhe Siguri në Lindjen e Mesme të Institutit Hudson, për strukturën e pushtetit në Iran pas Khameneit, ndikimin në rritje të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) dhe arsyen pse ajo beson se intensifikimi i shtypjes është shenjë dobësie, e jo vetëbesimi.

Radio Evropa e Lirë: Sapo pamë një funeral të organizuar me kujdes për ajatollah Ali Khamenei. A ishte ky një demonstrim i vërtetë i forcës së regjimit, apo një përpjekje për të shfaqur stabilitet në një moment të paprecedent pasigurie?

Zineb Riboua: Mendoj se ata duhej patjetër të shfaqnin forcë dhe unitet, veçmas sepse mbijetesa e Republikës Islamike si projekt, si shtet revolucionar, si doktrinë, por edhe si model për rajonin është e nevojshme për ta.

Përveç organizimit të këtij funerali madhështor, një nga gjërat që kanë bërë është intensifikimi i dënimeve, atentateve dhe ekzekutimeve me varje sepse e kanë kuptuar se një nga gjërat që dëshmoi Operacioni “Tërbimi Epik”ishte se sa i dobët është regjimi dhe sa i paaftë është për të projektuar fuqinë e tij.

Shumë nga grupet e bashkëpunëtorëve rajonalë që ata kanë nuk kanë qenë të dobishme, veçanërisht rebelët Huthi. Ata mund t’u ishin bashkuar lehtësisht sulmeve kundër Shteteve të Bashkuara në një shkallë të gjerë, por nuk e bënë këtë. Hezbollahu është i kurthuar në telashet e tij me Izraelin. Siria nuk është më një territor përmes të cilit Irani mund të bëjë atë që ka bërë gjithmonë sa i përket logjistikës dhe shfaqjes të fuqisë ushtarake.

Prandaj, mendoj se regjimit i kanë mbetur ende disa mjete të fuqisë së butë dhe nuk është rastësi që funerali u organizua në këtë mënyrë apo që komunikimet e tij janë bërë shumë më agresive se më parë. Ata e kuptojnë se lufta e informacionit dhe shfaqja e një imazhi të unitetit janë, për momentin, asetet e vetme që kanë.

Roli i zgjeruar i Gardës Revolucionare

Radio Evropa e Lirë: Nëse funerali kishte për qëllim të përcillte një mesazh vazhdimësie, çfarë zbuloi ai në të vërtetë se ku ndodhet tani pushteti? Shumë analistë argumentojnë se autoriteti është zhvendosur nga establishmenti klerikal drejt Gardës Revolucionare. A pamë dëshmi të kësaj gjatë kësaj jave?

Zineb Riboua: Mendoj se gjëja më interesante është se Garda Revolucionare gjithmonë ka luajtur një rol jashtëzakonisht të madh në shpërndarjen e burimeve, qeverisjen dhe hartimin e strategjisë ushtarake, veçanërisht kur bëhet fjalë për drejtimin e rrjetit të bashkëpunëtorëve rajonalë. Qassem Soleimani, komandant i lartë i Gardës që u vra nga SHBA-ja në vitin 2020, ishte një nga njerëzit më të rëndësishëm në Republikën Islamike.

Prandaj, idenë se ka pasur fragmentim apo mungesë koordinimi mes tyre, nuk mendoj se qëndron. Megjithatë, mendoj se për shkak të marrëdhënies që IRGC-ja ka me ajatollahun aktual, roli i saj është fuqizuar edhe më shumë dhe ajo po merr një peshë më të madhe në procesin e vendimmarrjes.

Megjithatë, gjatë kohës kur po zhvilloheshin negociatat në Pakistan dhe gjetkë, po ndodhte diçka interesante. Brenda Gardës Revolucionare Islamike ekzistojnë fraksione të ndryshme. Ishte mjaft interesante kur presidenti amerikan, Donald Trump, tha: “Po bisedojmë me tri grupe”. Ndërkaq, presidenti iranian, Masud Pezeshkian, kishte një qëndrim, ndërsa Garda një tjetër.

Pra, edhe pse Garda funksionon njëkohësisht si institucion ushtarak dhe ekonomik, nuk besoj se ajo ka vendosur ende se në çfarë drejtimi dëshiron ta çojë situatën, kush duhet të zhvillojë bisedime me SHBA-në dhe kush jo.

Po ashtu, ishte shumë interesante që kryetari i Parlamentit, Mohammad Baqer Qalibaf, mori një rol më të madh. Ai padyshim ka një ndikim të madh në çështjet që lidhen me Gardën, veçanërisht sa i përket buxhetit të saj vjetor. Kjo është e natyrshme. Megjithatë, ai mund të ketë ambicie që nuk përputhen domosdoshmërish me ato të kolegëve të tij brenda Gardës Revolucionare Islamike.

Prandaj, ndonëse Garda ka luajtur gjithmonë një rol të rëndësishëm dhe ky rol është zgjeruar dukshëm, ende mbetet pikëpyetje nëse ajo është po aq e bashkuar, siç ishte më parë.

Radio Evropa e Lirë: Përtej funeralit, edhe lista e të ftuarve përcolli një mesazh. Madje edhe disa nga partnerët më të afërt të Teheranit dërguan delegacione të nivelit më të ulët. A tregon kjo se Irani po izolohet gjithnjë e më shumë në arenën ndërkombëtare, apo po shohim një rikalibrim të aleancave të tij?

Zineb Riboua: Mendoj se izolimi i Republikës Islamike është i pamohueshëm. Ata kanë sulmuar vendet arabe. Madje, kanë goditur më shumë Emiratet e Bashkuara Arabe sesa Izraelin. Kanë goditur edhe Katarin, i cili kishte qenë shumë i angazhuar në ruajtjen e raporteve diplomatike me Teheranin. Po ashtu, ka shënjestruar edhe Arabinë Saudite, ndonëse Arabia Saudite kishte normalizuar marrëdhëniet me Iranin, me ndërmjetësimin e Pekinit.

Irani kishte kanale të ndryshme për të mobilizuar opinionin publik arab, duke e paraqitur Izraelin dhe SHBA-në si agresorët kryesorë, por kjo thjesht nuk ndodhi. Nuk pamë protesta në Riad apo Dubai kundër operacionit të SHBA-së ose Izraelit.

Mendoj se ky funeral ishte pjesë e një fushate të dërgimit të mesazheve për publikun e brendshëm, më shumë sesa për audiencën ndërkombëtare. Një nga zhvillimet më të rëndësishme për Iranin, përveç vetë operacionit ushtarak, ishin protestat e janarit dhe shtypja masive që pasoi. Regjimi duhet t’i përgjigjet edhe kësaj situate.

Ata e kuptojnë se kanë probleme me rekrutimin. Madje, edhe gjatë luftës Garda filloi të rekrutonte edhe fëmijë, sepse nuk po arrinte të siguronte mjaftueshëm të rinj për radhët e saj. Garda po has në vështirësi edhe në pagesën e ushtarëve të saj. Madje pati debate mes oficerëve, të cilët shihnin se luftëtarët e Hezbollahut paguheshin, ndërsa ata jo.

Pra, Republika Islamike po përballet me probleme të ndryshme ekonomike dhe sociale. Përveç faktit që nuk arriti të mobilizojë vendet arabe, edhe qeveritë arabe po e shohin gjithnjë e më shumë zhgënjimin në rritje të popullsisë iraniane ndaj regjimit të tyre.

Problemet ekonomike të Iranit

Radio Evropa e Lirë: Pas këtyre shfaqjeve të unitetit fshihet një ekonomi që po përballet me inflacion të lartë, vështirësi financiare dhe pakënaqësi në rritje të qytetarëve. Sa realisht është i madh presioni ndaj regjimit?

Zineb Riboua: Njerëzit shpesh përmendin vende si Kuba apo Koreja e Veriut dhe thonë se ato i kanë mbijetuar presionit të jashtëzakonshëm dhe pakënaqësisë së qytetarëve. Por, Irani po përballet me dy kërcënime. I pari është presioni ushtarak nga SHBA-ja dhe Izraeli. I dyti është se regjimi tashmë e ka shteruar një pjesë të madhe të kapaciteteve të tij sepse popullsia ishte ngritur në protesta në janar si dhe dy vjet më parë.

Nëse shihen protestat, që nga ato që u nxitën nga vdekja e Mahsa Aminit (gruas kurdo-iraniane, vdekja e së cilës gjatë kohës sa ishte në paraburgim më 2022 shkaktoi protesta masive) e deri te demonstratat më të fundit, ato po bëhen gjithnjë e më të dhunshme. Njerëzit janë të gatshëm edhe të vdesin. Mendoj se ky është një tregues shumë i qartë se çfarë mendon popullsia për regjimin.

Ka po ashtu shumë probleme që Republika Islamike nuk po arrin t'i zgjidhë dhe nuk besoj se është në gjendje ta bëjë këtë pas humbjes së saj ushtarake.

Përtej inflacionit dhe krizës së vlerës së valutës kombëtare, Irani përballet me probleme serioze në menaxhimin e burimeve ujore. Qeveria nuk po arrin të ofrojë shërbimet bazë. Në një moment, iranianët e kuptojnë se një pjesë e madhe e parave të mbledhura nga taksat e tyre po shkon për financimin e rrjetit të bashkëpunëtorëve rajonalë në vend se të përdoren për nevojat e tyre bazike.

Për shkak të prioriteteve të Gardës, mendoj se regjimi në një moment do të arrijë kufirin e asaj që mund t'i kërkojë shoqërisë të sakrifikojë vetëm për të ruajtur Republikën Islamike.

Radio Evropa e Lirë: A prisni që shtypja ndaj zërave kritikë të ashpërsohet ndërsa udhëheqja konsolidon pushtetin?

Zineb Riboua: Pa dyshim që shtypja do të intensifikohet. Kemi parë tashmë tregues të kësaj gjatë protestave të janarit. Mendoj se ata nuk kanë zgjidhje tjetër. Besoj se Garda Revolucionare Islamike është e gatshme të sakrifikojë shumë njerëz për të qëndruar në pushtet dhe mendoj se ka vullnet ta bëjë këtë për aq sa mundet.

Nëse kjo do të jetë vërtet efektive për ta penguar popullsinë të ngrihet sërish në protesta, kjo është pikëpyetje. Besoj se përgjigjen do ta marrim shumë shpejt.

Radio Evropa e Lirë: A ka të bëjë kjo pikë së pari me imponimin e ideologjisë apo me parandalimin e një vale tjetër të protestave mbarëkombëtare?

Zineb Riboua: Mendoj se ka të bëjë me të dyja. Mjafton të shohim se çfarë po ndodh sot në Lindjen e Mesme. Armenia dhe Azerbajxhani po lëvizin drejt paqes, zgjerimit të tregtisë dhe modernizimit.

Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejni, Kuvajti dhe vende të tjera kanë agjenda ambicioze zhvillimi. Arabia Saudite ka programin "Vizioni 2030". Është e vërtetë që këto vende përballen me sfida ekonomike dhe fiskale, por udhëheqësit e tyre po propozojnë strategji që synojnë të përmirësojnë perspektivën dhe mirëqenien e të rinjve sauditë.

Republika Islamike e sheh se çfarë po ndodh përreth saj dhe e kupton se nuk po arrin t’u ofrojë qytetarëve të saj këto gjëra. Ajo që po ofron është një revolucion i përhershëm, të cilin shumë njerëz nuk e mbështesin më. Prandaj, po përpiqet t’i detyrojë të gjithë që t’iu binden rregullave dhe simbolikës së regjimit, duke besuar se kjo do të pranohet nga popullsia iraniane.

Por, mendoj se tani ekziston një ndarje e thellë mes brezave, ndarje të cilës regjimi, thjesht, nuk po i përgjigjet dhe mendoj se nuk ka mjete për ta bërë këtë.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë mund të bëjnë më shumë Uashingtoni dhe aleatët e tij për të rritur presionin ndaj regjimit, pa dëmtuar qytetarët e zakonshëm iranianë?

Zineb Riboua: Rritja e presionit ndaj Kinës është kyç. Nëntëdhjetë për qind e naftës së Iranit eksportohet në Kinë. Kina po ashtu e ka ndihmuar Iranin që të sigurojë përbërës kimikë për raketat balistike dhe ka mbështetur programin e tij të dronëve.

Një nga hapat më të mirë që ndërmori administrata amerikane ishte vendosja e sanksioneve ndaj kompanive kineze të transportit detar dhe kompanive hapësinore, të cilat i ofronin Iranit të dhëna për shënjestrim dhe njëkohësisht mbështesnin edhe rebelët Huthi.

SHBA-ja duhet të pranojë rolin më të gjerë që Kina ka luajtur në fuqizimin e Iranit dhe të sigurohet që Pekini të mos mund të vazhdojë të blejë naftën të sanksionuar iraniane me çmime të ulëta.

Radio Evropa e Lirë: Në të ardhmen, çfarë përbën kërcënimin më të madh për Republikën Islamike: presioni ushtarak, negociatat e vështira me Uashingtonin, përkeqësimi ekonomik apo pakënaqësia në rritje brenda vendit?

Zineb Riboua: Mendoj se është kombinimi i presionit ushtarak dhe ekonomik që kanë ushtruar SHBA-ja. Ishte shumë e rëndësishme që Departamenti amerikan i Thesarit të godiste sistemin bankar në hije të Gardës Revolucionare, i cili vepron përmes Dubait dhe qendrave të tjera financiare. Çdo fushatë ushtarake duhet të shkaktojë dëm të përhershëm. Kur nuk është e mundur të arrihen lëshime politike, duhet të sigurohesh që kundërshtari të mos jetë në gjendje të rindërtojë atë që sapo i keni shkatërruar.

Thënë kjo, Irani ende ka një program bërthamor. Ai është i fshehur nën tokë, po, por vazhdon të përbëjë një kërcënim. Po ashtu, ende ekzistojnë programi i dronëve dhe arkitektura raketore, një pjesë e madhe e së cilës është e orientuar drejt vendeve të Gjirit. Prandaj, mbetet ende shumë punë për t’u bërë.

Por, për një fushatë që zgjati kaq pak – dhe unë e konsideroj atë një fushatë shumë të shkurtër, duke pasur parasysh natyrën e rajonit dhe gjeografinë e Iranit – ajo e dobësoi regjimin në një mënyrë që nuk kishte ndodhur që nga fillet e saj.

Ky material është pjesë e rubrikave
XS
SM
MD
LG