Ndërlidhjet

Pendarovski i zhgënjyer nga prokurorja Janeva


Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski kërkon hetim të plotë, të shpejtë dhe efektiv të skandalit me rastin “Zhvatja”, ku një afaristi i janë marrë 1.5 milion euro për të shpëtuar nga një proces gjyqësor, e në të cilin përveç dy personave të paraburgosur dyshohet të jetë përfshirë edhe prokurorja speciale në dorëheqje, Katica Janeva.

“Përveç përgjegjësisë penale duhet të ketë edhe përgjegjësi të politikanëve, qofshin ata nga Qeveria apo opozita, nëse kanë ndonjë lidhje me çështjen, në aspektin e mbrojtjes së personave nën hetim”, deklaroi presidenti Pendaroski duke kritikuar veprimin e prokurorëve, që sipas tij kanë zgjedhur pushimet, në vend se të merren seriozisht për zbardhjen e shpejtë të rastit.

Në një paraqitje të jashtëzakonshme para mediave, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendaroski, tha se është i zhgënjyer nga ajo që ka dëgjuar lidhur me këtë rast duke aluduar në video-incizimet që po publikohen nga një gazetë italiane “La Verita”, ku sipas gazetës duken afaristi, Orce Kamçev duke i dorëzuar paratë tashmë dy personave të arrestuar, Bojan Jovanovski dhe Zoran Milevski, por gjithashtu dëgjohet edhe prokurorja Janeva, e cila i sqaron procedurat që do të ndiqen për mos paraburgosjen e afaristit.

Kreu i shtetit tha se e kupton gjithashtu dëshpërimin e qytetarëve nga dështimi i drejtësisë për t’u reformuar, ashtu siç ishte premtuar.

“Revolta mes qytetarëve është jashtëzakonisht e madhe dhe e justifikuar dhe si qytetar jam i zhgënjyer që pritjet e mia janë tradhtuar...Askush nuk duhet të jetë mbi ligjet në këtë vend”, u shpreh Pendarovski.

Presdienti Pendarovski po ashtu tha se pavarësisht skandalit, e gjithë Prokuroria Speciale nuk duhet të njolloset për shkak të veprimit të një personi, por duhet të vazhdojë të procedojë të gjitha rastet që kanë të bëjnë me veprat penale, qofshin të Qeverisë së kaluar apo të kësaj të tanishmes. Kreu i shtetit gjithashtu u shpreh kundër kërkesës për zgjedhje të parakohshme, duke theksuar se kjo mund të pengojë procesin e integrimit evropian.

XS
SM
MD
LG