Ndërlidhjet

Kina dënon paktin e sigurisë midis SHBA-së, Britanisë dhe Australisë


Luftanija e Marinës amerikane "USS Nimitz" në Detin e Kinës Jugore. Korrik, 2020.

Kina e dënoi një pakt të sigurisë midis Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe dhe Australisë, duke e cilësuar si “jashtëzakonisht të papërgjegjshëm”.

Me paktin, që u shpall të mërkurën, SHBA-ja dhe Britania e Madhe do t’i japin Australisë teknologji për të ndërtuar nëndetëse me energji bërthamore, për herë të parë.

Ai u pa gjerësisht si përpjekje për të kundërshtuar ndikimin e Kinës në Detin e kontestuar të Kinës Jugore.

Rajoni, prej vitesh, ka qenë vatër tensionesh dhe mbetet i tillë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijian, tha se aleanca e saposhpallur rrezikon “të dëmtojë rëndë paqen rajonale dhe të intensifikojë garën e armatimit”.

Ai e kritikoi atë që e cilësoi si “mentalitet i vjetëruar i Luftës së Ftohtë” dhe tha se tre vendet “janë duke i dëmtuar interesat e tyre”.

Partneriteti i ri me emrin Aukus u shpall të mërkurën në një konferencë virtuale, ku morën pjesë presidenti amerikan, Joe Biden, kryeministri britanik, Boris Johnson, dhe kryeministri australian, Scott Morrison.

Kina nuk u përmend në mënyrë të drejtpërdrejtë, por tre udhëheqësit iu referuan në mënyrë të përsëritur shqetësimeve të sigurisë rajonale, të cilat thanë se janë “rritur ndjeshëm”.

XS
SM
MD
LG