Ndërlidhjet

Globalizimi i kodit telefonik të Kosovës +383


Operatorët e telefonisë mobile në Kosovë, vlerësohet se kanë bërë hapa të mirë në drejtim të zbatimit të kodit +383 dhe në globalizimin e këtij kodi, i cili i ishte ndarë Kosovës në dhjetor të vitit të kaluar nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve (ITU).

Kryetari i bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Kreshnik Gashi i ka thënë Radios Evropa e Lirë se faza e parë e thirrjeve lokale është zbatuar, derisa thirrjet ndërkombëtare janë duke u zbatuar hap pas hapi me secilën operatorë ndërkombëtarë.

“Procesi është i tillë që operatorët tanë duhet të hynë në marrëdhënie kontraktuale me secilin nga operatorët ndërkombëtarë. Në këtë drejtim, me qëllim të rritjes së vetëdijes për këtë, ARKEP u ka dërguar një letër të gjitha autoriteteve në gjithë botën me qëllim që t’i informojnë operatorët e tyre për marrjen e kodit +383 të Kosovës dhe fazat e zbatimit. Deri më tani dy operatorët më të mëdhenj kanë bërë hapa të mirë në drejtim të zbatimit të kodit +383”, ka theksuar Gashi.

Aktualisht në Kosovë janë prezent tre operatorë të telefonisë mobile dhe fikse, të cilët shfrytëzojnë kode të huaja ndërkombëtare. Telefonia mobile "Vala" shfrytëzon kodin e Monakos (+377), ajo e IPKO-s kodin e Sllovenisë (+386), kurse telefonia fikse shfrytëzon kodin e Serbisë (+381).

Drejtori teknik i Telekomit të Kosovës, Mehdi Latifaj, i tha Radios Evropa e Lirë se është duke vazhduar globalizimi i kodit të Kosovës +383 dhe se disa nga operatorët e shteteve të ndryshme të botës kanë hapur numeracionin +383.

“Ajo çka është pozitive se operatorët e mëdhenj, si ai gjerman, italian, i Turqisë Sllovenisë dhe disa të tjerë, i kanë hapur numeracionin +383 drejt Kosovës dhe ne sot pranojmë thirrje me +383 prej këtyre vendeve apo operatorëve të tyre dhe kjo është pozitive sepse ndihmon në internacionalizimin e +383 si prefiks ndërkombëtar i Kosovës”, thekson Latifaj.

Latifaj ka shtuar se janë duke u zbatuar të gjitha proceset për kalimin e plotë në kodin +383 edhe eliminimin e kodeve të tjera që përdoren aktualisht në Kosovë.

Një komponent i rëndësishëm, shton Latifaj, janë edhe marrëveshjet e romingut që janë rreth 400 të cilat si të tilla duhet të kalojnë në kodin e Kosovës.

“Pra është një proces që është duke ecur, ndoshta jo me dinamikën që e kemi pritur, por ne do të jemi në objektivat e caktuara nga ARKEP që në fund të këtij viti kodi i Serbisë për telefoni fikse +381 të eliminohet nga rrejti jonë, derisa + 377 diku kah mesi i vitit të ardhshëm”, ka bërë të ditur Latifaj.

Faza e tjetër e zbatimit të kodit +383, do të jetë ndërrimi i ‘sim’ kartelave dhe kjo fazë pritet të ndodhë nga janari i vitit 2018 deri në muajin qershor, kur është edhe muaji i fundit që përfundimisht përmbyllet i tërë procesi.

Kosova kishte marrë kodin telefonik +383 në dhjetor të vitit të kaluar, pas arritjes së një marrëveshjeje për telekomunikacionin në Bruksel ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Mungesa e kodit dhe përdorimi i kodeve të shteteve tjera i shkaktuan Kosovës humbje të mëdha. Të dhënat e Qeverisë së Kosovës treguan se kostoja e përgjithshme e shkaktuar nga mungesa e kodit telefonik kishte arritur shifrën në mbi 200 milionë euro.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG