Ndërlidhjet

Një pakt i mbrojtjes me sytë nga Kina


Presidenti amerikan, Joe Biden, merr pjesë në një konferencë shtypi me kryeministrin britanik, Boris Johnson dhe kryeministrin australian, Scott Morrison më 15 shtator 2021.
Presidenti amerikan, Joe Biden, merr pjesë në një konferencë shtypi me kryeministrin britanik, Boris Johnson dhe kryeministrin australian, Scott Morrison më 15 shtator 2021.

Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Australia kanë shpallur një pakt historik të sigurisë për rajonin e Indo-Paqësorit.

Pakti po vlerësohet të jetë një përpjekje për t’i bërë ballë Kinës.

Në bazë të marrëveshjes, Australisë do t’i lejohet që për herë të parë të ndërtojë nëndetëse me energji bërthamore, duke e përdorur teknologjinë e ofruar nga SHBA-ja.

Pakti, i njohur si Aukus, parasheh gjithashtu bashkëpunimin në inteligjencën artificiale dhe teknologjinë kibernetike.

Analistët thonë se ky është partneriteti më i madh i mbrojtjes në dekadat e fundit.

Gjatë viteve të fundit, vendet perëndimore kanë shprehur në vazhdimësi shqetësime në lidhje me rritjen e pranisë ushtarake të Kinës në rajonin e Indo-Paqësorit.

Përmes një deklarate të përbashkët, presidenti amerikan, Joe Biden, kryeministri britanik, Boris Johnson dhe ai australian, Scott Morrison thanë se ky bashkëpunim ka për qëllim “të promovojë sigurinë dhe prosperitetin”.

Presidenti amerikan ka thënë se "të gjithë e njohim nevojën e sigurimit të paqes dhe stabilitetit afatgjatë në Indo-Paqësor".

Ambasada e Kinës në Uashington reagoi duke akuzuar vendet për një "mentalitet të Luftës së Ftohtë dhe paragjykime ideologjike".

Çfarë është Aukus?

Pakti paraqet marrëveshjen më të madhe të sigurisë midis tri vendeve që nga Lufta e Dytë Botërore, thonë analistët.

Në fakt, SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe Australia kanë qenë prej kohësh vende alete, mirëpo Aukus thellon edhe më shumë bashkëpunimin e tyre në fushën e mbrojtjes.

Aftësia ushtarake do të jetë pika kyçe e paktit.

Drejtuesit nuk iu referuan drejtpërdrejt Kinës, por thanë se sfidat e sigurisë rajonale ishin "rritur ndjeshëm".

Këto vende theksuan se Australia do të përfitonte teknologji të përparuar bërthamore për të lëvizur nëndetëset, por jo për të zhvilluar një program të armëve bërthamore.

Kjo do të lejonte që marina australiane të vepronte më fshehurazi dhe për periudha më të gjata kohore në të gjithë Indo-Paqësorin, duke i dhënë aleancës së re një prani më të fortë në rajon.

Këto nëndetëse janë shumë më të shpejta dhe më të vështira për t'u zbuluar. Ato mund të qëndrojnë të zhytura për muaj, të udhëtojnë për distanca më të gjata dhe gjithashtu të mbajnë më shumë.

Shtetet e Bashkuara kanë siguruar teknologji bërthamore për nëndetëset vetëm për një vend tjetër, Britaninë e Madhe.

"Kjo është një mundësi historike për të trija vendet për të mbrojtur vlerat e përbashkëta dhe për të promovuar sigurinë dhe prosperitetin në rajonin Indo-Paqësor", thuhet në deklaratën e tyre të përbashkët.

Australia do të bëhet shteti i shtatë në botë që operon nëndetëse me energji bërthamore, pas SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Kinës, Indisë dhe Rusisë.

Australia ka përsëritur se nuk ka ndërmend të posedojë armë bërthamore.

Aleanca e re e sigurisë ka të ngjarë të shihet si një veprim provokues në Pekin, i cili ka tensionuar marrëdhëniet me të trija vendet për një mori çështjesh, përfshirë të drejtat e njeriut, tregtinë dhe statusin e Hong Kongut.

Fuqia dhe ndikimi në rritje i Kinës, veçanërisht ngritja e saj ushtarake, presioni mbi Tajvanin dhe prania në Detin e kontestuar të Kinës Jugore gjithashtu kanë shkaktuar shqetësime.

Ambasada e Kinës në Uashington tha se vendet "nuk duhet të ndërtojnë blloqe përjashtuese që synojnë ose dëmtojnë interesat e palëve të treta".

Ndërkohë, Zelanda e Re tha se do të ndalonte nëndetëset australiane nga ujërat e saj, në përputhje me një vendim politik që mban ky vend mbi praninë e nëndetëseve me energji bërthamore.

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern tha se vendit të saj nuk i ishte ofruar si mundësi për t'iu bashkuar paktit.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG