Ndërlidhjet

Irani kundërpërgjigjet me raketa dhe dronë pas sulmeve të SHBA-së

Sulmet iraniane më 31 gusht.
Sulmet iraniane më 31 gusht.

Irani ka lëshuar raketa dhe dronë kundër caqeve ushtarake amerikane në të gjithë Lindjen e Mesme më 2 shtator, duke u zotuar për pasoja “të rënda” pas sulmeve të reja amerikane kundër Republikës Islamike.

Mediat shtetërore iraniane thanë se Teherani ka goditur me raketa balistike objektivat amerikane në Jordani. Ushtria jordaneze tha se 13 raketa iraniane hynë në hapësirën e saj ajrore, 10 prej të cilave u penguan, ndërsa tri ranë në zona të thella.

Nga këto sulme nuk është raportuar për viktima.

Për sulme iraniane me raketa dhe dronë u raportua edhe në Kuvajt dhe Bahrejn. Ushtria e Kuvajtit tha se mbrojtja e saj ajrore ka reaguar ndaj raketave dhe dronëve armiqësorë, ndërsa Bahrejni tha se mbrojtja e tij ajrore ka penguar dhe shkatërruar dronë iranianë.

Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) tha se ka shënjestruar me raketa dhe dronë bazat amerikane në rajonin autonom të Kurdistanit në Irak, duke pretenduar se kishte shkatërruar një qendër mirëmbajtjeje, depo dhe pajisje.

Ky pretendim, i raportuar nga agjencia shtetërore iraniane e lajmeve IRNA, nuk ka mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur.

Rundi i fundit i luftimeve nisi kur Uashingtoni goditi objektiva iraniane më 30 gusht, që ishin sulmet e para amerikane pas disa javësh pezullim të sulmeve.

Më pas, Teherani shënjestroi forcat amerikane në Jordani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa predha goditën dy cisterna nafte në sulme, në Ngushticën e Hormuzit. Përgjegjësinë për sulmet ndaj cisternave nuk e ka marrë askush.

XS
SM
MD
LG