Ndërlidhjet

Shpërndahet Kuvendi i Kosovës


Votimi për shpërndarjen e Kuvendit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:22 0:00

Me 89 vota për, 1 kundër dhe 2 abstenime deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për shpërndarjen e legjislaturës së gjashtë, duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Propozimi i deputetëve për shpërndarjen e Kuvendit, pason dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës më 19 korrik, pasi që të njëjtën ditë kishte marrë ftesë nga Gjykata Speciale e Kosovës me seli në Hagë, për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.

Seanca për shpërndarjen e Kuvendit filloi me “urimin” e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, i cili tha se kjo përbërje e legjislativit kishte në vete shumë deputetë dembelë.

Ai më pas hapi debatin, duke ia dhënë fjalën shefit të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti.

Ai tha se me shpërndarjen e Kuvendit po largohet edhe Qeveria e Kosovës, e cila sipas tij, njihet për rezultate minimale.

“Qeveria e PAN-it (koalicioni PDK, AAK dhe Nisma) do të mbetet në histori si qeveria më e madhe ne botë më 454 të emëruar politik, kryeministri me 35 këshilltarë, me 5 zëvendëskryeministra e me 80 zëvendësministra”, tha ndër tjera Hoti.

Pas fjalimit të Hotit, kryetari i Kuvendit, Veseli kërkoi mendimet e shefave të grupeve parlamentare nëse ka nevojë të ketë debat, apo vetëm nga një deklaratë të grupeve parlamentare para se të shkohet në votimin e mocionit të shpërndarjes. Megjithatë, disponimi ishte që të shkohet drejtpërdrejtë në votimin e mocionit, çka rezultoi me vendimin për shpërndarjen e Kuvendit.

Pasi që debati në Kuvend u shmang, shefat e grupeve parlamentare kanë vazhduar me prezantimin e qëndrimeve të tyre pas seancës.

Ish- kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se për të ardhur deri të momenti i shpërndarjes së Kuvendit, me kohë janë ndërmarrë të gjitha iniciativat ligjore.

“Unë kam ndërmarrë të gjithë iniciativat ligjore që të kemi vendimmarrje për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Unë e mbaj fjalën, u kam thënë se do të ketë zgjedhje dhe do të ketë", tha Veseli.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e quajti lajm të gëzueshëm shpërndarjen e legjislaturës së gjashtë dhe hapjen e rrugës për zgjedhje të reja.

Ai tha se Qeveria e re që do të dalë nga zgjedhjet ka “shumë punë të mëdha, por kurrë më vendime të mëdha të këqija”.

"[Qeveria e ardhshme] do të duhej të merret me punë të mëdha, e punë të mëdha janë luftimi i krimit dhe korrupsionit, pra se gjithash me prokurorë të guximshme dhe kompetent dhe me prokurim të dekriminalizuar. Arsimimi cilësor dhe të lidhur me tregun e punës. Të kemi një qeveri e cila përparon me integrime evropiane....kemi shumë punë të mëdha por kurrë më vendime të mëdha të këqija", tha Kurti.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi tha se Qeveria Haradinaj ka shumë merita. Sipas tij, kjo qeveri miratoi buxhetin deri më tash më të lartë të Kosovës, në shumën prej 2.3 miliardë euro. Ai tha se kjo qeveri mori vendime të cilat kanë pritur zgjidhje edhe nga dy dekada.

Ndërkaq, kryeministri në dorëheqje dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka shkruar në Facebok se “Grupi Parlamentar i Aleancës unik për votimin pro projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për IPA 2018 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, si dhe për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës për t’ia kthyer mandatin sovranit”.

Bilall Sherifi, i cili ishte shef i Grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate tha se deri te ky moment vendi ka ardhur si pasojë e mosfunksionimit të shumë faktorëve qeverisës, por edhe çështjeve të tjera.

"Opozita nuk mund të krekoset se e dërgojë qeverinë në shtëpi. Qeveria shpesh edhe për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme ka ardhur në një pikë ku ka qenë i pamundur vazhdimi i bashkëpunimit. Pastaj, momentet që janë shfrytëzuar për t’i dhënë fund, janë çështje të tjera. Pra, le të shkojmë sërish atje të sovrani dhe mirë që po shkojmë", tha Sherifi.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, shpërndarja e Kuvendit në këtë rast, mund të realizohet më dy të tretat e votave të deputetëve (80 vota). Pas votimit për shpërndarjen e Kuvendit, pritet që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi më pas të caktojë edhe datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Në nenin 66 të Kushtetutës thuhet se zgjedhjet e rregullta për Kuvend mbahen më së voni tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit, kurse në raste të shpërndarjes së Kuvendit, jo më vonë se dyzet e pesë (45) ditë pas shpërndarjes.

Që nga dorëheqja e Haradinajt, partitë politike kanë nisur një lloj fushate ende të pashpallur zgjedhore. Ndërkohë që janë arritur edhe koalicionet e para parazgjedhore, si dhe kanë nisur bisedimet ndërmjet partive politike për koalicione eventuale para apo pas zgjedhjeve.

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë u mbajtën më 11 qershor, 2017. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, numri i votuesve të regjistruar atë kohë ishte 1.888.059, kurse pjesëmarrja në zgjedhje ishte 43 për qind, apo 779,729 votues. Pas zgjedhjeve të vitit 2017, ishte konstituuar Kuvendi dhe më pas, më 9 shtator, ishte formuar edhe Qeveria e Kosovës, me Ramush Haradinajn kryeministër.

Përfundimi i mandatit të qeverive dhe legjislaturave të Kosovës para skadimit të mandatit kushtetues, katër vjeçar, tashmë është bërë “praktikë”, ngase që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, asnjë qeveri nuk arriti ta përmbyllë mandatin kushtetues, çka sjell si rezultat mbajtjen e vazhdueshme të zgjedhjeve të parakohshme.

Por, para se të marrin vendimin për vetëshkarkim, deputetët kanë votuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2018 (Instrumenti i Paraanëtarësimit) ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

XS
SM
MD
LG