Macron: Pushtimi rus i Ukrainës ishte një "shok" për NATO-n
Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha të enjten pushtimi rus i Ukrainës ka qenë një “shok” për aleancën e NATO-s.
Macron shtoi se pushimi rus i dha NATO-s një qartësi të re strategjike që i mungonte.
Këto komente Macron i bëri duke folur para gazetarëve derisa nisi fushatën e tij për rizgjedhje.
Rusia ia zgjat paraburgimin basketbollistes amerikane
Basketbollistes amerikane, Brittney Griner, i është zgjatur paraburgimi edhe për dy muaj, njofton agjencia e lajmeve Reuters.
Sipas raportimeve, një gjykatë në rajonin e Moskës vendosi që Griner të qëndrojë në paraburgim deri më 19 maj.
33-vjeçarja besohet se është arrestuar nga autoritetet ruse një muaj më parë në një aeroport të Moskës, për akuza në lidhje me drogën.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha javën e kaluar se zyrtarët amerikanë “po bëjnë gjithçka që munden” për ta ndihmuar atë.
Rreth 90 për qind e Mariupolit është shkatërruar
Autoritetet në Mariupol thanë se deri në 90 për qind e ndërtesave në qytet janë shkatërruar nga bombardimet e përditshme të qytetit nga forcat ruse.
Lesia Vasylenko, deputete ukrainase, shkroi në Twitter se qyteti po “shkatërrohet nga qielli” dhe përsëriti thirrjen e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, drejtuar vendeve perëndimore për të vendosur një zonë të ndalim-fluturimit.
Ekipet e shpëtimit në qytet po përpiqen të nxjerrin të mbijetuarit pas sulmit të teatrit në Mariupol ku rreth 1000 njerëz - kryesisht gra dhe fëmijë - ishin fshehur.
Përpjekja e shpëtimit po vazhdon mes bombardimeve të forta nga forcat ruse në periferi të qytetit.
"Fundërrina dhe tradhtarë" - Putin kërcënon rusët që kundërshtojnë luftën në Ukrainë
Vladimir Putin ka bërë thirrje që në Rusi të bëhet një “spastrim natyral” i “fundërrinave dhe tradhtarëve”, që kritikojnë pushtimin e Ukrainës, të urdhëruar prej tij. Nëpërmjet një adresimi televiziv, më 16 mars, presidenti rus po ashtu e ka akuzuar Perëndimin se po përpiqet ta përçarë shoqërinë ruse, dhe të nxisë një konfrontim civil në Rusi.