Ndërlidhjet

Femrat lezbike në Çeçeni të Rusisë ndjehen nën presion të madh


Grozni, Çeçeni/Foto: Ilustrim
Grozni, Çeçeni/Foto: Ilustrim

Një femër e re ishte në një taksi për në aeroport, kur ajo vendosi të thërriste me telefon. Ajo posa ishte larguar nga shtëpia e saj në rajonin jugor Çeçeni në Rusi, dhe mendonte se do të fluturonte në Moskë, për t’i marrë dokumentet për imigrim dhe pastaj të largohej nga Rusia.

Shoferi në taksi ishte duke përgjuar dhe kur vajza i tha me telefon shoqes së vet se ajo ishte larguar nga shtëpia, ai i mbylli dyert e automobilit dhe e ktheu atë prapa në shtëpi, duke u frikësuar nga pasojat potenciale për rolin e tij në ikjen e planifikuar nga Çeçenia dhe Rusia.

Femra 22 vjeçare ishte me orientim lezbike dhe pretendonte se të afërmit e saj e kishin rrahur dhe kërcënuar me vdekje pasi kishin kuptuar për orientimin e saj seksual.

Pas një jave të përpjekjes së saj që të largohej me taksi në aeroport e pastaj të fluturonte për në kryeqytet, ajo kishte vdekur.

Familja e saj tha se ajo kishte vdekur nga veshkët e sëmura. Por, disa që e njihnin këtë vajzë besojnë se ajo ishte helmuar. Por, një shoqe e afërt e saj i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke i thënë Radios Evropa e Lirë se ajo me të vërtetë kishte vuajtur nga sëmundja e veshkëve.

Ky rast i kësaj femre të re, që për të parën herë ishte bërë publik në muajin korrik në një raport të një grupi për të drejtat e njeriut në Rusi, e thekson çështjen e jetës së dyfisht të tmerrshme me të cilën lezbiket janë të detyruara të jetojnë në Çeçeni me popullatë shumicë myslimane, ku homoseksualiteti dënohet publikisht, ndërsa grupet për të drejtat e njeriut i akuzojnë autoritetet për kryerje të fushatës së torturës dhe vrasjeve, në shënjestër të së cilave janë homoseksualët meshkuj.

Nuk ka indikacione se një fushatë e tillë është ndërmarrë kundër lezbikeve në këtë rajon, ku për një dekadë sundon njeriu i fuqishëm, Ramzan Kadyrov, i mbështetur nga Kremlini.

Lideri çeçen Ramzan Kadyrov
Lideri çeçen Ramzan Kadyrov

Por, femrat lezbike dhe biseksuale shpeshherë e jetojnë jetën e tyre personale në fshehtësi të plotë, duke komunikuar me dashnoret e tyre nëpërmjet pseudonimeve në rrjetet sociale dhe me telefona mobilë. Kështu, ato në jetën e përditshme janë të kufizuara vetëm me kontaktet e personave të verifikuar.

Femra e re e cila vdiq në muajin korrik, pasi ishte përpjekur për të ikur nga Çeçenia dhe Rusia, të cilën Radio Evropa e Lirë nuk e identifikon për shkak të stigmatizimit dhe abuzimeve të raportuara me të cilat ballafaqohet komuniteti LGBT në Çeçeni, në mënyrë këmbëngulëse e kishte fshehur orientimin e saj seksual.

Por, në njëfarë mënyre, për bisedat e saj në internet me dashnoren e saj dhe me shoqet e tjera, kishin marrë vesh të afërmit e saj, të cilët ishin tërbuar.

Më vrajë nëse dëshiron”, i kishte thënë vajza vëllaut të vet, sipas raportit të një grupi për të drejtat e njeriut, dhe kishte shtuar se “unë nuk do ta vrajë vetveten”.

Vuajtjet e komunitetit LGBT në Çeçeni kanë shkaktuar dënim ndërkombëtar pas një raporti në muajin prill të publikuar në gazetën e respektuar të pavarur ruse, Novaya Gazeta, në të cilin theksohej se kishte dyshime se meshkujt homoseksualë në rajon ishin burgosur, torturuar dhe në disa raste, ishin vrarë në fushatë të koordinuar.

Pas raportit, homoseksualët çeçenë i kanë treguar Radios Evropa e Lirë dhe mediave të tjera, për keqtrajtimet nga të cilat ata kishin ikur.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, e kanë shtruar këtë çështje në mënyrë direkte me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Njëherësh, qeveria e Kanadasë në mënyrë sekrete ka punuar me aktivistët për të drejtat e njeriut, për largimin e më tepër se 20 pjesëtarëe të komunitetit LGBT nga Çeçenia.

Organizata Human Rights Watch tha se kur policia në Çeçeni e kishte kthyer pjesën më të madhe të homoseksualëve, në familjet e tyre, në mënyrë indirekte u kishte sugjeruar familjarëve që të kryejnë vrasje të nderit.

Ramzan Kadyrov, që e sundon Çeçeninë, të cilin monitoruesit e të drejtave të njeriut e akuzojnë se i ka përdorë forcat e sigurisë për të imponuar rend dhe për t’i goditur ata që mendojnë ndryshe, ka thënë se akuzat për dënimet kundër homoseksualëve në Çeçeni janë “gënjeshtra”. Ai i tha televizionit amerikan HBO se “ne nuk kemi njerëz të këtij lloji këtu dhe ne nuk kemi asnjë homoseksual”.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG