Ndërlidhjet

Kërcënime reciproke ndërmjet SHBA-ve dhe Koresë Veriore


Trump paralajmëron Korenë e Veriut
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:31 0:00

Koreja Veriore sot është kërcënuar se “me kujdes po i shqyrton” planet për lansimin e sulmit raketor kundër ishullit Guam në Paqësorin e Shteteve të Bashkuara, disa orë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, i ka tërhequr vërejtjen Phenianit se çfarëdo kërcënimi do të ndeshet me “zjarr dhe ashpërsi”.

Koreja Veriore tha se qëllim i saj është zhvillimi i raketës me kokë atomike, e aftë për ta sulmuar tokën e Shteteve të Bashkuara, dhe i ka injoruar sanksionet ndërkombëtare, me të cilat synohet ndalja e programit atomik dhe raketor të Koresë Veriore.

Një sulm nga raketa balistike strategjike me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi, mund të lansohet kah Gaumi, në çdo moment, atëherë kur lideri verikorean, Kim Jong Un, e merr vendimin, ka thënë një zëdhënës i Armatës Popullore të Koresë Veriore, në deklaratën e transmetuar nga agjencia shtetërore e lajmeve e këtij vendi, KCNA.

Ky zëdhënës tha se sulmi do të kishte për qëllim për të “arritur në bazat ushtarake kryesore të Shteteve të Bashkuara në Guam”.

Territori i Guamit
Territori i Guamit

Kjo bazë është tejet e rëndësishme për ushtrinë amerikane, pasi nga ajo lansohen misione në rajonin Azi-Paqësor.

Koreja Veriore, po ashtu, i ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se po përgatisin “luftë parandaluese”, për të cilën Pheniani thotë se do të shndërrohej në “luftë të përgjithshme me shkatërrimin e të gjitha bazave të armikut, përfshirë tokën e Shteteve të Bashkuara”.

Guvernatori i Guamit, Eddie Calvo, i ka hedhur poshtë kërcënimet e Phenianit dhe tha se ishulli është i përgatitur për “çfarëdo eventualiteti” me vendosjen e mbrojtjeve strategjike.

Zoti Calvo tha se është në kontakt me Shtëpinë e Bardhë dhe se nuk ka ndryshim në nivelin e kërcënimit për Guamin, me popullatë prej 163 mijë banorëve.

Në një video mesazh, guvernatori Calvo tha se “Guami është tokë amerikane dhe se ne nuk jemi vetëm instalim ushtarak”.

Presidenti amerikan, Donald Trump, më herët ia ka tërhequr vërejtjen Phenianit për pasoja të rënda, nëse kërcënohen Shtetet e Bashkuara.

Më së miri është që Koreja Veriore të mos u kërcënohet mëtutje Shteteve të Bashkuara”, u tha mbrëmë vonë zoti Trump gazetarëve dhe ka shtuar se “ata do të ndeshen me zjarr dhe ashpërsi, që bota nuk e ka parë kurrë”.

Këtë vërejtje presidenti Trump e bëri pas raportit të së përditshmes, Washington Post, ku citohen zyrtarët e inteligjencës së Shteteve të Bashkuara, se Pheniani e ka prodhuar një kokë miniaturale atomike, që mund të vendoset brenda raketave të veta, i cili është hap madhor i përpjekjeve të këtij vendi për tu bërë fuqi komplete bërthamore.

Retorika kërcënuese ndërmjet Shtëpisë së Bardhë dhe Phenianit është tensionuar në mënyrë dramatike, pasi Koreja Veriore, në muajin korrik, i ka testuar dy raketa balistike ndërkontinentale, duke ndërmarrë hap të rëndësishëm kah qëllimi i vet për zhvillimin e raketës me rreze të gjatë veprimi me aftësi për të sulmuar çdokund në tokën e Shteteve të Bashkuara.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara më 5 gusht, në mënyrë unanime ka vendosur sanksione kundër Koresë Veriore, që kanë për qëllim të bëjnë presion ndaj Phenianit, për ta përfunduar programin e vet atomik.

Koreja Veriore tha se sanksionet paraqesin shkelje të sovranitetit të saj dhe ka shprehur gatishmëri që Uashingtonit “t’i jepet një leksion i rëndë”, me atë që është quajtur forcë e saj strategjike atomike, në përgjigje të çfarëdo aksioni ushtarak të Shteteve të Bashkuara.

E përditshmja Washington Post ka raportuar dje se zyrtarët e inteligjencës së Shteteve të Bashkuara vlerësojnë se Koreja Veriore e ka prodhuar armatimin atomik për dërgim me raketa balsitike, përfshirë ato ndërkontinentale.

Në artikull, duke cituar zyrtarë të inteligjencës amerikane, theksohet po ashtu, se kjo analizë sekrete ishte hartuar nga Agjencia e inteligjencës e Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara, muajin e kaluar.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG