Ndërlidhjet

Konflikti në Jemen intensifikohet, sjell pasoja përtej rajonit

Luftëtarë të grupit militant jemenas, Huthi në Sana më 10 shtator.
Luftëtarë të grupit militant jemenas, Huthi në Sana më 10 shtator.

Një konflikt që ka zgjatur prej vitesh në Jemen është intensifikuar javët e fundit, me pasoja që mund të shtrihen shumë përtej Lindjes së Mesme.

Rebelët Huthi kanë marrë nën kontroll pothuajse të gjithë vijën bregdetare të Jemenit në Detin e Kuq, duke i dhënë grupit militant, që është i rreshtuar me Iranin, kontrollin mbi Ngushticën Bab al-Mandab, një pikë kyç për tregtinë globale.

Rebelët jemenas po ashtu kanë intensifikuar sulmet ndaj objekteve energjetike në Arabinë Saudite, që është kundërshtare e grupit dhe eksportuesja më e madhe e naftës në botë. Riadi u detyrua të mbyllte përkohësisht një tubacion të rëndësishëm nafte, pas një sulmi me dron, për të cilin fajësoi një milici pro-iraniane në Irak.

Përshkallëzimi i konfliktit mes rebelëve Huthi dhe Arabisë Saudite ka ndikuar në rritjen e fundit të çmimeve të naftës, të cilat më 15 shtator u rritën në 110 dollarë për fuçi, që paraqet nivelin më të lartë në disa muaj, përpara se çmimet të binin paksa.

Ekspertët paralajmërojnë se një mbyllje e zgjatur e tubacionit kritik Lindje-Perëndim të Arabisë Saudite, ose një përpjekje e rebelëve jemanas për të bllokuar Ngushticën Bab al-Mandab, përmes së cilës kalon rreth 6 për qind e naftës që tregtohet në botë përmes transportit detar, mund të shkaktojë tronditje në mbarë botën.

Edhe para përshkallëzimit të fundit të luftimeve në Jemen, tregjet e energjisë ishin tronditur dhe ekonomia globale ishte goditur nga lufta në Iran, e cila praktikisht ka mbyllur Ngushticën e Hormuzit, arterien më të rëndësishme të naftës dhe gazit në botë.

Megjithëse luftimet e mëdha janë ndalur pas luftës që nisi në fund të shkurtit, Teherani dhe Uashingtoni vazhdojnë të këmbejnë sulme sporadike, përfshirë ndaj mjeteve të transportit detar.

“Vazhdon të jetë një dinamikë e dy konflikteve: konfliktit mes Arabisë Saudite dhe rebelëve Huthi dhe konfliktit SHBA-Iran dhe që të dyja po ushtrojnë presion mbi tregjet ndërkombëtare të naftës dhe furnizimin ndërkombëtar me naftë”, tha Gregory Brew, ekspert i naftës dhe analist i lartë në Eurasia Group, me seli në Nju Jork.

Banka amerikane e investimeve Goldman Sachs ka paralajmëruar se çmimet globale të naftës mund të arrijnë në 120 dollarë për fuçi nëse konfliktet në Iran dhe Jemen vazhdojnë.

Shmangia e përshkallëzimit në Jemen

Dhjetëra persona janë vrarë në Jemen që kur rebelët Huthi javën e kaluar nisën një ofensivë të shpejtë kundër qeverisë së vendit, të njohur ndërkombëtarisht, duke marrë nën kontroll qytetin-port kyç të Mokhës dhe ishuj në Detin e Kuq.

Arabia Saudite, e cila mbështet qeverinë e Jemenit, ka kryer sulme ajrore ndaj objektivave të rebelëve, ndërsa ata kanë lëshuar dronë dhe raketa drejt mbretërisë.

Riadi i është lutur Shteteve të Bashkuara për mbështetje ushtarake, por presidenti Donald Trump, duket se i ka refuzuar këto kërkesa. Rebelët Huthi arritën një armëpushim me Uashingtonin vitin e kaluar, pas një fushate disamujore bombardimesh amerikane.

Sipas raportimeve, rebelët Huthi i kanë dhënë garanci Uashingtonit se nuk do ta bllokojnë Ngushticën Bab al-Mandab dhe nuk do të sulmojnë anijet ndërkombëtare në Detin e Kuq, me përjashtim të anijeve saudite. Zyrtarët amerikanë u takuan me udhëheqësit e rebelëve jemenas në Omanin fqinj më 15 shtator.

“Nga këndvështrimi i SHBA-së, logjika është shumë e qartë”, tha Thomas Juneau, ekspert i Lindjes së Mesme dhe profesor në Universitetin e Otavës. Me SHBA-në që është në luftë me Iranin në Gjirin Persik dhe me më pak se dy muaj deri në zgjedhjet e mesmandatit, “presidenti Trump qartazi nuk dëshiron një tjetër batak në Jemen”.

“Edhe nga këndvështrimi i rebelëve Huthi, mendoj se ka një arsyetim të qartë”, shtoi Juneau. “Në vitin 2025, kur SHBA-ja i goditi rebelët Huthi, i goditi rëndë dhe i dëmtoi, duke u imponuar një kosto rebelëve”.

Sauditët përballen me “skenarë katastrofikë”

Ngjarjet në Jemen përbëjnë një prapakthim të madh për Arabinë Saudite, e cila në vitin 2015 nisi një ndërhyrje shkatërruese ushtarake në mbështetje të qeverisë së Jemenit, një vit pasi rebelët Huthi morën nën kontroll veriperëndimin e Jemenit, përfshirë kryeqytetin Sana.

Aleatët e Riadit në Jemen janë mposhtur dhe mbretëria saudite po përballet me sulme në rritje nga rebelët, si dhe nga grupe të tjera të armatosura në rajon që mbështeten nga Irani.

Dëmtimi i tubacionit Lindje-Perëndim të Arabisë Saudite ka kufizuar po ashtu aftësinë e vendit për të eksportuar naftë, duke ushtruar presion mbi furnizimet globale. Nuk është e qartë se kur tubacioni – rruga kryesore alternative e Riadit për eksportimin e naftës pas mbylljes së Ngushticës së Hormuzit – do të rifunksionalizohet.

Bota do të humbiste rreth 120 milionë fuçi nafte nëse tubacioni do të mbetej jashtë funksionit për një muaj, sipas kompanisë së inteligjencës së tregjeve të mallrave, Kpler.

“Për momentin, kemi thjesht një përputhje të skenarëve katastrofikë për sauditët: Ngushtica e Hormuzit është pothuajse plotësisht e mbyllur, Bab al-Mandab është të paktën pjesërisht i mbyllur dhe tubacioni Lindje-Perëndim është dëmtuar”, tha Juneau.

Ky material është pjesë e rubrikave
XS
SM
MD
LG