Ndërlidhjet

Mirëpritet vendimi detyrues i UEFA-s për shtetet që nuk e njohin Kosovën


Përfaqësuesja e Kosovës gjatë stërvitjeve (Fotografi nga arkivi).

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka mirëpritur vendimin e Unionit të Federatave të Futbollit të Evropës (UEFA), i cili i detyron vendet që nuk e njohin Kosovën, të luajnë kundër skuadrës së saj kombëtare dhe klubeve të saj, si nikoqir – qoftënë shtëpi apo në terren neutral – dhe si mysafir.

Pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, presidenti i këtij unioni, Aleksander Ceferin, njoftoi se ky komitet, ka miratuar një rregull të ri lidhur me ndeshjet e Kosovës, dhe klubeve të saj, me shtetet që nuk e njohin atë, dhe klubet nga këto vende.

Sipas këtij rregulli, të gjitha skuadrat, nga vendet që nuk e njohin Kosovën, qoftë në nivel kombëtaresh apo klubesh, përveç Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës – të cilat përbëjnë përjashtim për arsye sigurie – obligohen të luajnë kundër Kosovës apo klubeve të saj.

Vendimi specifikon se vendet, që nuk e njohin Kosovën apo skuadrat e tyre, duhet që ndeshjen si nikoqir, ta luajnë në territorin e shtetit të tyre apo të bëjnë kërkesë për ta zhvilluar atë në një terren neutral, por atë si mysafir duhet gjithsesi ta luajnë në Kosovë.

“Është miratuar një rregull ndeshjesh, lidhur me vendet që nuk e njohin Kosovën. Ky rregull obligon të gjitha skuadrat tjera që të pranojnë të luajnë kundër Kosovës, ndaj kubeve dhe skuadrave kombëtare (Kombëtaren A dhe ato grupmoshave), si rezultat i shortit, qoftë në territorin e tyre apo në territorin e Kosovës. Përveç, ato që nuk luajnë aktualisht (Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina). Po ashtu, skuadrat e Kosovës (klubet dhe përfaqësueset) duhet të pranojnë të luajnë kundër cilësdo skuadër, vendas dhe mysafir”, tha presidenti Ceferin.

“Pra, çdo skuadër që vendoset të luajë kundër Kosovës, duhet të udhëtojë në Kosovë ose do ta humbë ndeshjen. Çdo skuadër që nuk dëshiron të jetë nikoqir i ndeshjes me Kosovën, në shtëpi, mund ta bëjë atë në një terren neutral”, tha presidenti Ceferin, në konferencën pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.

Këtë vendim, të shtëpisë më të madhe evropiane të futbollit, e ka mirëpritur Federata e Futbollit e Kosovës. Duke e vlerësuar si hap përpara, sekretari FFK-së, Eroll Salihu, tha për Radion Evropa e Lirë, se Federata i ka bërë trysni UEFA-s lidhur me këtë çështje, veçmas pas problemeve të skuadrës kombëtare të grupmoshave më të reja, me Spanjën.

“Kemi bërë presion përmes kryetarit (Agim) Ademi, para pak kohësh kemi bërë presion edhe me shkresa të ndryshme lidhur me problemet që na kanë përcjellë edhe me grupmoshat tjera, sidomos me Spanjën dhe disa shtete, mund të them lirisht, që po tregohen më armiqësore sesa të tjerat, pa arsye, sepse po flasim për sport. Kemi bërë presion, sepse kjo po e pengon edhe UEFA-n në zhvillimin e garave normale”.

“Sigurisht që duhet të luhen (ndeshjet) në shtetin amë, qoftë në Rusi apo kudo tjetër. Por ka përjashtime, në raste të jashtëzakonshme, lejohet edhe jashtë shtetit të tyre, por ndeshja e paraparë të luhet në Kosovë, do të luhet në Kosovë, sigurisht edhe me simbole kombëtare të të dyja shteteve”, tha Salihu.

Duke folur për rëndësinë e të qenët të barabartë, brenda UEFA-s, Salihu tha se rol të veçantë në këtë, ka pasur presidenti Aleksander Ceferin, i cili, sipas tij, duke qenë nga Sllovenia, e njeh mirë situatën në Ballkan.

“UEFA po e kupton rëndësinë e të qenët të barabartë, sepse Ceferin e njeh mirë situatën në Ballkan. Dhe, mendoj që jemi në rrugë të mirë të lëmë gjurmë në futbollit ndërkombëtar, sidomos me rezultatet që kemi, jo vetëm me Përfaqësuesen A, por edhe grupmoshat tjera. Pra, ngadalë po hyjmë në binarët normalë. Por, nuk është vetëm Kosova këtu, të jemi korrekt, ka edhe shtete tjera që kanë probleme ndërmjet vete dhe UEFA po mundohet t’i zgjidhë në mënyrën më të mirë”, shtoi sekretari i FFK-së.

Ndërsa, gazetari dhe komentatori i futbollit, Arlind Sadiku, vendimin e UEFA-s, e vlerësoi si “lobim shumë të madh pro pavarësisë së Kosovës”. Edhe Sadiku beson se rol të madh, në këtë, ka pasur presidenti Ceferin.

*Video nga arkivi: Momenti i shpalljes së vendimit për Kosovën nga UEFA

Momenti i shpalljes së vendimit për Kosovën nga UEFA
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:25 0:00

Sipas tij, ky vendim, në këtë kohë - para Kampionatit Evropian 2020 - nuk është rastësi, duke marrë parasysh atë që kishte ndodhur një vit më parë, kur Spanjës iu hoq organizimi i Kampionatit Evropian të futbollit, për grupmoshat deri në 17 vjet, (U17), për shkak të refuzimit të Kosovës dhe simboleve të saj, turne që më pas ishte zhvilluar në Zvicër.

“Momenti që është përzgjedhur për marrjen e këtij vendimi, nga UEFA, ka qenë para Kampionatit Evropian, pasi që Kosova është afër të kualifikohet në Kampionatin Evropian, i duhen vetëm edhe dy ndeshje të fitojë, përmes ‘play off’-it të Ligës së Kombeve”.

“Pastaj do të ishte shumë problem, për shtetet që nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, pasi që e dimë se Kampionati Evropian zhvillohet në qytete të 12 shteteve, dhe katër prej atyre shteteve nuk e kanë njohur Kosovën. Janë, Rumania, Spanja, Rusia dhe Azerbajxhani. Pra, UEFA do t’i detyrojë këto qytete që ta pranojnë Kosovën dhe Kosova do të zhvillojë ndeshje në ato qytete, pra ky vendim më shumë ka qenë si alarm ndaj qeverive të atyre shteteve, sesa për kombëtaret dhe ekipet”, theksoi Sadiku.

Derisa marrëdhëniet e FFK-së me UEFA-n, i vlerësoi si “më të mirat ndonjëherë”, Sadiku beson se edhe zgjedhja e spanjollit, Luis Rubiales, në postin e zëvendës-presidentit të këtij unioni, të mërkurën, nuk është rastësi, dhe pret që ai “të lobojë në vendin e tij” për Kosovën.

“Mendoj se asnjëherë më parë, Kosova nuk i ka pasur punët më mirë me UEFA-n sesa aktualisht. Një ndihmesë shumë të madhe e ka bërë presidenti Aleksander Ceferin, i cili vjen nga Sllovenia, dhe ka raporte shumë të mira me Federatën e Futbollit të Kosovës".

"Ai ka qenë një prej lobuesve kryesor që Kosova të ngrihet në një stad më të lartë në futbollin evropian. Ky është një vendim tepër i fuqishëm, sepse i detyron ato vende që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, që t’i pranojnë edhe simbolet e Kosovës, po ashtu edhe të pranojnë të luajnë kundër Kosovës, qoftë në territorin e tyre apo në një terren neutral”, shtoi ai.

Ndërkohë, faktin që skuadrat kombëtare apo klubet nga vendet që nuk e njohin Kosovën, duhet që patjetër të udhëtojnë drejt Prishtinës, për ndeshjen si mysafir – nëse nuk duan ta humbin atë me rezultat zyrtar, sekretari Salihu e vlerësoi si mundësi të mirë, për lidhje të raporteve me federatat, nga vendet jo-njohëse.

“Kemi pasur raste, kemi luajtur edhe me shtete që nuk na kanë njohur. Edhe me Ukrainën në Shqipëri, kemi luajtur. Në momentin si e kemi pritur, e kemi ndoshta si virtyt natyral (mikpritjen), e kanë parë dhe kemi krijuar miqësi të jashtëzakonshme edhe me Federatën e Ukrainës dhe disa federata tjera. Kështu që, në momentin që shtetet tjera vijnë këtu e shohin situatën, sigurisht se do të ketë efekt pozitiv”, tha sekretari Salihu.

Aktualisht, ekipi kombëtar i Kosovës në futboll, është pjesë e Grupit A, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian “ EURO 2020”, ku garon me Anglinë, Çekinë, Bullgarinë dhe Malin e Zi.

Po ashtu, Kosova ka edhe një mundësi tjetër të kualifikimit në “EURO 2020”, atë përmes “play off”-it të Ligës së Kombeve, ku fillimisht, në gjysmëfinale do të përballet me Maqedoninë e Veriut, e në rast fitoreje, pastaj me fituesin nga ndeshja tjetër Gjeorgji - Bjellorusi.

Kampionati Evropian i futbollit 2020, do të zhvillohet në 12 qytete të 12 shteteve të ndryshme evropiane, katër prej të cilave (Rusia, Spanja, Rumania dhe Azerbajxhani) nuk a njohin Kosovën.

Më 2016, Kosova u bë anëtare, me të drejta të plota, e UEFA-s dhe FIFA-s.

XS
SM
MD
LG