Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

KQZ: Të dhënat preliminare, Gani Dreshaj nga AAK-ja, kryetar i Istogut


Istogu rivoton për të parin e komunës
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:30 0:00

Istogu rivoton për të parin e komunës

Bazuar në të dhënat preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Gani Dreshaj, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, i ka fituar zgjedhjet për kryetar të ri të komunës së Istogut.

Dreshaj ishte në garë në rivotim me kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova.

Nga 100 për qind e numërimit të fletëvotimeve në vendvotime, Gani Dreshaj nga AAK-ja, ka marrë 10, 241 vota apo 50.1 për qind, ndërsa Haki Rugova 10, 189 vota apo 49.9 për qind.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, në konferencën për media ka njoftuar se deri në orën 19:00 kur edhe janë mbyllur kutitë e votimit, kanë votuar 20,248 votues apo 41, 27 për qind.

Në komunën e Istogut ishin të hapura 23 qendra votimi me 63 vendvotime.

Të drejtë vote kishin 49 mijë e 150 qytetarë.

Prokurori i Shtetit përmes një komunikatë për media ka njoftuar se janë raportuar vetëm 4 raste lidhur me procesin zgjedhor për kryetar të komunës së Istogut.

“Pas marrjes së informatave se një anëtar i një subjekti politik në Istog, ka dhënë para për të blerë vota, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është intervistuar i dyshuari, ndërkaq rasti është iniciuar me raport të veçantë për procedim të mëtejshëm".

"Ndërkaq, pas marrjes së informatave dhe pas verifikimit të tyre nga prokurorët, të cilët kanë përcjell për së afërmi procesin e rivotimit për komunën e Istogut, rezulton se nuk ka pasur elemente të ndonjë vepre penale që lidhet me procesin zgjedhor”, thuhet në komunikatën për media.

Ndërkohë, koalicioni i organizatave joqeveritare vendore, “Demokracia në Veprim”, e cila vëzhgoi procesin e zgjedhjeve në komunën e Istogut, përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se në përgjithësi procesi i votimit është zhvilluar normalisht.

“Demokracia në Veprim përmes ekipeve mobile ka vazhduar të vëzhgojë procesin e votimit në Komunën e Istogut, ku është u rivotuar për kryetar të komunës. Prej parregullsive për të cilat kemi raportuar në pjesën e paradites, e që ka vazhduar të përcjellë procesin edhe pasdite, ka qenë votimi me asistencë”, thuhet në njoftimin e DNV-së.

Gjatë ditës, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u kishte bërë thirrje qytetarëve të komunës së Istogut për pjesëmarrje sa më të madhe në votime.

“Zgjedhjet në Istog, sot, janë një hap përpara për të ardhmen e secilit qytetar të komunës. Vota është garanci për të nesërmen dhe prandaj, pjesëmarrja sa më e madhe në votime i jep forcë zhvillimit të qytetit dhe legjitimitetit të zgjedhjeve”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin social facebook.

Rivotimi në komunën e Istogut u mbajt pas vendimit të Gjykatës Supreme, e cila i pati pranuar si të pabaza ankesat e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila kishte kërkuar që të anulohen votat me postë dhe të mos ketë rivotim.

Pas numërimit të votave me kusht dhe atyre të ardhura me postë, kandidati i LDK-së për kryetar të Istogut, Haki Rugova kishte humbur kryesimin, çka kishte sjellë përmbysjen e rezultatit, duke e vënë Gani Dreshajn e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës fitues në Istog.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG