Fotografitë e javës
Radio Evropa e Lirë ju sjell fotografi të veçanta nga disa prej ngjarjeve të javës që lamë pas si: ndeshja e futbollit ndërmjet Kosovës dhe Izraelit në stadiumin e Prishtinës, ceremonia martesore për 100 çifte në Afganistan, smogu që ka kapluar disa qytete, etj. (Përgatiti: Syzanë Paçarizi)

1
Sarajevën e mbulon mjegulla. Me një AQI (Indeksi i Cilësisë së Ajrit-Air Quality Index) prej 157, i cili është etiketuar si "i pashëndetshëm", kryeqyteti boshnjak është ndër qytetet më të ndotura në botë, duke u renditur aktualisht në vendin e gjashtë.

2
Fshati Janjevë në komunën e Lipjanit të Kosovës, ku jetojnë disa komunitete si kroatët, shqiptarët, turqit dhe romët.

3
Një anëtar sindikalist i bie një borie plastike ndërsa valëvit flamurin kombëtar gjatë një proteste të mbajtur para selisë së Qeverisë në Bukuresht. Qindra anëtarë të Sindikatës së Hekurudhave, Sindikatës së Pylltarëve, anëtarë të Sindikatës Ushtarake të pushuar nga puna për t'i ulur shpenzimet dhe të Sindikatës së Policisë Lokale u mblodhën në kryeqytetin rumun për të protestuar kundër ligjit të ri të sistemit të pensioneve publike.

4
Një grua e re ukrainase vesh një fustan me ngjyrat e flamurit kombëtar të vendit dhe xhaketën me ngjyrë kamuflazhi të vëllait të saj të rënë teksa ecën me një mik në Sheshin e Pavarësisë në Kiev.