Ndërlidhjet

Kontradiktat e punimeve në Kalanë e Novobërdës


Ndërpriten punimet në Kalanë e Novobërdës
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:03:56 0:00

Ndërpriten punimet në Kalanë e Novobërdës

Askush nuk mund ta vizitojë nga afër Kalanë e Novobërdës. Afër saj janë vendosur shirita që tregojnë për rrezikun nga shembja e gurëve.

Shiritat u vendosën pas ndaljes së punimeve në konservimin e kalasë, që po kryhen nga kompania “Koto” nga Beogradi.

Vendimin për ndaljen e punimeve e mori Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, pasi, para pak ditësh, u shembën disa pjesë të mureve të jashtme të kalasë.

Drejtori i këtij instituti, Ismet Hajrullahu, thotë se puna e kompanisë nga Beogradi, që e fitoi projektin ndërkombëtar të shpallur nga UNESCO, vazhdimisht është përcjellë me skandale.

“Punë joprofesionale, të cilat i kanë shoqëruar skandale të njëpasnjëshme, me betonimin e gjetjeve arkeologjike të Kosovës - gjë që është vepër penale, është vepër e dënueshme - deri te përdorimi i ekskavatorit që ishte herën e fundit, që preken muret me ekskavator, gjë që është krejtësisht e paparë diku, që në një aset të trashëgimisë kulturore, siç është p.sh. Kalaja e Novobërdës, të preken muret me ekskavator. Në vendet e ndryshme edhe makineritë që janë me tonazh të lartë, nuk iu afrohen aseteve të trashëgimisë kulturore, për shkak të vibracioneve që mund t'i japë makineria e lartë, e lërë më pastaj prekja e mureve me ekskavator”, thotë Hajrullahu.

*Fotogaleri: Trashëgimia kulturore dhe fetare e Kosovës

Projekti për rivitalizimin dhe ruajtjen e Kalasë së Novobërdës ka filluar në vitin 2014 dhe ka për qëllim ruajtjen e kalasë, por edhe nxitjen e turizmit në këtë pjesë.

Pas ngritjes së shqetësimeve nga institucionet kosovare për punët që po kryhen në Kalanë e Novobërdës, në UNESCO thonë se çdo ndërhyrje është bërë në bashkëpunim të ngushtë me institucionet përgjegjëse të Kosovës.

“UNESCO po ndjek me vëmendje zhvillimin e situatës dhe ka elaboruar tashmë masat e kërkuara të ruajtjes, për të ndaluar prishjen e mëtejshme të strukturës. Të gjitha ndërhyrjet e implementuara deri më tani, janë bërë në bashkëpunim të ngushtë me institucionet përgjegjëse lokale”, thuhet në përgjigjen e UNESCO-s për Radion Evropa e Lirë.

Edhe institucionet e Kosovës janë të ndara për faktin se si po kryhen punimet në këtë kala.

Mendim shumë më pozitiv për punën që ka kryer UNESCO dhe kompania “Koto” në Kalanë e Novobërdës, ka drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha.

“Ne nuk e kemi zgjedhur kompaninë, e ka zgjedhur UNESCO-ja. Ne e kemi obligim profesional t'i trajtojmë për detyrën që duhet ta kryejnë dhe detyra e tyre, deri më 2018, ka qenë e mirë. Mirëpo, dëmi ka dalë dhe duhet të shqyrtohet si dëm dhe duhet të rregullohet, të ecet tutje. Unë mendoj se UNESCO-ja do ta rregullojë këtë çështje, pavarësisht mendimeve tona, a jemi pro a kundër apo kemi kërkesa që të largohet kjo kompani apo tjetra. Unë besoj se do ta marrin sinqerisht, siç janë sinqerisht duke punuar”, thekson Rexha.

Arkeologët, të cilët më parë kanë bërë kërkime arkeologjike në Novobërdë, thonë se projekti duhet të vazhdojë, pavarësisht dëmeve që janë shkaktuar.

Arkeologu Haxhi Mehmetaj, tani në pension, kërkon që të mos politizohet rasti i Kalasë së Novobërdës.

“Nuk duhet të përdoret Artana, qyteti mesjetar për politikë, për të bërë politikë, por duhet të gjykohet esëll dhe të shihet domethënë se si mund të vazhdohet, se si mund përsëri të krijohen raporte të mira me UNESCO-n, në mënyrë që ajo të përdorë autoritetin, në mënyrë që ajo t'i përdorë firmat. Të njëjtat firma duhet ta mbajnë barrën e përgjegjësisë dhe të vazhdojnë projektin, por tash, me një mbikëqyrje tjetër, domethënë me një mbikëqyrje permanente edhe nga institucionet vendore dhe nga institucionet ndërkombëtare”, vlerëson Mehmetaj.

Paratë për rivitalizimin e Kalasë së Novobërdës i ka dhënë Bashkimi Evropian.

XS
SM
MD
LG