Ndërlidhjet

Pse Kina nuk pritet t’i bëjë presion Iranit para samitit Trump-Xi

Takimi mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe udhëheqësit kinez, Xi Jinping, në Pekin më 15 maj 2026.
Takimi mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe udhëheqësit kinez, Xi Jinping, në Pekin më 15 maj 2026.

Në prag të një samiti të rëndësishëm SHBA-Kinë, të planifikuar për 24 shtator në Shtëpinë e Bardhë, Pekini duket se po vë në pah ndikimin e tij mbi Iranin për të fituar avantazh në negociatat me rivalin e tij kryesor gjeopolitik.

Pritjet për një përparim mes Shtetet e Bashkuara dhe Kinës lidhur me Iranin në samitin e ardhshëm në Uashington janë të pakta. Presidenti amerikan, Donald Trump, ka sinjalizuar se në këtë takim me udhëheqësin kinez, Xi Jinping, do të përqendrohet te rezultatet ekonomike, teksa udhëheqësi kinez është përgjigjur duke përfshirë në delegacion një grup drejtuesish të lartë të kompanive.

Por, në prag të takimit, ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, u takua me homologun e tij iranian, Abbas Araghchi, në Pekin më 16 shtator. Kjo ishte hera e katërt që dy zyrtarët kanë biseduar gjatë tre muajve të fundit.

Gjatë takimit, Wang vuri në pah se Pekini dhe Teherani janë “partnerë gjithëpërfshirës strategjikë”, një raport asimetrik që anon në favor të Pekinit.

Kina është partnerja më e madh tregtare e Iranit dhe destinacioni i mbi 80 për qind të eksporteve të naftës iraniane të transportuara përmes rrugëve detare, sipas kompanisë që bën analizimin e mallrave, Kpler. Megjithatë, Irani përbën vetëm 1 për qind të tregtisë së përgjithshme të Kinës, sipas të dhënave të Qeverisë kineze.

Kina, tha Wang, “është gjithashtu e gatshme të forcojë dialogun dhe bashkëpunimin me Iranin dhe të mbrojë të drejtat dhe interesat legjitime të Iranit”.

Ministri i Jashtëm kinez u bëri thirrje “të gjitha palëve” që të ndërmarrin masa për të “rihapur” shpejt Ngushticën e Hormuzit – një rrugë ujore përmes së cilës, para luftës SHBA-Iran, kalonte rreth një e pesta e furnizimit global me naftë dhe gaz – por, nuk shkoi aq larg sa t’i bënte presion drejtpërdrejt Iranit.

Ai gjithashtu nuk ofroi ndonjë plan konkret për ndërmjetësim.

“Kina nuk do të bëjë punën e rëndë” për t’i sjellë sërish SHBA-në dhe Iranin në tryezën e bisedimeve, tha për Radion Evropa e Lirë Elizabeth Freund Larus, hulumtuese e lartë në Institutin Pacific Forum.

Ajo vuri në pah se Kina përfiton në aspektin gjeopolitik nga ndikimi i konfliktit mbi burimet ushtarake amerikane, edhe pse Pekini përballet me presion ekonomik nga rritja e kostove të energjisë dhe lëndëve të para.

Lufta në Iran i ka kushtuar Pentagonit më shumë se 38 miliardë dollarë deri më 1 gusht, sipas Zyrës së Buxhetit të Kongresit amerikan.

Për më tepër, gjatë muajve të fundit, Uashingtoni ka zhvendosur një numër të konsiderueshëm asetesh ushtarake nga rajoni Indo-Paqësor në Lindjen e Mesme.

Shtetet e Bashkuara tani nuk kanë asnjë aeroplanmbajtës të dislokuar në Paqësorin Perëndimor për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, gjë që ka shqetësuar aleatët amerikanë, të cilët i shqetëson grumbullimi masiv ushtarak të Kinës.

Në të njëjtën kohë, Pekini përballet me rritje të fortë të çmimeve të naftës. Kontratat e reja për naftën bruto në Shangai arritën një rekord prej 929.4 juanësh (137.80 dollarë) për fuçi këtë muaj, pasi grupet e mbështetura nga Irani nisën sulme me dronë që dëmtuan tubacionin Lindje-Perëndim të Arabisë Saudite.

Në një masë të caktuar, grumbullimi strategjik i rezervave të naftës nga Kina e ndihmon atë të mbrohet nga rritja e çmimeve.

Administrata amerikane e Informacionit për Energjinë (EIA) vlerëson se Pekini shtoi mesatarisht 1.1 milion fuçi naftë në ditë në rezervat e tij kombëtare të naftës vitin e kaluar, duke e çuar sasinë totale në 1.4 miliard fuçi deri në dhjetor të vitit 2025. Kjo është tre herë më shumë se madhësia e Rezervës Strategjike të Naftës të SHBA-së.

Megjithatë, mbrojtja që ofron rezerva ka kufijtë e saj.

Bill Bishop, njohës i Kinës me bazë në Uashington, vuri në pah në edicionin e 16 shtatorit të newsletter-it të tij Sinocism se “ndikimi ekonomik global i një tjetër rritjeje të madhe të çmimeve të produkteve petrokimike do të dëmtonte tregjet e eksportit për të cilat ka nevojë ekonomia e Republikës Popullore të Kinës”.

“Kina, sigurisht, dëshiron që lufta të përfundojë – çmimi më i lartë i naftës nuk është në interesin e askujt, por pyetja është kush duhet ta përballojë koston për t’i dhënë fund” kësaj çështjeje, tha Yun Sun, drejtoreshë e Programit për Kinën në Stimson Center në Uashington, në një intervistë.

“Nëse Kina do t’i bëjë presion Iranit, do të lindë pyetja se çfarë do të bëjnë SHBA-ja dhe Irani për të ulur tensionet dhe për të stabilizuar situatën si dhe për të përmbushur nevojën e Iranit për siguri. Deri tani, frenimi në këtë drejtim është mjaft i kufizuar”.

Ndihma për luftën e Iranit

Teksa Kina zyrtarisht është neutrale rreth luftës në Iran, ajo i ka ofruar Teheranit mbështetje të konsiderueshme.

Në mënyrë kyç, blerja nga Pekini e sasive të mëdha të naftës iraniane i ka siguruar regjimit iranian, të goditur nga lufta, një mbështetje jetike ekonomike. Për t’iu shmangur sanksioneve të ashpra amerikane, Kina përdor një mekanizëm të fshehtë tregtie të ngjashëm me shkëmbimin, sipas Reuters. Meqë transaksionet nuk kalojnë përmes sistemit financiar global të dominuar nga Perëndimi, ato i shmangen mbikëqyrjes amerikane.

Administrata Trump i ka bërë vazhdimisht thirrje Kinës të bashkëpunojë sa u përket sanksioneve ndaj Iranit. Pasi administrata i ashpërsoi këto sanksione në fund të gushtit, sekretari i Thesarit, Scott Bessent, paralajmëroi se ata që ndihmojnë Teheranin nuk duhet të “nënvlerësojnë koston e testimit të Uashingtonit”.

SHBA-ja ka disa mundësi për ta detyruar Kinën që të bashkëpunojë më shumë sa u përket sanksioneve ndaj Iranit.

E para është vendosja në listën e zezë e rafinerive të pavarura kineze të naftës që kanë blerë sasi të mëdha të naftës iraniane. Deri tani, SHBA-ja ka sanksionuar pesë kompani të tilla. Uashingtoni ka sanksionuar po ashtu dhjetëra kompani dhe anije transporti të lidhura me Kinën nën akuza për tregti detare me Iranin.

Këto masa kanë krijuar pengesa të konsiderueshme tregtare dhe presion për respektimin e sanksioneve.

Megjithatë, Irani dhe blerësit e tij kinezë mund t’u shmangen sanksioneve. Teherani përdor të ashtuquajturën “flotë në hije”, e përbërë nga cisterna të vjetra nafte dhe kompani fiktive, për të eksportuar fshehurazi naftë. Pekini gjithashtu ka urdhëruar kompanitë e tij të mos respektojnë sanksionet amerikane.

Megjithatë, Uashingtoni ka një armë më të fuqishme ekonomike në arsenalin e tij: dominimin e sistemit financiar global. Administrata Trump mund t’i ndalojë bankat shtetërore kineze, që anashkalojnë sanksionet, të përdorin dollarin. Një masë e tillë do të kishte pasoja shkatërruese për ekonominë kineze.

Megjithatë, duke pasur parasysh marrëdhënien e gjerë ekonomike SHBA-Kinë, “vendosja e sanksioneve të gjera ndaj institucioneve financiare kineze mund të jetë shumë destabilizuese edhe për ekonominë amerikane”, tha në një intervistë Ross Darrell Feingold, avokat dhe konsulent për rrezikun politik me bazë në Taipei.

Po ashtu, kompanitë financiare amerikane që operojnë në Kinë ka të ngjarë të përballen me kundërmasa të ashpra nga Kina.

Nëse administrata Trump po shqyrton seriozisht sanksionet ndaj bankave të mëdha kineze, “këto institucione financiare do t’ia bëjnë të ditura shqetësimet e tyre Shtëpisë së Bardhë”, tha ai.

Një pjesë e arsyetimit të Pekinit për shpërfilljen e sanksioneve bazohet në interpretimin e tij të së drejtës ndërkombëtare. “Nuk ka asnjë sanksion të OKB-së ndaj tregtisë normale mes Kinës dhe Iranit”, tha Sun nga Stimson Center, duke shtuar: “Dhe, Kina nuk e pranon ligjshmërinë e sanksioneve të njëanshme amerikane”.

Për Uashingtonin, një nga aspektet më shqetësuese të qëndrimit pro-Iranit të Kinës është se ai shtrihet edhe në fushën ushtarake.

“Kina luan një rol kritik, por shpesh të nënvlerësuar, në mbështetjen e bazës industriale të mbrojtjes së Iranit”, tha në një deklaratë në korrik, Mike Kuiken, nënkryetar i Komisionit të SHBA-së për Rishikimin Ekonomik dhe të Sigurisë SHBA-Kinë. Ky rol përfshin sigurimin e komponentëve për dronët iranianë Shahed dhe raketat balistike, si dhe perkloratin e natriumit, një kimikat i nevojshëm për karburantin e raketave. Teherani përdor sistemin kinez të navigimit satelitor BeiDou për të drejtuar operacionet ushtarake.

Pekini mohon se po e mbështet Iranin ushtarakisht ose se po i siguron informacione të inteligjencës.

Qasja e Kinës ndaj furnizimit të Iranit me pajisje me përdorim të dyfishtë (që kanë aplikime si komerciale, ashtu edhe ushtarake), si dhe qasja e Iranit në teknologjinë kineze të navigimit satelitor, “formësohet nga një tension mes interesit të Pekinit për të mbështetur kapacitetet iraniane në fusha kyç dhe dëshirës së tij për të minimizuar pasojat e mundshme”, tha për Radion Evropa e Lirë, John Van Oudenaren, hulumtues në kompaninë konsulente për teknologji BluePath Labs, në Uashington.

Ai shtoi se Kina brengoset nga rreziku i vendosjes së sanksioneve të tjera të mëdha amerikane ndaj subjekteve kineze ose i përkeqësimit të marrëdhënieve me Uashingtonin dhe aleatët e tij.

Ngërçi vazhdon

Gjatë javëve të fundit, Trump ka minimizuar lidhjet e Pekinit me Teheranin, duke u thënë gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator se “ata [Kina] nuk janë vërtet të përfshirë” në luftën në Iran. Trump ka thënë më herët se Xi i kishte premtuar se Kina nuk do t’i siguronte Iranit pajisje ushtarake.

“Ndoshta ata [Trump dhe Xi] do të kenë një bisedë private për peshën e sanksioneve” kur të takohen, tha për Radion Evropa e Lirë, Carice Witte, eksperte për Kinën me bazë në Izrael, njëherësh drejtoreshë ekzekutive e grupit të ekspertëve SIGNAL.

Në një aktivitet të Institutit Hudson në Uashington më 17 shtator, Nick Snyder, bashkëpunëtor i lartë jorezident në këtë institut dhe ish-zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, tha se “kinezët duan ta kenë edhe tortën e tyre, edhe ta hanë atë” në Lindjen e Mesme, duke e ruajtur Iranin si shtet-klient, ndërsa njëkohësisht mbajnë marrëdhënie të mira me vendet e Gjirit.

Ai tha se kjo strategji po bëhet e paqëndrueshme teksa lufta vazhdon.

Për Pekinin, “përfundimi i luftës nuk ia vlen të mbështesë një qëndrim amerikan”, tha Witte. “Qëllimi më i madh i Kinës është të distancohet nga SHBA-ja dhe ta diskreditojë SHBA-në”.

XS
SM
MD
LG