Ndërlidhjet

Koalicionet e panatyrshme për mbijetesë dhe pushtet politik


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Partitë politike në Kosovë tashmë ka kohë që kanë nisur diskutimet dhe shqyrtimin e mundësive për koalicione të mundshme për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, data e mbajtjes së të cilave ende nuk është caktuar nga presidenti i vendit, pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës, më 22 gusht.

Para dhe pas shpërndarjes së Kuvendit, janë krijuar 2 koalicione ndërmjet partive politike dhe shqyrtimi i koalicioneve të tjera të mundshme është duke vazhduar. Por, praktikat e deritashme, kanë treguar që koalicionet e partive politike, ashtu si në të kaluarën, vazhdojnë të jenë të panatyrshme, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.

Sipas tyre, praktikat e deritashme kanë treguar se asnjë nga partitë politike në vend, nuk kanë arritur që si të vetme të fitojnë shumicën e votave për të krijuar shumicën parlamentare dhe rrjedhimisht edhe qeverinë.

Siç thonë ata, partitë politike, të cilat konsiderohen si më të mëdhatë në jetën politike të vendit, synojnë të garojnë të vetme, të dalin si parti të para më të votuara dhe më pas të krijojnë koalicione pas-zgjedhore për të arritur shumicën e nevojshme për krijimin e qeverisë.

Ndërkaq, partitë me të vogla, siç thonë ata, tashmë kanë krijuar koalicione, për të siguruar mundësinë e futjes në Kuvend, si dhe të jenë pjesë e përllogaritjeve të mundshme pas zgjedhjeve, për të qenë pjesë e qeverisë së ardhshme.

Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se praktikat e deritashme kanë treguar se koalicionet parazgjedhore në Kosovë, kryesisht bëhen për mbijetesë politike.

Sipas tij, gara përmes koalicioneve vjen si pasojë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në vitin 2014, e cila i patë dhënë të drejtën e formimit të institucioneve, koalicionit parazgjedhor me më së shumti vota.

“Normalisht që kjo në masë të madhe po derivon sidomos prej vitit 2014 dhe atij aktgjykimit të famshëm të Gjykatës Kushtetuese, që në njëfarë mënyre ia ka humbur drejtëpeshimin jetës politike në Kosovë. Fakti që interpretimi i koalicioneve ka ardhur si ‘koalicione parazgjedhore’, kjo tash po u shtynë subjektet politike që për hir të tendencës së fitimit të zgjedhjeve, e tani rrjedhimisht edhe pasjes së mundësisë për të dominuar kandidatët ose për të pasur mandatar për formimin e institucioneve, ka ndikuar që subjektet politike të krijojnë koalicione, madje edhe të panatyrshme”, theksoi Murati.

Arton Demhasaj, drejtor i organizatës joqeveritare “Çohu”, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson që asnjë prej partive politike apo koalicioneve të tyre, nuk synojnë të fitojnë zgjedhjet, por synojnë të dalin si të parat me më së shumti vota dhe më pas të marrin parti më të vogla ose koalicione partish të vogla, për të krijuar qeverinë.

“Deri më tash nuk kemi parë asnjë koalicion të natyrshëm, që lidhet qoftë me ideologjinë që e kanë partitë politike apo edhe me përafrimin e programeve të tyre që munden me qenë të afërta dhe që bëhen bashkë. Koalicione të tilla nuk kemi pasur. Të gjitha koalicionet janë ndërtuar vetëm për ta koncentruar një pjesë të votave, që të arrijnë të dalin sa më mirë në zgjedhje dhe të marrin sa më shumë deputetë. Pra, nuk kemi koalicione parimore, nuk kemi koalicione në bazë të programeve dhe po ashtu nuk kemi as koalicione në bazë të ideologjive që kanë partitë politike. Kjo tregon që asnjë parim i parlamentarizmit nuk respektohet”, tha Demhasaj.

Ai ka shtuar se tashmë edhe për zgjedhjet e ardhshme të parakohshme, janë krijuar koalicione të panatyrshme ndërmjet partive të majta dhe të djathta apo të qendrës.

Pajtimi i “kundërshtarëve”

Më 19 gusht, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, parti e djathtë, lider i së cilës është Ramush Haradinaj, ka lidhur koalicion me Partinë Socialdemokrate, me orientim të majtë, të cilën e drejton Shpend Ahmeti. Për më shumë, jo rrallë ka pasur përplasje ndërmjet këtyre dy partive.

Por, në ditën e arritjes së koalicionit, Ahmeti ka theksuar se deklaratat e mëhershme duhet lënë pas shpinës.

“Mendoj që ka kaluar shumë kohë nga ato deklarata. Mendoj që jemi pjekur edhe më shumë si subjekte politike dhe kemi vazhduar të diskutojmë. Natyrisht që ka edhe pika ku nuk pajtohemi, por që përfundimisht nuk lidhen me ato deklarata”, ka thënë Ahmeti.

Më 22 gusht, koalicion parazgjedhor kanë lidhur edhe partia e qendrës së djathtë, Aleanca Kosova e Re e Behgjet Pacollit dhe subjekti politik me orientim të majtë, Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt.

Lideri i Aleancës Kosova e Re, Pacolli, nuk e ka vlerësuar si të panatyrshëm këtë koalicion.

“Unë do ta quaja qendra e artë, boshti i mesëm ose po e quaj, ajo pjesa e tretë politike, e cila do të jetë e rëndësisë kyçe për formimin e qeverisë së ardhshme”, ka thënë Pacolli.

Dy partitë e deritashme opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ka orientim të djathtë dhe Lëvizja Vetëvendosje, me orientim tërësisht të majtë, kanë shënuar përafrim qëndrimesh, si asnjëherë të shënuar më parë. Megjithatë, LDK ka deklaruar se do t’i qaset zgjedhjeve si parti e vetme.

Partia Demokratike e Kosovës, e orientimit të djathtë, deri më tash nuk ka vënë asnjë vi të kuqe për koalicionet e mundshme.

Trendi i koalicioneve

Analisti Murati thotë se tashmë është në trend fryma e koalicioneve të reja, për zgjedhjet e ardhshme.

“Koalicionet që janë bërë dhe ato që po përfliten, nuk është se kanë diçka të përbashkët në aspektet programore. Nëse i shohim në aspektin e programeve, ka diskrepancë në çështje të arsimit, në çështje të shëndetësisë dhe pak a shumë në gjithçka. Nuk është se po merren parasysh çështjet programore tash. Mirëpo, derisa e dominon diskursin politik çështja e marrëveshjes me Serbinë, dialogu dhe kështu me radhë, këto bien në plan të dytë dhe ideja është që të përafrohen qëndrimet rreth çështjeve që kanë të bëjnë me temat, për të cilat po bisedohet dhe po trumbetohet në vazhdimësi në skenën politike në Kosovë”, u shpreh Murati.

Lidhja e koalicioneve ose përafrimi i qëndrimeve ndërmjet partive që kanë pasur përplasje të mëhershme, siç thotë analisti Demhasaj, janë të ngjashme me situatat që kanë ekzistuar edhe para zgjedhjeve të tjera të mëhershme në vend.

“Kemi parë kundërshtitë që kanë ekzistuar ndërmjet PSD-së dhe AAK-së, por tash u bënë bashkë në koalicion. Kundërshtitë që kanë qenë në mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje janë të panumërta, por tash është tendenca për të krijuar një koalicion. Do të thotë, asnjë koalicion që është arritur deri tash ose këto që po synohen të arrihen, të paktën që po përmenden publikisht, nuk bazohen në parime të caktuara, në programe të tyre apo ideologjitë e tyre, por janë thjeshtë kalkulime politike dhe kalkulime të votave. Nuk ka asgjë këtu të natyrshme, por ka vetëm qëllim për të ardhur në pushtet”, vlerësoi Demhasaj.

Sidoqoftë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas shpërndarjes së përbërjes së deritashme të Kuvendit të Kosovës, ka theksuar se në ditët në vijim do ta caktojë datën, kur do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare në vend.

XS
SM
MD
LG