Ndërlidhjet

Kovaçevski: Franca e modifikoi propozimin


Qeveria e Maqedonisë së Veriut
Qeveria e Maqedonisë së Veriut

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, tha të enjten se Franca ka modifikuar propozimin për zgjidhjen e kontestit mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, duke pranuar disa nga vërejtjet e palës maqedonase, që mund t’i hapin rrugën zhbllokimit të procesit të integrimit evropian.

“Plani dhe strategjia jonë po japin rezultate”, tha Kovaçevski në një konferencë për media në Shkup.

Por, pasi u pyet për detajet e propozimit të ri francez, kreu i Qeverisë maqedonase tha se ato do të bëhen të ditura në ditët në vijim.

Kovaçevski tha se aspektet historike - një nga çështjet më të ndjeshme në kontestin me Sofjen - nuk do të jenë pjesë e kornizës negociuese për anëtarësim në BE.

“Sa u përket çështjeve historike, kërkesa jonë ishte që ato nuk duhet të jenë pjesë e kornizës negociuese dhe kjo përfshihet në propozimin [francez] që ka arritur në Ministrinë e Punëve të Jashtme”, tha Kovaçevski.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Ai tha se propozimi nuk përfshin as protokollin, që është miratuar në Parlamentin e Bullgarisë, e që ka të bëjë me gjuhën maqedonase, e cila nuk njihet nga Sofja.

Kovaçevski tha se pala maqedonase, sikur edhe më parë, është pajtuar për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, por pa saktësuar nëse ndryshimi i Kushtetutës do të bëhet para apo pas nisjes së bisedimeve me BE-në.

Sofja ka kërkuar që konferenca e parë ndërqeveritare mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut të mbahet pasi të jenë përfshirë bullgarët në Kushtetutën maqedonase.

Kryeministri Kovaçevski tha se “për propozimin francez do të ketë debat të gjerë në opinion, me presidentin, partitë e koalicionit, opozitën dhe shoqërinë civile” dhe se, më pas, do të vendoset për miratimin e tij në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Lidhur me propozimin e ri u prononcua edhe presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, duke paralajmëruar gjithashtu shqyrtimin në detaje të propozimit francez nga opinioni i gjerë.

“Ky nuk është një propozim i ri. Në dy-tre vende të propozimit ka modifikime që ata i kanë bërë në konsultim me të dyja palët... Duhet të komunikojmë me qytetarët, me njerëzit, me subjektet politike, sepse po mundohemi të bëjmë një marrëveshje që do të zgjasë”, tha Pendarovski.

Por, ndryshe nga drejtuesit e institucioneve, opozita maqedonase dyshon se “propozimi i modifikuar është në kundërshtim me interesat maqedonase”. Sipas kryetarit të partisë VMRO DPMNE, Hristijan Mickoski, janë ndryshuar vetëm “dy fjalë që nuk ndryshojnë pozicionin bullgar”.

Ai tha se “kjo dëshmohet me faktin se presidenti bullgar, Rumen Radev, dhe kryeministri në largim, Kirill Petkov, pa asnjë hezitim kanë pranuar edhe propozimin e modifikuar”.

“Kemi të bëjmë me një debakël, një nokaut të përgatitur nga kjo qeveri. Nëse propozimi do të ishte i mirë, siç pretendojnë zyrtarët, pse nuk e publikojnë, por e mbajnë të fshehur”, tha Mickoski.

Pasditen e së enjtes, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se mendon se është gjetur një zgjidhje kompromisi për kornizën e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, e cila do të përfshinte edhe Bullgarinë.

“Mendoj se kemi gjetur një zgjidhje kompromisi”, tha ai, por pa dhënë detaje nëse bëhet fjalë për një propozim që është dhënë më herët nga Presidenca franceze apo tjetër.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut e ka hedhur poshtë propozimin fillestar të Presidencës franceze, duke thënë se ai nuk jep garanci për mbrojtjen e gjuhës, identitetit dhe historisë maqedonase.

Bullgaria, tash e dy vjet, bllokon nisjen e negociatave të anëtarësimit midis Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, për shkak të disa mosmarrëveshjeve me Shkupin rreth gjuhës dhe historisë.

Më 24 qershor, Parlamenti i Bullgarisë ka votuar për heqjen e kësaj vetoje.

Sipas korrespondentit të Radios Evropa e Lirë në Bruksel, zyrtarë të BE-së konfirmuan se propozimi i ri merr parasysh shqetësimet e shprehura nga të dyja palët.

Maqedonia e Veriut ka statusin e vendit kandidat për BE tash e 17 vjet dhe ka marrë dritën jeshile për të filluar bisedimet e anëtarësimit në vitin 2020.

Data për fillimin e negociatave nuk është caktuar kurrë, për shkak të vetos bullgare.

Për pasojë, edhe Shqipëria ka mbetur pas, sepse disa shtete të BE-së nuk duan që ajo të ndahet nga paketa me Maqedoninë e Veriut.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG