Ndërlidhjet

KE gati të nisë bisedimet me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë


Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen. Fotografi nga arkivi
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen. Fotografi nga arkivi

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen shprehet se komisioni është gati të nisë bisedimet me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për rrugën drejt BE-së.

“Telefonatë e mirë me kryeministrin Kovaçevski. Lajme të mirëseardhura që Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria me mbështetjen e Francës, janë afër një marrëveshjeje që merr parasysh interesat dhe shqetësimet. Komisioni Europian është gati të nisë procesin e shqyrtimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për hapin e radhës në rrugën e tyre evropiane”, shprehet Von Der Leyen në një postim në Twitter.

Pasditen e së enjtes, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se mendon se është gjetur një zgjidhje kompromisi për kornizën e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, e cila do të përfshinte edhe Bullgarinë.

“Mendoj se kemi gjetur një zgjidhje kompromisi”, tha ai, por pa dhënë detaje nëse bëhet fjalë për një propozim që është dhënë më herët nga Presidenca franceze apo tjetër.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut e ka hedhur poshtë propozimin fillestar të Presidencës franceze, duke thënë se ai nuk jep garanci për mbrojtjen e gjuhës, identitetit dhe historisë maqedonase.

Bullgaria, tash e dy vjet, bllokon nisjen e negociatave të anëtarësimit midis Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, për shkak të disa mosmarrëveshjeve me Shkupin rreth gjuhës dhe historisë.

Më 24 qershor, Parlamenti i Bullgarisë ka votuar për heqjen e kësaj vetoje.

Sipas korrespondentit të Radios Evropa e Lirë në Bruksel, zyrtarë të BE-së konfirmuan se propozimi i ri merr parasysh shqetësimet e shprehura nga të dyja palët.

Maqedonia e Veriut ka statusin e vendit kandidat për BE tash e 17 vjet dhe ka marrë dritën jeshile për të filluar bisedimet e anëtarësimit në vitin 2020.

Data për fillimin e negociatave nuk është caktuar kurrë, për shkak të vetos bullgare.

Për pasojë, edhe Shqipëria ka mbetur pas, sepse disa shtete të BE-së nuk duan që ajo të ndahet nga paketa me Maqedoninë e Veriut.

XS
SM
MD
LG