Ministri ukrainas: Të gjithë ta quani Putinin kriminel lufte
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, për herë të parë e ka quajtur “kriminel lufte” presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
Tani, ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksiy Reznikov, u ka kërkuar liderëve evropianë të bëjnë të njëjtën gjë.
“U bëj thirrje të gjithë anëtarëve të Parlamentit Evropian që të pranojnë se Putin është një kriminel lufte, siç ka bërë presidenti amerikan”, tha ai.
Komentet e tij vijnë pasi Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss, tha gjithashtu se ka “prova shumë të forta” se Putini është një “kriminel lufte”.
Kryetari i rrëmbyer i Melitopolit u këmbye me nëntë rusë
Është liruar Ivan Fedorov, kryebashkiaku i qytetit ukrainas Melitopol, për të cilin u raportua se u rrëmbye javën e kaluar.
Fedorov, 33 vjeç, u lirua të mërkurën në këmbim të nëntë rekrutëve rusë të kapur, tha një zëdhënës i zyrës presidenciale të Ukrainës.
Fedorov u tha se ishte rrëmbyer të premten e kaluar nga persona të panjohur në qytetin jugor Melitopol, me një popullsi prej gati 150,000 banorësh, i cili është pushtuar nga trupat ruse.
Vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar në Mariupol
Ekipet e Emergjencave kanë vazhduar kërkimet për të mbijetuar nën rrënojat e teatrit të shkatërruar në Mariupol, nga një sulm ajror i forcave ruse.
Teatri po përdorej si strehë nga qindra civilë të Mariupolit, pasi shtëpitë e tyre u shkatërruan gjatë tri javë luftimesh.
Gati 24 orë pas sulmit, nuk ka pasur raportime për të vdekur.
“Ne shpresojmë dhe mendojmë se disa njerëz që qëndruan në teatër, mund të kenë shpëtuar”, tha për Associated Press Petro Andrushchenko, zyrtar i Bashkisë.
Ai tha se ndërtesa kishte një strehë relativisht moderne për bomba në bodrum, e projektuar për t’u bërë ballë sulmeve ajrore.
Zyrtarë të tjerë kishin thënë më herët se disa njerëz i kanë shpëtuar shkatërrimit.
Avokatja e Popullit në Ukrainë, Ludmyla Denisova, tha se streha nuk ishte shembur nga bombardimet dhe se disa njerëz kanë mbijetuar.
Në teatër po strehoheshin afro 1200 fëmijë dhe gra.
Ushtria ruse mohoi të mërkurën se e ka bombarduar teatrin në Mariupol.
Të paktën 21 të vrarë pas sulmeve ruse afër Harkivit
Të paktën 21 persona u vranë dhe 25 të tjerë u plagosën, kur forcat ruse bombarduan të enjten në mëngjes një qytet në Ukrainën lindore, njoftuan autoritetet ukrainase.
Sulmet goditën një shkollë dhe një qendër kulturore në Merefa, qytezë në rajonin Harkivit.
Sipas autoriteteve ukrainase, dhjetë prej të plagosurve janë në gjendje të rëndë.