Ndërlidhjet

Homofobia shprehet hapur në shitoret ruse

  • RFE /RL

Një rrjet i vogël por në rritje i shitoreve të një stili të vjetruar në Rusi, aktualisht është bërë i njohur, pasi në secilën prej dhjetëra pikëve të shitjes në mënyrë të dukshme i ka vendosur mbishkrimet e vrazhda: “nuk lejohet hyrja e homoseksualëve”.

Tash një degë e këtij rrjeti ka lëvizur edhe një hap përpara. Mediat lokale kanë raportuar se shitroja e kompanisë, Bukë e Kripë, në qytetin qendror rus, Kirov, ka filluar shitjen e shenjave prej druri të punuara me dorë të këtij sllogani, me çmim prej 2 mijë rublash (35 dollarë amerikanë).

Duket se pjesa më e madhe e banorëve lokalë në Moskë, Shën Petersburg dhe Kirov, nuk janë të shqetësuar nga këta artikuj, përkundër faktit se në ta përdoren fjalë poshtëruese, të cilat shumica e mediave ruse nuk pranojnë t’i shtypin të plota.

Kalimtarët e rastit, shpeshherë, shihen para këtyre shenjave duke e fotografuar vetveten me telefonat mobilë. Në Moskë, nga ana tjetër, më 1qershor ishte thyer një dritare gjatë natës në një shitore, dhe kjo e ka shtyrë televizionin shtetëror rus që të komentojë se shitoret “për një kohë të gjatë ishin në shënjestër të komunitetit LGBT”.

Në një pikë shitjeje të kompanisë në Shën Petersburg, një kliente e cila nuk ka dëshiruar të identifikohet, i tha Radios Evropa e Lirë se shenja ishte një indikator se sa tolerant është ky qytet. Ajo konsideron se, fundi i fundit, secili ka të drejtë të shprehet dhe të mendojë ashtu siç dëshiron.

Kompania, Bukë e Kripë, që shet ushqim natyror, kozmetikë dhe artikuj të tjerë të prodhimit të “bujqve rusë”, është ide e biznesmentit tejet të pasur e ekscentrik, German Sterligov.

Biznesmeni i ftoi njerëzit të hedhin vezë në portretin e Einsteinit

Biznesmeni Sterligov është një monarkist i deklaruar, i cili jeton sikur të jetë në shekullin e 19, duke e ndjekur kalendarin e pararevolucionit të Rusisë, që e ka modifikuar, duke ia shtuar tetë vite për të reflektuar interpretimin e tij se kur ka lindur Jezu Krishti.

Biznesmeni rus German Sterligov
Biznesmeni rus German Sterligov

Në të kaluarën ai është angazhuar për shitjen e gjithë territorit rus në lindje të Maleve Ural te perëndimi dhe rivendosjen e popullatës nga ky rajon në fermat e fshatarëve në pjesën evropiane të Rusisë.

Në hapjen e fundit të një shitoreje të tij në Shën Petersburg, Sterligov u ka bërë thirrje mbështetësve që të hedhin vezë në portertin e shkencëtarit, Albert Einstein, dhe të tjerëve, për shkak se zbulimet e tyre supozohet se kanë çuar në “helmimin e gjithë njerëzimit”.

Sterligov e ka qëndirmin e tij edhe për religjionin ortodoks rus. Ai thotë se nuk është anëtar i Kishës Ortodokse Ruse, pasi konsideron se pothuajse të gjithë klerikët janë heretikë.

Ai ka pikëpamje sociale ultrakonservatore dhe shprehet fuqishëm kundër abortit dhe homoseksualitetit. Ai ishte akuzuar për organizimin e një kampi të trajnimit për neonazistët dhe për pagesë të banditëve për t’i sulmuar homoseksualët.

Shtypje sistematike e homoseksualëve

Shenjat që publikisht dhe në mënyrë të hapur janë vendosur në shitoret e këtij bznesmeni të pasur dhe ekscentrik, janë manifestim i valës në rritje të homofobisë në Rusi. Në vitin 2003, në Rusi është miratuar legjislacioni me të cilin nuk lejohet shpërndarja e “propagandës së marrëdhënieve seksuale jotradicionale” ose “ideve të çrregulluara për vlerën e njejtë sociale të marrëdhënieve seksuale tradicionale dhe jotradicionale”.

Kohëve të fundit, Qeveria e Rusisë dhe mediat shtetërore në masë të madhe i kanë injoruar raportet nga mediat e pavarura dhe grupet e aktivistëve, se homoseksualët janë persekutuar në mënyrë sistematike në Çeçeni, në Kaukazin Verior të Rusisë.

Më 30 maj, një gjykatë në Shën Petersburg e ka dënuar studentin 21 vjeçar, Sergei Kosyrev, me 8 vjet e gjysmë burg, për vrasje të gazetarit, Dmitry Tsilikin, i cili ishte homoseksual. Megjithqë procesi gjyqësor ishte mbajtur me dyer të mbylluara, aktivistët besojnë se vrasja ishte krim i urrejtjes homofobike.

Megjithatë, jo të gjithë rusët janë indiferent ndaj shenjave të dyqaneve të biznesmenit Sterligov.

Vera Vrubel, 45 vjeçare, jeton në një ndërtesë ku ndodhet një shitore e kompanisë, Bukë e Kripë. Ajo e kishte pyetur vetveten, e nxitur nga vajza e saj 15 vjeçare, se “si është e mundur kjo?

Pronari i kësaj shitoreje po na fyen të gjithë neve, po e fyen qytetin e Shën Petersburgut dhe personalisht guvernatorin”, i tha Radios Evropa e Lirë, zonja Vrubel.

Tmerrin e saj ajo e ka bartur në rrjetin Facebook, dhe postimi i saj me të shpejtë ka zgjuar interesim të konsiderueshëm duke i marrë më tepër se 1,600 “likes”.

Derisa shitorja homofobike është në fqinjësi timen, unë jam homoseksuale”, tha Vrubel.

Pastaj ajo ishte ankuar në policinë lokale, por shenjat e kompanisë, Bukë e Kripë, mbeten aty ku ishin. Njëherësh, mbështetësit e biznesmenit Sterligov, janë ankuar masivisht në rrjetin Facebook, që e hoqi postimin e saj dhe për një kohë të shkurtër e pezulloi profilin e saj.

Në Moskë, gazetari, Denis Shlyantsev, po e udhëheq një fushatë të ngjashme. Në muajin prill ai e ka bërë një ankesë tek Agjencia për mbrojtjen e konsumatorëve rusë. Megjithatë, më 31 maj, Sterligov i tha agjencisë së lajmeve Interfax se nuk ka marrë ndonjë urdhër nga autoritetet për largimin e shenjave ose për ndaljen e diskriminimit kundër homoseksualëve.

“Nuk është vitit 1937, por 2017”

Zonja Vrubel e shikon fushatën e saj në mënyrë pragmatike, duke thënë se “nuk jam ndonjë lloj i kundërshtarit të regjimit” dhe shprehet se “e kupton se një grua e vetmuar nuk mund të luftojë kundër gjigantit”.

Megjithatë, ajo thekson se “nuk do të dorëzohet” dhe do ta vazhdojë betejën kundër këtyre shenjave homofobike.

Në këtë kuadër, ajo shprehet e befasuar me indiferencën e të tjerëve ndaj kësaj çështjeje.

Dëshiroj të theksoj se ky është viti 2017 e jo 1937”, thotë Vera Vrubel, duke iu referuar terrorit të madh të Stalinit në vitet e 30-ta, dhe u bënë thirrje të tjerëve që të bëjnë diçka të mirë për qytetin dhe shtëpinë e tyre.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG