Komanda qendrore e ushtrisë së Iranit njoftoi për ndaljen e sulmeve ajrore kundër Izraelit, duke deklaruar se i ka dhënë “një përgjigje të dhimbshme” Izraelit lidhur me sulmet izraelite në qarkun Dahijeh të Bejrutit – por, paralajmëroi se çdo vazhdim i agresionit izraelit do të prodhojë hakmarrje “edhe më intensive dhe shkatërruese”.
Njoftimi i 8 qershorit erdhi pak kohë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, shkroi në Truth Social se “të dyja palët, Izraeli dhe Irani, po synojnë të arrijnë një armëpushim të menjëhershëm”, duke shtuar se negociatat përfundimtare për një marrëveshje paqeje SHBA-Iran po vazhdojnë dhe se bllokada amerikane ndaj porteve iraniane do të mbetet në fuqi deri në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.
Në deklaratën e tij, Shtabi Qendror i Khatam Al-Anbiya në vetvete nuk shpalli një armëpushim, por një operacion të përfunduar, me disa kushte. Ai e paraqiti ndaljen e luftimeve jo si ulje të tensioneve, por si një mesazh të dërguar, në përpjekje për të ruajtur imazhin e forcës, ndërkohë që po synon uljen e përshkallëzimit të cilin e sinjalizoi Uashingtoni.
Ky është pikërisht ai operacion që analistët e kishin përshkruar edhe gjatë kohës kur sulmet po kryheshin. Irani kishte vendosur një kërcënim specifik në tryezë: nëse sulmohej Dahijehi, ku ndodhet baza e aleatit libanez të Iranit, atëherë Irani do të godiste veriun e Izraelit. Kur Izraeli goditi periferitë e Bejrutit, Teherani kishte pak zgjedhje përveçse ta shndërronte kërcënimin në vepër, ose të humbiste besueshmërinë e çdo kërcënimi të ardhshëm që bën.
“Ky veprim kishte të bënte kryesisht me ruajtjen e besueshmërisë të një kërcënimi që Irani e kishte bërë publik më herët”, tha për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë, Mohammad Ghaedi, ligjërues në Universitetin George Washington. “Përgjigjet janë të kufizuara dhe asnjëra nga palët nuk dëshiron që kjo të çojë në një luftë në shkallë të plotë”.
Mehrdad Khansari, analist me bazë në Londër dhe ish-diplomat iranian, ngjashëm e sheh këtë situatë.
Llogaritja e Teheranit, sipas tij, mbështetet në një lexim të caktuar të kufizimeve të Uashingtonit – se Shtetet e Bashkuara, që përballen me Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, mbylljen e Ngushticës së Hormuzit dhe me një ekonomi të tronditur globale – do të ushtronin presion ndaj Izraelit që përgjigja e tij të ishte e kufizuar.
“Irani po demonstron kapacitetin e tij”, tha Khansari. “Mesazhi është: unë po qëndroj i palëkundur, po i mbroj aleatët e mi dhe nuk do t’ju lejoj të shfrytëzoni atë që ju e perceptoni si dobësi”.
Deklarata e lëshuar nga Irani ndjekë këtë logjikë.
Ajo është e dizajnuar që të duket si vetëpërmbajtje, teksa njëkohësisht e rrit tavanin e deklaruar për rundin e ardhshëm – fraza “shumë më intensive dhe shkatërruese se më parë” siguron që tërheqja e sotme të mos lexohet si dorëzim.
Ajo që ka arritur Irani, nëse ky pushim në luftime qëndron, është një kthim në gjendjen e mëparshme, me pozicionin e tij të parandalimit, që e ruan në mënyrë nominale. Ai ka përmbushur një zotim publik, ka përballuar çfarëdo reagimi izraelit që mund të vijë dhe është tërhequr përpara se përshkallëzimi të shndërrohej në diçka që asnjëra palë nuk mund ta kontrollojë.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha përmes një video të shkurtër të publikuar nga zyra e tij më 8 qershor se “luftimet janë ndalur” kundër Iranit, pasi Teherani përfundoi sulmet e tij ndaj Izraelit. Por, në deklarimin e parë pasi Irani lëshoi raketa drejt Izraelit, ai paralajmëroi se nëse Teherani “bën gabim dhe rinis sulmet kundër nesh, ne do të përgjigjemi me gjithë forcën”.
Postimi i Trumpit në Truth Social sugjeroi se të dyja palët po lëviznin drejt një armëpushimi të menjëhershëm, por zyrtarët izraelitë, gjatë këtij konflikti, në disa raste kanë vepruar në mënyrë të pavarur nga kërkesat e Uashingtonit.
Në një intervistë për Financial Times, Trump tha më 7 qershor se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, “nuk do të ketë asnjë zgjedhje tjetër” përveçse të pranojë çdo marrëveshje që Shtetet e Bashkuara arrijnë me Iranin.
“Unë i marr vendimet. Unë i marr të gjitha vendimet. Ai nuk i merr vendimet”, tha Trump, pavarësisht se Izraeli kreu sulme ndaj Iranit në orët e para të 8 qershorit.