Ndërlidhjet

Këshilli i Ministrave i Bosnjës hap rrugën për ratifikimin e marrëveshjen për gazsjellësin, Ndërlidhja Jugore

Një mbledhje e Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës. Fotografi nga arkivi.
Një mbledhje e Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës. Fotografi nga arkivi.

Këshilli i Ministrave i Bosnje dhe Hercegovinës miratoi të enjten projektvendimin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bosnje dhe Hercegovinës dhe Kroacisë për ndërtimin e gazsjellësit, Ndërlidhja Jugore.

Tani, projektvendimi, i propozuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Bosnje dhe Hercegovinës, do të dërgohet për procedurat e mëtejshme të ratifikimit.

Marrëveshja për ndërtimin e gazsjellësit, Ndërlidhja Jugore, mes Kroacisë dhe Bosnje e Hercegovinës u nënshkrua më 28 prill në Dubrovnik nga kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës, Borjana Krishto, dhe kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, gjatë samitit të Nismës së Tre Deteve.

Ky projekt parasheh lidhjen e sistemeve të gazit të dy shteteve përmes disa traseve dhe ta lidhë Bosnjën me terminalin e gazit të lëngshëm natyror në ishullin kroat Kërk.

Ndërlidhja Jugore pritet t’i sigurojë Bosnje dhe Hercegovinës një rrugë të re furnizimi me gaz të lëngshëm natyror përmes Kroacisë, duke rritur kështu sigurinë energjetike të vendit dhe duke ulur varësinë nga gazi rus.

Pasi Këshilli i Ministrave të vendosë për propozimvendimin për ratifikim, Ministria e Punëve të Jashtme ia përcjell atë Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës për procedurat e mëtejshme.

Më pas, Presidenca kërkon nga Asambleja Parlamentare e Bosnje dhe Hercegovinës miratimin paraprak për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare.

Një ditë pasi nënshkrua marrëveshja për këtë projekt, sekretari amerikan Energjisë, Chris Wright, tha në Dubrovnik se do të tronditej nëse Bashkimi Evropian nuk e mbështet projektin e gazit, Ndërlidhja Jugore.

Bashkimi Evropian, më herët kishte paralajmëruar se korniza ligjore, me të cilën një kompani private amerikane vendoset si investitori kryesor, mund të ndikojë në rrugën evropiane të Bosnjë e Hercegovinës, si dhe në qasjen në rreth 1 miliard euro të dedikuara për projekte infrastrukturore në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Edhe pse fillimisht ishte planifikuar që projekti në Bosnjë e Hercegovinë të udhëhiqej nga kompania publike BH-Gas, e cila është në pronësi të Qeverisë së entitetit të Federatës së Bosnje e Hercegovinës, në zbatimin e tij është përfshirë, përmes një ligji të veçantë, kompania amerikane AAFS Infrastructure and Energy, e themeluar në fund të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave publike, drejtori i AAFS Infrastructure and Energy është Jesse Binnall, ish-anëtar i ekipit juridik të presidentit amerikan, Donald Trump, ndërsa zëvendëspresident është Joseph Flynn, vëllai i ish-këshilltarit për siguri kombëtare të SHBA-së, Michael Flynn.

XS
SM
MD
LG