Ndërlidhjet

Irani i akuzon SHBA-të për shkelje të marrëveshjes atomike

  • RFE /RL

Raketat balistike e Iranit. Foto arkiv

Irani thotë se e ka paraqitur një ankesë në komisionin përgjegjës për mbikëqyrjen e implementimit të marrëveshjes atomike të vitit 2015, për shkak të sanksioneve të reja të Shteteve të Bashkuara kundër Iranit.

Kryetari i Parlamentit të Iranit, Ali Larijani, ka njoftuar dje për këtë ankesë, me të cilën Uashingtoni akuzohet për shkelje të marrëveshjes, të njohur si Plani i Përbashkët Gjithpërfshirës Aksional (JCPOA), ndërmjet Iranit dhe gjashtë fuqive botërore, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Ankesa e Iranit u bë pasi Departamenti amerikan i Thesarit, në fund të muajit të kaluar, ka imponuar sanksione kundër gjashtë firmave iraniane për rolin e tyre në zhvillimin e raketave balistike. Këto sanksione u ndërmorën për shkak të testit të raketës iraniane me kapacitet për dërgim të satelitëve në orbitë të Tokës.

Kongresi i Shteteve të Bashkuara, po ashtu, e ka miratuaar legjislacionin për sanksione të reja kundër Iranit, në shënjestër të të cilave është programi raketor, abuzuesit e të drejtave të njeriut dhe Garda Revolucionare e Iranit.

Irani është ankuar në komision për shkelje të marrëveshjes nga Amerika”, i tha Larijani agjencisë iraniane të lajmeve, Tahsin.

Ai i referohej Komisionit të Planit të Përbashkët Gjithpërfshirës Aksional, i cili është formuar nga gjashtë fuqitë botërore, Irani dhe Bashkimi Evropian, për mbikëqyrjen e shkeljeve të mundshme të marrëveshjes atomike.

Nëse ky komision nuk është në gjendje ta zgjidhë mospajtimin, atëherë palët mund të shkojnë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Irani edhe më parë i ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për mosrespektim të marrëveshjes atomike duke imponuar sanksione, por më parë nuk ka ndërmarrë kurrfarë aksioni formal kundër Uashingtonit.

Shtetet e Bashkuara, e arsyetojnë imponimin e sanksioneve duke theksuar se testet raketore iraniane paraqesin shkelje të “frymës” së marrëveshjes, ndërsa kjo dispozitë gjendet edhe në rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Me këtë dispozitë nga Irani kërkohet që të përmbahet nga provat raketore, që kanë kapacitet për bartje të kokave atomike.

Sekretari ameerikan i Shtetit, Rex Tillerson, e ka përsëritur qëndrimin e tij në një konferencë të mbrëmshme për gazetarë, duke theksuar se Irani po e shkel frymën e marrëveshjes, pasi ajo kërkon që Teherani t’i ndalë provat e raketave balistike dhe të jetë “fqinj i mirë” me vendet e tjera të rajonit të Gjirit Persik.

Por, qëllimi kryesor i marrëveshjes bërthamore është tërheqja e sanksioneve ndërkombëtare kundër Iranit në këmbim për kufizimin e aktiviteteve atomike iraniane.

Por, Shtetet e Bashkuara kanë imponuar sanksione joatomike kundër Iranit, në shënjestër të të cilave janë zhvillimi raketor dhe aktivitetet e tjera.

Zoti Tillerson, po ashtu, ka thënë se është mbështetës i fuqishëm i marrëveshjes atomike dhe se atë e ka mbrojtur në diskutimet e tij me presidentin, Donald Trump, i cili disa herë ka thënë se do të dëshironte ta fundoste atë.

Rrjedhimisht, duke folur për mospajtimet e tij me presidentin, Donald Trump, lidhur me marrëveshjen atomike me Iranin, zoti Tillerson tha:

Ai dhe unë kemi dallime në pikëpamje për gjëra, siç ështëPlani i Përbashkët Gjithpërfshirës Aksional dhe si ne duhet ta shfrytëzojmë atë, por mendoj se nëse ne nuk do t’i kishim këto dallime, unë nuk do të isha i sigurt se po i shërbej atij”, tha Rex Tillerson.

Mëtutje, ai theksoi se “ekzistojnë shumë mënyra alternative, me të cilat ne e shfrytëzojmë marrëvshjen për avancimin e politikave tona dhe raportet me Iranin, dhe kjo është ajo që përgjithësisht flasim me Presidentin”.

Megjithatë, Tillerson ka pranuar se nuk është i sigurt se e ka bindur Trumpin që ta respektojë marrëveshjen për një periudhë afatgjate.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG